|
PËRSHËNDETJA E IMZOT ANGELO MASSAFRA
“Shumë të dashur besimtarë!
Me kremtimin eukaristik që po përfundon, sot kemi
rishuguruar tërë ndërtesën e Katedrales. Në të vërtetë, Kardinali Josef
Tomko, para ardhjes së Papës Gjon Pali II, pati shuguruar vetëm altarin.
Kjo ngjarje kaq domethënëse për Dioqezën tonë ndodh gjatë kësaj periudhe
të jubileut, që e përforcon fenë tonë dhe ecjen tonë për të ndjekur
Jezusin. Ky Tempull paraqitet sot në gjithë shkëlqimin e vet si shtëpi e
Zotit, pas restaurimeve të ndryshme të bëra: ndër të tjera, rinovimi i
presbiteriumit, mbulimi i pullazit, amplifikimi, lyerja.
Në këtë moment kaq solemn falënderimi im i parë i
drejtohet Të Shenjtërueshmes Trini: ndërtimi dhe shugurimi i kësaj
Katedraleje është para së gjithash vepër e Saj.
Falënderoj edhe Ipeshkvijtë që kanë dashur që të
ndërtohej e pastaj janë angazhuar në punime deri në përfundimin e saj.
Së bashku me ta, mendimi im dhe falënderimi im u shkon të gjithë
Ipeshkvijve që më kanë paraprirë, ashtu si edhe famullitarëve që kanë
pasuar njëri-tjetrin dhe besimtarëve të panumërt që në këtë Katedrale
kanë kremtuar gjatë viteve ngjarjet më domethënëse të jetës së tyre të
fesë.
Më lejoni që të falënderoj në mënyrë krejt të veçantë
Eminencën e Tij, Kardinalin Franc Rodè. Faleminderit prej zemrës,
Eminencë, për dhuratën e pranisë Suaj sot këtu mes nesh, me të cilën na
keni nderuar duke rishuguruar këtë Tempull. Së bashku me Ju, falënderoj
edhe Ipeshkvijtë e pranishëm, të cilët kanë dashur ta bashkëndajnë me
mua dhe me besimtarët e Dioqezës këtë gëzim tonin. Falënderoj Mons.
Giovanni Gasparri, Sekretari i Nunciaturës.
Falënderoj të gjithë meshtarët që janë mbledhur
përreth këtij altari.
Faleminderit Autoriteteve civile dhe atyre fetare që
kanë marrë pjesë në këtë Meshë.
Falënderimi im ju drejtohet edhe ju, shumë të dashur
besimtarë të pranishëm në këtë Katedrale dhe juve që e keni ndjekur
kremtimin nëpërmjet radios apo televizionit.Falënderoj të gjithë ata që
kanë kontribuar pë kremtimin e kësaj Meshe> Dom Gjovalin Suka dhe Korin.
Falënderoj TV Rozafën, Radio Marinë dhe Policinë për rendin.
Dëshiroj të kujtoj me dashuri dhe me mirënjohje të
thellë të ndjerin Papa Gjon Pali II, që ka kremtuar në këtë Katedrale
një Eukaristi të paharrueshme.
Nuk mund të mos falënderoj edhe bamirësit e ndryshëm,
që në mënyra të ndryshme kanë ndihmuar për realizimin e punimeve në këtë
Katedrale.
Falënderoj krejt Kongregatën për Ungjillëzimin e
Popujve (Propaganda Fide) për mbështetjen e dhënë. Falënderoj
organizatat gjermane Renovabis dhe Kirche in Not, Missio Pro Europa të
Austrisë, Ministrin Provincial të Etërve Françeskanë të Milanos,
përfaqësuar nga Atë Almiro; Ambasadorin Silvano Pedrollo, përfaqësuar
nga Z. Miguel Salvatore, Zotin Kol Cacaj, i cili ka dhënë fondet për
ndërtimin e kompanjelit. Nuk po zgjatem me emrat e shumë bamirësve të
tjerë, qoftë lokalë qoftë nga jashtë vendit, por ju siguroj se janë në
kujtimin tim e në lutjen tim. Së fundi, falënderoj edhe ata që kanë
punuar për këtë Katedrale: Firmën Kolë Gjergji nga Shkodra, Firmën
Erario Michele nga Manduria (TA) dhe firmën Giuseppe Bellucci nga
Martina Frankas (TA) për amplifikimin.
Falënderoj delegacionin nga S. Marzano, qyteza ku
linda: dott. Giuseppe Tarantino, Kryetar i Komunës me bashkshorten; Z.
Vinçenzo De Padova, Kryetari i Këshillit Komunal; Dom Cosimo Rodia,
Famullitarin dhe Atë Angelo De Padova, nga Provinca e Fretërve nga
Lecce.
Po përfundoj duke shpallur se çdo vit më 12 janar do
të kremtojmë në Kryedioqezën tonë solemnitetin e shugurimit të
Katedrales.
Me zemrën plot mallëngjim, mirënjohje e me ndjenjat e
një gëzimi të thellë uroj që shugurimi i Katedrales sonë, kishë-nënë e
Dioqezës, të shfaqë e të realizojë gjithnjë e më shumë “bashkimin” e
Kishës sonë lokale. Zoti, të cilit i lutemi këtu dhe e kremtojmë, e
shoqëroftë ecjen tonë! Amen”.
titujt
kryesore |