ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

PUSHOI NË ZOTIN MOTËR MARIA GJOMARKAJ

 

 

Motër Maria Gjomarkaj lindi më 13 qershor 1918 dhe ishte fëmija i dytë ndër 7 vajza.

Në moshën 14 vjeçare ajo shfaqi dëshirën për t'u bërë motër dhe, edhe pse fillimisht hasi në rezistencën e prindërve, arriti të hyjë në Institutin e Bijave të Marisë Ndihmëtare. Pasi përfundoi periudhën e formimit të saj në Itali, mori kushtet e para në vitin 1939 dhe po atë vit u kthye në Shqipëri, në moshën 21 vjeçare ku, pas 6 vitesh jetë rregulltare, bëri kushtet e përjetshme.

Me dhimbje të madhe ajo kujtonte ardhjen e regjimit komunist në 1946 gjë që e ndau nga simotrat italiane dhe, së bashku me motër Luceta Mhillin, mbetën të vetmet saleziane në Shqipëri.

Qe përndjekur pa mëshirë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u detyruar të bënte punë nga më të ndryshmet e të vështira për të.

Në vitin 1990, me këmbënguljen e saj karakteristike arriti të shkojë në Napoli e në Romë në shtëpinë gjenerale, ku e priti Nënë Marinela Castagno. Por edhe më i fortë ishte takimi me Papën Gjon Palin II, i cili i dha edhe bekimin e veçantë: - “Vjen nga Shqipëria? Keni jetuar atje gjatë këtyre viteve?” - e kishte pyetur. - “Zoti të bekoftë, bija ime!” Dhe Zoti e bekoi vërtet, ngaqë i dha gëzimin më të madh: kthimin e motrave saleziane në Shqipëri dhe më në fund Motër Maria mund të thoshte sërish me liri e gëzim: “edhe unë jam saleziane”.

U rikthye të jetonte me ne në 2002 kur i vdiq e motra. Prania e Motër Maria bëri të mundur vazhdimin e pranisë së institutit tonë në Shqipëri gjatë 50 viteve të diktaturës. Në agimin e 28 dhjetorit 2007 si pa u ndier, ajo pushoi në Zotin.

Faleminderit për dëshminë tënde Motër Maria

 

Bijat e Marisë Ndihmëtare

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster