ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

KREMTOHET DITA BOTËRORE E PAQES

Urimi i Imzot Angelo Massafra

 

Jemi duke kremtuar edhe sivjet Ditën Botërore të Paqes. Për këtë çast, Ati i Shenjtë ka zgjedhur dhe propozuar si temë reflektimi Familja njerëzore, e konsideruar si bashkësi paqeje. “Të gjithë popujt formojnë një bashkësi të vetme, kanë një origjinë të vetme, sepse Hyji ka bërë që e tërë gjinia njerëzore të banojë mbi mbarë sipërfaqen e dheut (krh. Vap 17, 26) e kanë një qëllim të vetëm, Hyjin”.Falënderoj z. Luigj Mila, Përgjegjës të Qendrës Drejtësi e Paqe, shkollat tona, bashkëpunëtorët dhe Drejtorin e Teatrit për këtë mbrëmje të bukur.Mesazhi papnor na paraqitet i strukturuar në dy pjesë. Në pjesën e parë vihet në dukje kuptimi dhe vlera e lidhjes që gjendet mes bërthamës familjare dhe paqes dhe tregon se si “familja natyrore, si bashkësi jete dhe dashurie bashkëshortore që është, e themeluar mbi martesën mes një burri dhe një gruaje (1), përbën «vendin parësor të “humanizmit” të personit e të shoqërisë» (2), «djepin e jetës e të dashurisë» (3)” sepse familja është “edukuesja e parë dhe e pazëvendësueshme e paqes”. Në pjesën e dytë, familja njerëzore vihet në lidhje me një seri problematikash që kanë të bëjnë me paqen. Në këtë pjesë Ati i Shenjtë ndalet tek thellimi i lidhjes mes familjes njerëzore dhe paqes.Çdo bashkësi familjare, për të ecur përpara, ka nevojë për marrëveshjen bujare mes të gjithë pjesëtarëve të vet. Nuk jetojmë rastësisht njëri përbri tjetrit; të gjithë jemi duke bërë “të njëjtën ecje si njerëz, që do të thotë si vëllezër e motra”. Kjo ecje është e garantuar nga referimi ndaj një Themeli trashendent që është Hyji. Ati i Shenjtë ndalet pak për të vënë theksin mbi disa kërkesa të veçanta të familjes njerëzore. Fton që të kihet kujdes për krijimin e përshtatshëm të një ambienti për familjen njerëzore (shtëpia, puna shkollimi, asistenca bazë shëndetësore), duke shmangur çdo lloj forme të shfrytëzimit të pakontrolluar dhe duke synuar mirëqenien e të gjithëve në respektin e ekuilibrave ekologjikë dhe në “administrim të fuqive energjike të planetit”. Papa fton që ekonomia të jetë e organizuar mirë në solidaritet dhe pa shkapërderdhje. Së treti, Papa fton që të mos mënjanohet ligji moral, i cili pengon individualizmin egoist, e ndihmon lirinë të jetë me të vërtetë vetvetja dhe e mbron të dobëtin nga shfrytëzimi i më të fortit.

Së fundi Ati i Shenjtë kërkon që të tejkalohen konfliktet dhe të përforcohet procesi i çarmatimit. Pasi përmend situatat e dhimbshme të konflikteve që janë në Kontinentin Afrikan e në Lindjen e Mesme, Ati i Shenjtë me ngulm i fton Kryetarët e Shteteve që të mos i përdorin pasuritë për të prodhuar armë, por për zhvillimin njerëzor, shpirtëror dhe ekonomik të çdo njeriu.

Dua të mbaroj duke iu lutur Zotin që t'i bekojë me bollëk familjet tona; t'i forcojë në dashurinë, t'i mbrojë nga relativizmi që shkatërron familjet dhe në çdo familje shqiptare të ketë shtëpi, punë, dashuri dhe durim.

Nga zemra ju falënderoj të gjithëve dhe ju uroj që viti 2008 të jetë vit më i mbarë për Shkodrën dhe Veriun.

Për shumë vjet!

 

 

 

Kronika e aktivitetit

 

Edhe këtë vit, skena e teatrit “Migjeni” në Shkodër, u kthye në një tribunë e cila shërbeu në mënyrë të shkëlqyer në për sjelljen e mesazheve të paqes.

Më 7 janar të këtij viti, Arqipeshkvia Shkodër dhe Komisioni Drejtësi dhe Paqe, për të pestin vit radhazi organizuan Ditën Botërore te Paqes, iniciativë e cila u mor 20 vite më pare nga Papa Gjon Pali II dhe gjeti vend para dhjetë vitesh edhe në qytetin e Shkodrës. Banorët e tij, tashmë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe nevojën për të jetuar në paqe e mirëkuptim me njëri-tjetrin, u mblodhën si në një festë të bukur, për ta kremtuar në mënyrë të përbashkët këtë ngjarje të mrekullueshme e cila tashmë është kthyer në një festë popullore.

Pika më e rëndësishme e kësaj ngjarjeje madhështore, pa dyshim që ishte kumtimi i mesazhit të Papës Benedikti XVI, lëshuar me këtë rast, pjesë të të cilit iu paraqitën këndshëm publikut nga dy të rinjtë, Lisandri Kola dhe Xhulia Preçi, mesazh të cilin, me të drejtë, këtë radhë, Papa ia ka kushtuar qelizës themelore të shoqërisë dhe pikërisht familjes. Familja njerëzore-bashkësi paqeje ishte tema e mesazhit të sivjetshëm, lëshuar nga Selia e Shenjtë për mbarë botën.

Fëmijët dhe të rinjtë e shkollave katolike dhe jo vetëm, me anë të interpretimeve origjinale artistike, sidomos këngëve dhe valleve tradicionale dhe moderne shqiptare, përcollën hareshëm atë mesazh të shumëpritur të paqes, kulturës dhe përparimit, pa të cilat e ardhmja do të ishte e pasigurt dhe e pashpresë.

Kombinimi i bukur i skenografisë me kostumet e mrekullueshme shqiptare, të ngjyrosura me të kuqen festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, kombinoheshin bukur me projektimet në ekranin e gjerë në të cilin herë pas here shfaqeshin mesazhe paqeje dhe thirrje ndërgjegjësuese për t'iu kundërvënë çdo tendence dhe akti dhune dhe diferencimi racor apo fetar.

Shfaqja arriti kulmin kur, përfaqësuesit e tre komuniteteve fetare në Shkodër, Imzot Angelo Massafra, Myftiu i Shkodrës Ndriçim Sulejmani dhe famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër atë Nikolla Petani, u ngjitën në skenë dhe së bashku përcollën mesazhin e tyre të paqes dhe të bashkëpunimit, për një vit të mbarë në harmoni dhe bashkëpunim. Të pranishmit u larguan nga shfaqja, nën tingujt e mrekullueshëm të këngëve dhe valleve fëminore dhe rinore, duke marrë me vete mesazhin e paqes, të shprehur në mesazhin e Shenjtërisë se Tij, Papa Benedikti i XVI, i cili u shpërnda për të gjithë të pranishmit në gjuhën e bukur shqipe.

 

Luigj Mila

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster