|
|
TAKIMI I JUNIOREVE
Më 14 - 16 dhjetor, në seminarin Ndërdioqezan Shkodër,
është bërë takimi i Junioreve. Në këtë takim ishin të pranishme rreth 20
veta. Takimi këtë rrallë u mbajt nga atë Gjovanni Salustri C.S.I. si dhe
nuk na mungoi prania e Shkëlqesisë së tij Imzot Angelo Massafra, i cili
erdhi të shtunën në mbrëmje për t'u lutur me ne, në lutjen e Mbrëmësores
dhe më pas bashkëndamë darkën. E falënderojmë Ipeshkvin që gjithmonë na
shoqëron me lutjen e Tij.
Tema ishte, “Ndërgjegjja dhe e mira morale”. Atë
Gjovanni theksoi se si ne duhet ta jetojmë jetën tonë rregulltare me një
“ndërgjegje” të formuar e të prirë me vlerat morale, që janë baza e një
zhvillimi shpirtëror dhe njerëzor. Mes të tjerash ai theksoi fjalët e
shën Buonaventurës, që e quan: “Ndërgjegjja është Lajmi i Zotit, është
zëri që thërret fortësisht dhe butësisht”; ndërsa murgjit Cisterçensë
thonë se: “Është lidhja jonë martesore me Zotin, është mbretëresha e
stolisur në pritje të Dhëndrit”; shën Augustini thoshte: “Është humnera
në të cilën banon Zoti që është i vetmi dëshmitar i saj”. Për ne ishte
një shtytje më e madhe për të qenë gjithnjë e më të vëmendshme ndaj
këtij zëri që flet në brendësinë tonë. E mira morale theksoi se është
ajo që lind me të vërtetën. Dhe e Vërteta është Dashuri, pikërisht ajo
Dashuri që është mishëruar në trupin Virgjëror (Krishti). Takimi i ynë u
mbyll të dielën në mëngjes me Meshën e Shenjtë në Kishën Katedrale.
Shpresojmë që çdo gjë e thënë të rritet e të bëhet vlerë për jetën tonë
rregulltare, që të mundemi t'ua shfaqim të gjithëve bukurinë e jetës së
Krishterë.
Motër Mimoza Jaku
titujt
kryesore |
|