Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Fjalimi 31 Janar 2016

Shumë të nderuar:
–    Imzot Ramiro Moliner Inglés, Nunci Apostolik
–    Zonja Kumbaro, Ministria e Kultures
–    Zonja Greta Bardeli, Kryetare e Keshillit te Qarkut
–    Z. Paulin Radovani, Prefekt
–    Dom Artur Jaku, famullitar
–    Atë A. Petani, i Kishës Ortodokse
–    Autoritete Civile Shtetërore dhe Lokale,
–    Te gjithe ju te pranishem, në veçanti familjarët të “Martirëve”

Koinçidenca e bukur e tri ngjarjeve të rëndësishme në këtë ditë është për mua rasti që të shpreh ndjenjën më të vërtetë të falënderimit që lind prej zemrës.
Vendosja zyrtare e veprës së Zotnisë Agim Radës,  që kujton martirizimin e Atdheut tonë në vitet e veta më të errëta, dhe që e kishim përuruar kohë më parë, është – siç pata thënë në atë rast – një paralajmërim për brezat e rinj dhe për të gjithë ne, për një Shqipëri më të mirë, për të bërë që të dëgjohet zëri ynë: “Kurrë më!”. Faleminderit, zotëri Agim Rada, për këtë dhuratë që nuk është vetëm për Kishën Katolike, por për gjithë Kombin.
Vepra juaj, që lartësohet prej tokës dhe na bën të shikojmë drejt Qiellit, nuk ka vetëm cilësinë që të na përgatisë për një të ardhme më të mirë duke treguar historinë tonë, por përreth saj, si lule të çmueshme, shfaqen edhe emrat e disa protagonistëve të kësaj historie: “Martirët” tanë Imzot Vinçenc Prennushi e 37 Shokët, që po përgatitemi t’i shohim së shpejti të lartësuar në nderet e altarëve. Edhe atyre u drejtohet falënderimi ynë, sepse falë sakrificës së tyre dhe asaj të mijëra burrave e grave të përndjekur e të vrarë, sot mund të gëzojmë atë liri që ata vetëm në mënyrë profetike e kanë parandier prej larg, në errësirën e vuajtjes së tyre.
Falënderoj Kryetarin i mëparshëm Zotin Maxhid Cungu dhe Kryetaren e Qarkut Zonjen Greta Bardeli me Këshillin e vet, që kanë dëshiruar të më japin këtë TITULL “NDERI I QARKUT SHKODER”. Një ipeshkëv përfaqëson gjithë Kishën bari i së cilës është. Meritat që më njihen sot nëpërmjet këtij titulli nderi, në të vërtetë, janë meritat e vetë Kishës që unë përfaqësoj. Është kjo Kishë që është aktivizuar me guxim dhe bujari në shumë rrethana në të cilat është krijuar një nevojë dhe ka ndier detyrimin moral që të ndërhyjë për të lehtësuar vuajtjet që buronin prej tyre.
Është kjo Kishë dioqezane që ka marrë përsipër të varfërit dhe nevojtarët, që ka marrë mbi shpatullat e veta, sikurse samaritani i mirë, ata persona që askush nuk ishte në gjendje t’i bartte sepse ishin të goditur nga handikape fizike apo mendore; është kjo Kishë që vazhdon të veprojë, shpesh pa u dukur dhe pa tërhequr vëmendjen e Mediave, për pajtimin e familjeve në gjak, për mbështetjen ekonomike të familjeve më të varfëra, për përparimin e të drejtave të personave të fundit të shoqërisë pranë institucioneve.
Prandaj, e pranoj me gëzim këtë mirënjohje, por më lejoni t’ua kushtoj atë të gjithë vepruesve dhe bashkëpunëtorëve, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e laikë, që me bujari, altruizëm dhe sidomos me shpirt ungjillor vazhdojnë ta kushtojnë kohën e tyre për të dëshmuar ungjillin e dashurisë.
Shfrytëzoj rastin edhe për t’u përsëritur të gjithëve ftesën që të jenë më të pranishëm në jetën e shoqërisë shqiptare, ashtu siç thotë Jezusi, pra, për t’u bërë “tharm dhe kripë”: le të japim ndihmesën tonë me entuziazëm dhe pa u dukur tepër, për të qenë tharm për kohën tonë dhe për t’i dhënë shije kësaj bote që ka kaq shumë nevojë për burra e gra të angazhuar në shndërrimin e shoqërisë, duke e bërë çdo ditë më të mirë.
Duke bërë këtë, kemi para vetes një dëshmitare të madhe të dashurisë së cilës mund t’i referohemi, së Lumes Nënë Tereza që, brenda këtij viti Jubilar të Mëshirës, do të shpallet Shenjte prej Papa Françeskut. Motoja e saj, ajo që shpreh se ka për zemër më të varfërit ndër të varfër, le të bëhet edhe motoja jonë dhe ta nxisë gjithnjë e më shumë në veprim.
Jam i sigurt se, me ndihmën e Hyjit dhe me bashkëpunimin tonë me hirin që Hyji na e dhuron pa ndërprerje, do të dimë të jemi një prani ungjillore domethënëse dhe që do të ndihmojë konkretisht në rilindjen e popullit tonë. Të mos kufizohemi duke ndërtuar vetëm përkujtimore, as duke bërë përkujtime, megjithëse ato janë të rëndësishme, por secili prej nesh, në pjesën që i takon dhe sipas dhuratave që ka marrë prej Hyjit, të jetë inteligjencë e aftë për ta lexuar historinë e tashme dhe për ta interpretuar atë, zemër që rreh përballë qenies njerëzore, sidomos asaj të plagosur dhe që e ka të vështirë të ringrihet, dorë e hapur dhe e shtrirë drejt nevojtarit, këmbë gjithmonë e zellshme për “t’u nisur” që t’u dalë përpara nevojave të të afërmit.
Përsëri faleminderit të gjithëve dhe një të diel të mbarë.

Nuk do të doja ta përfundonim këtë takim tonin para se të jap një lajmërim të rëndësishëm. Në fjalimin tim hershova që po afrohet koha e lumturimit të Martirëve tanë.
Si Arkidioqezë, që kemi çuar përpara proçesin kanonik për kanonizimin të “Martirëve”, e ndiejmë detyrën që të përgatitemi mirë për këtë ngjarje të madhe. Në bashkëpunim me Komisionin Drejtësi dhe Paqe si dhe me disa artistë, kemi menduar të shpallim dy konkurse: një konkurs pikturash dhe një tjetër poetiko-muzikor.
Prandaj, po ftoj zotëri Luigj Milën që të paraqesë dy konkurset që, nga ky moment bëhen zyrtare. Faleminderit.

Shkodër, 30/01/2016

+ Angelo Massafra OFM
Arcipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult
President i konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.