|
SHKOLLA “ZEMRA E KRISHTIT” FESTON 10-VJETORIN E HAPJES
Me rastin e 10-vjetorit të hapjes së shkollës 9-vjeçare
“Zemra e Krishtit” në Shkodër, u organizua një mbrëmje festive-jubilare
në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Morën pjesë autoritet fetare dhe
civile Imzot Angelo Massafra, Drejtoresha e drejtorisë arsimore Shkodër
Znj. Atrida Ferketi dhe inspektorë të kësaj drejtorie, Drejtueset e
Motrave te Kraharorit te Shenjtë Nëna Superiore M. Fides Sebis, të
gjithë projektuesit dhe zbatuesit e kësaj vepre.
Për 10 vite kjo shkollë ka ecur me hap të sigurt duke u
rritur çdo vit. Stafi pedagogjik i kësaj shkolle - më në krye
drejtoreshën e tyre Motër Vitalba është e mjaft përgatitur dhe mban në
gjirin e saj mbi 700 nxënës e fëmijë kopshti.
Spektakli - i përbërë nga këngë, kërcime, të ndërthurura
këto me kujtime të sjellura nga nxënës e mësues të kësaj shkolle - u
përgatit nga vetë nxënësit e kësaj shkolle të ndihmuar nga i gjithë
stafi i mësuesve.
Në fund mësuesit e kësaj shkolle me M. Vitalben, të
bashkuar me nxënësit, kënduan këngën përshëndetëse si një himn, për të
uruar edhe 100 vite të tjera.
Falënderime
Më kujtohet në këtë 10 vjetor të shkollës një ëndërr e
viteve më parë. Atëherë, kur u rihapën kishat në vitin 1991, ëndërroja
që në Shkodër të rihapen shkollat që drejtohen nga njerëzit e
përkushtuar të fesë. Ishte e nevojshme ndryshimi i njeriut, të edukuarit
ndryshe i shpirtit të tij të shpërfytyruar në regjimin diktatorial. Dhe
ishte pikërisht M. Vitalba Motolese, e karakterizuar nga gjallëria, e
cila arriti të hapte të parën herë parashkolloren, duke vijuar vit pas
viti në shkollën 9-vjeçare.
Në këtë moment do t'i drejtohemi me mirënjohje dhe
falënderim atyre që dhuruan për ne shkollën, për Shkodrën, për fëmijët
tanë: për ish-Nënën eprore të Motrave të Kraharorit të Shenjtë, Nënë
Pjerfranca Crobe, për M. Immacolata, e cila e ka ndjekur lindjen e këtij
ndërtimi, për inxhinierin Giovanni Silvestri, i cili e ka projektuar
këtë vepër të madhe e që sot e kemi mes nesh, për zbatuesit e këtij
projekti, vëllezërit inxhinierë, Alfred, Aleksandër e Ilir Bushati.
Alfredi, i ndarë nga jeta disa muaj më parë, ka mbetur në kujtimin tonë
të përhershëm. Kanë bashkëpunuar me përkushtim inxhinier Sokol Prendushi
e Mimoza Aliku. Inxhinier Marko Currin duhet ta falënderojmë për
kompletimin e shkëlqyer të shkollës 9-vjeçare. E për të gjithë të tjerët
që punuan, që bashkëpunuan në mënyra të ndryshme në këtë ndërtim, për
çdo punëtor, del falënderimi i përzemërt.
Viti shkollor 2005-2006 shënon përfundimin e ciklit të
plotë 8-vjeçar të brezit të parë. Përfundim me sukses, nderohet dhe
shpërblehet puna e përkushtimi i këtij stafi të kompletuar pedagogjik me
në krye M. Vitalben. Janë rezultatet e mrekullueshme që arrihen me një
mesatare 8,6. Në klasat e teta, rreth 50% e nxënësve paraqiten me 9 dhe
10 në provimet e lirimit.
Shumë domethënëse janë arritjet e nxënësve tanë në
olimpiadat e matematikës lokale e kombëtare. Gerti Dajti, Mario Banushi
e Klaudia Marku, janë fitues të çmimeve të para dhe të tre kanë
përfaqësuar Shkodrën e shkollën tonë në olimpiadën kombëtare, ku zunë
përsëri vende nderi.
Në konkursin shkencor kombëtar organizuar nga Kolegji
Turk në Tiranë, nxënësit tanë kanë fituar pikët që e kanë renditur
shkollën tonë të parën ndër rreth 115 shkolla të Republikës. Kështu ka
vazhduar edhe brezi i dytë i vitit 2006-2007 me Elton Dajtin e Jozef
Lulin, fitues të olimpiadave dhe me një përqindje të lartë përsëri të
nxënësve që vlerësohen shumë mirë në fund të vitit.
Gjithnjë i referohemi edhe ballafaqimit me shkollat e
tjera, duke krahasuar nivelin e arritjeve pikërisht në konkurset e
organizuara për hyrjen në shkollën e mesme Pjetër Meshkalla. Vitin e
parë kanë fituar 70% e nxënësve pjesëmarrës dhe në vitin pasardhës 67% e
nxënësve. 100% e nxënësve tanë vazhdojnë shkollat e mesme. I kemi
ndjekur nxënësit tanë edhe në shkollat e tjera të mesme dhe dëgjojmë
fjalë të mira për formimin e përgjithshëm të tyre.
Shpresojmë se rrugën e nisur, të ndriçuar nga mësimet
dritëdhënëse të Jezusit që na shikon, na ndihmon e na jep forcën,
mendjen e dijen, të ecim gjithmonë përpara për fëmijët e brezave që
vijnë.
Urojmë përzemërsisht: Edhe për shumë vjet të tjera në
rrugë të mbarë!
Loreta Prela
titujt
kryesore |