ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

RIKUSHTOHET KATEDRALJA E SHKODRËS

 KRONIKA E KUSHTIMIT

 

Sa më shumë që afrohet data 7 prill, dita kur do të festohet 150 vjetori i bekimit të gurit të parë (7 prill 1858), aq më tepër shtohen kremtimet dhe veprimtaritë e ndryshme fetaro-kulturore në këtë famulli. Që nga data 19 tetor 2007, kur u shpall “Koha Jubilare”, e deri më 12 janar 2008, janë zhvilluar mjaft kremtime e veprimtari të tilla, por sigurisht një ndër pikat kulmore dhe të paharruara mbetet dita e kushtimit të kësaj kishe - 12 janar 2008 - dhe ceremonitë fetare të zhvilluara në këtë ditë.

Në praninë e një numri shumë të madh besimtarësh, Meshën solemne dhe ritet e kushtimit i udhëhoqi Eminenza e Tij Kardinali Franc Rodé (nga Sllovenia, i ardhur për herë të parë në Shqipëri), Prefekt i Kongregatës për rregulltarët, në bashkëkremtim me Shkëlqesitë Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit i Kryedioqezës Shkodër-Pult, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Kryedioqezës Tiranë-Durrës, Imzot. George Frendo, Ipeshkëv ndihmës i Kryedioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Zef Simoni, ipeshkëv në pension, Imzot Luçiano Avgustini, Ipeshkëv i Sapës, Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i dioqezës së Lezhës, Imzot Cristoforo Palmieri, Ipeshkëv i dioqezës së Rrëshenit, Mons. Giovanni Gasparri, sekretari i Nunciaturës Apostolike dhe 62 meshtarë të urdhrave të ndryshë. Nga fshati i lindjes së Arqipeshkvit tonë erdhën Famullitari dhe Kryetari i Komunës me një delegacion.

Nderonin me pjesëmarrjen e tyre Z. Stefano Marguccio, Konsull i Italisë në Shkodër dhe bashkëshortja e tij; Z. Maxhid Cungu, Prefekt i Shkodrës, i Pukës dhe i Malësisë së Madhe; Z. Gjovalin Kolombi, kryetar i Këshillit të Qarkut; Z. Lorenc Luka, Kryetar i Bashkisë; Z. Rasim Hasanaj, Përgjegjës i Komitetit të Kulteve; Z. Haxhi Fejzi Zaganjori (Myftinia Shkodër) dhe Atë Nikolla Petani, Kisha Ortodokse-Shkodër dhe të ftuar të tjerë.

Ndërkohë që kori i drejtuar nga Z. Gjon Shllaku këndonte himnin e Jubileut, besimtarëve u jepej bekimi nga Kardinali Rodé, i cili hynte në procesion i paraprirë nga ministrantët, diakonët, meshtarët dhe ipeshkvijtë.

Para fillimit të Meshës së Shenjtë, Administratori Famullitar Dom Gjovalin Sukaj, falënderoi Eminencën, ipeshkvijtë, meshtarët dhe besimtarët për nderin që i bëhej kishës Katedrale të Shkodrës në këtë ditë të shënuar dhe i ftoi besimtarët në një ndjekje të devotshme të riteve të kushtimit të kësaj kishe.

Në të vërtetë, kësaj kishe, edhe pse ka qenë kushtuar një herë pas ndërtimit të saj, i nevojitej përsëri një kushtim i tillë, duke qenë se gjatë periudhës komuniste ajo qe profanizuar duke u kthyer në pallat sporti.

Ndër ritet fillestare u bë bekimi i ujit dhe, me të, u bë stërpikja e besimtarëve. U vazhdua me rite të tjera. Në homelinë e tij Kardinali ndër të tjera tha: “Himni ynë i lavdisë merr nota edhe më solemne e të dendura me gëzim sepse, kjo kishë, e shndërruar në pallat sporti gjatë viteve të errëta të përndjekjes, dhe e risjellë në shkëlqimin e vet të mëparshëm, është bërë - siç ka thënë më 25 prill 1993, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri Ati i Shenjtë Gjon Pali II, të cilin e kujtojmë me nderim - “simboli i ringjalljes së Kishës në Shqipëri. Prandaj ky fakt merr një domethënie të veçantë: është shenjë e gëzueshme për Kishën e lirisë së rigjetur dhe të rilulëzimit të saj pas dimrit të dhimbshëm e të zgjatur të vetmisë e të përndjekjes. Pasi kanë marrë pjesë në vuajtjet dhe në vdekjen e Shëlbuesit, besimtarët e Shqipërisë tani mund të bashkëndajnë harenë shpirtërore të Pashkës së ngjalljes, prej së cilës vijnë mundësi të reja apostolike e misionare”.

Arsyen e një festimi të një katedraleje, Eminenca e gjeti tek fakti se, që në fillimet e ndërtimit të ambienteve të kultit të krishterë, “kushtimi i një Kishe apo i një altari [...] e ka ruajtur karakterin e gëzueshëm, përmasën e festës”.

Prelati, duke dashur të shpjegonte rëndësinë e kushtimit të kësaj shtëpie lutjeje, citoi Shën Augustinin: “Kushtimi i shtëpisë së lutjes është festa e bashkësisë sonë. Kjo ndërtesë është bërë shtëpia e kultit tonë. Por ne vetë jemi shtëpia e Hyjit. Ndërtohemi në këtë botë e do të kushtohemi solemnisht në fund të shekujve”.

Kardinali theksoi se kuptimi i vërtetë i ekzistencës së kësaj ndërtese të shenjtë është që ne ta takojmë Krishtin, Birin e Hyjit të gjallë që u bë njeri dhe që na dhurohet në misterin e Eukaristisë tejet të shenjtë.

Pas përfundimit të predikimit u vazhdua me ritet e kushtimit të kishës e sigurisht që momentet më prekëse qenë ato të këndimit të litanive së shenjtërve, të lutjes së kushtimit, të lyerjes me vaj të altarit - simbol i Krishtit - dhe të dymbëdhjetë kryqeve, të vendosur në shtyllat e kishës - simbol i dymbëdhjetë Apostujve -, të kemosjes së altarit dhe të kemosjes së mbarë kishës. Pas mbulimit të altarit dhe ndriçimit të kishës u vazhdua me lutjen eukaristike, pasuar nga riti i kungimit për të arritur tek mbarimi i Meshës së Shenjtë.

Para dhënies së bekimit përfundimtar nga Eminenca e Tij, të pranishmit i falënderoi Imzot Angelo Massafra. Fort përzemërsisht ai falënderoi bamirësit, donatorët brenda dhe jashtë vendit si dhe të gjithë ata që u aktivizuan për këtë ditë. Me këtë rast Arqipeshkvi shpalli se, për dioqezën e Shkodër-Pult, data 12 janar tani e tutje do të përkujtohet liturgjikisht si e Kremte.

Pas tij një falënderim të veçantë e bëri edhe Imzot Rrok Mirdita, si Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Pas bekimit solemn të Kardinalit, kremtimi u mbyll me këngën e Zojës së Shkodrës të kënduar nga kori dhe populli.

E gjithë kjo ceremoni u transmetua direkt nga Radio Maria dhe TV Rozafa.

Për të ftuarit, në Fshatin e Paqes u shtrua një tryezë familjare e gërshetuar me përshëndetje të veçanta nga ana e Kardinalit, ipeshkvijve, meshtarëve, pushtetarëve, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, mysafirëve të ardhur nga Italia etj.

 

Lec Zadeja

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster