ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

BIJA QË DO TË MBETEN NË KUJTESË

 

 

Shkodra ka dhënë shumë bij e bija, të cilat në mënyra të ndryshme e kanë dëshmuar jetën e tyre në Krishtin. Dëshirojmë të kujtojmë dy prej tyre, dy gra që sot gëzojnë në Hyjjin.

Ana Daja është njëra prej atyre njerëzve që mbetet gjithnjë e portretizuar jo vetëm në sytë e atyre që e kanë njohur shumë mirë, por edhe të atyre që e kanë njohur rastësisht, që kanë shkëmbyer vetëm ndonjë fjalë me të.

Ajo u lind në Shkodër më 1928, në një familje të varfër por me edukatë qytetare dhe me parime të forta fetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Institutin “Donika Kastrioti”. Pastaj shkollimin e saj e vazhdoi në gjimnazin shtetëror “28 Nëntori”, shkollë ku vlonte rinia antikomuniste shkodrane, e cila do ta tërhiqte edhe Anën në gjirin e vet. Këtu - në fund të viti '45, vit kur u përjashtua nga shkolla - do të fillonte edhe kalvari i gjatë i jetës së saj, i cili do të zgjaste për vite e vite me rrallë. Më 26 qershor 1947 u arrestua dhe u mbajt në birucat e burgut me akuzën se kishte organizuar nxënësit e gjimnazit kundër pushtetit popullor dhe qe dënuar me 4 vjet burg.

Pasi doli nga burgu ajo u martua dhe krijoi familjen e vet. Nuk i mungonte buzëqeshja në fytyrë. Merrte pjesë në aktivitetet e ndryshme të zhvilluara pranë kishës Katedrale dhe nga motrat Stigmatine, duke ofruar të gjitha fuqitë dhe qenien e saj.

Vdiq më 24 korrik 2007 në moshën 79 vjeçare, por ajo e saja është një jetë që nuk shuhet kurrë.

Albina Gjonej, ka lindur në Shkodër 64 vjet më parë. Ajo dhe motrat e saj kanë përhapur me mësimin e tyre, më parë nëpër fshatra e pastaj në Shkodër, aromën e mirë të Krishtit dhe normat morale për një jetë të krishterë edhe gjatë kohës së regjimit komunist.

Që nga viti 1991, ajo ka ndihmuar në ungjillëzimin dhe asistencën ndaj të varfërve dhe të sëmurëve tek motrat e Nënë Terezës në Shkodër. Ne motrat Stigmatine kemi bashkëpunuar me Albinën në katekizmin dhe animimin e liturgjisë në fshatrat e Shirokës dhe Grudës së Re. Albina ka qenë gjithmonë e gatshme, nuk është dorëzuar kurrë në misionin e saj edhe në kohërat e vështira, kur nuk ishin makinat, rrugët e prishura me baltët dhe as i ftohti i egër.

Ka qenë e dashur nga njerëzit e thjeshtë dhe e dëshirës për ta njohur Zotin. Prej disa vitesh qe transferuar në Tiranë, me motrën e saj Titinën. Zoti e thirri pranë vetes më 7 dhjetor 2007, vigjiljen e festës së “Zojës së Papërlyer” për të cilën ajo kishte shumë devocion.

 

Motrat Stigmatine

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster