|
|
E vërteta është në dashuri dhe shërbim
Sëmundja më e madhe nuk
është gërbula, as kanceri, por ndjenja se je i padëshiruar, se je i
pakujdesur dhe i lënë nga të gjithë. E keqja më e madhe është mungesa e
dashurisë dhe e ngushëllimit, ftohtësia e tmerrshme ndaj të afërmit.
(Nënë Tereza)
Me datën 22 – 25 nëntor 2006,
për herë të parë, në qytetin e Shkodrës, në ambientet e Motrave
Vinçenciane, u zhvillua Seminari në kuadrin e Projektit “Asistencë
Shëndetësore për Pacientë Terminalë”, organizuar nga Caritasi Shqiptar.
Falënderimi i parë për çdo gjë
që u zhvillua, i takon Zotit. Për këtë arsye, në mëngjeset e katër
ditëve të Seminarit, u kremtua Mesha e Shenjtë me pjesëmarrësit e këtij
takimi nga Imzot Lucjan Avgustini, i cili në homelitë e tij theksoi se
personat e sëmurë të cilët janë në prag të vdekjes, kanë nevojë për
një dashuri dhe kujdes të veçantë që duhet ta përjetojnë nga ata që iu
shërbejnë. Ata dëshirojnë me afsh praninë dhe kujdesin e njeriut që
është i pazëvendësueshëm. Ndërsa për sa i përket gjendjes së personit
lidhur me shëndetin Imzot Lucjani theksoi se i krishteri e di se e
vërteta është në dashuri. Dashuria e vërtetë kërkon edhe sinqeritetin e
plotë, për këtë çdo i krishterë duhet ta ketë mëshirën aktive ndaj të
afërmit sipas modelit të Samaritanit të mirë.
Pjesëmarrja e personelit
shëndetësor (duke përfshirë: mjekë, infermierë/e nga Spitali Rajonal i
Shkodrës dhe të qendrave përreth, si edhe disa Bija të Dashurisë së
Krishterë të cilat angazhohen në shërbimin paleativ), ishte mjaft e
kënaqshme.
Organizimi i Seminarit ishte
mjaft i mirë, sepse çdo ditë ligjëruan persona të specializuar në fusha
të ndryshme si në Mjekësi, Psikologji, Sociologji. Seminarit iu bë një
nderim i veçantë me ligjëruesin Albert Nikolla, i cili në mënyrë shumë
të efektshme ofroi një këndvështrim moral mbi shërbimin e të sëmurëve në
prag të vdekjes. Gjatë kësaj ligjërate mësuam gjithashtu për normat dhe
vlerat morale, formimin e ndërgjegjes morale, pasi ajo është qendra e
personit njerëzor, është vendi (në mënyrë metaforike) ku njeriu bëhet i
vetëdijshëm për veten e tij dhe për kuptimin e veprimeve të tija.
Principi i brendshëm dhe i pashmangshëm i sjelljes së tij, është njësia
matëse e dinjitetit të tij. Deklaratat e tilla na ndihmuan të kuptojmë
se njeriu nuk është thjesht një grumbull qelizash që shihen vetëm nga
ana biologjike, por ai është një bashkim kompleks i trupit dhe i
shpirtit.
Për sa i përket punës së
infermieres gjatë shërbimit pranë të sëmurit me kancer, u theksua se
duhet të pajtohemi edhe me rezultate të vogla të lehtësimit të
dhimbjeve, në qoftë se do t’i arrijmë, sepse në raste të tilla (të
sëmundjeve të kancerit) nuk bëhet fjalë për shërim, por vetëm për një
mjekim sa më efikas, që i sëmuri të ndërrojë jetë i qetë dhe në mënyrë
dinjitoze. Një rëndësi e madhe iu përkushtua komunikimit mes të sëmurit,
familjes së tij dhe kuadrit shëndetësor.
Të mbushur me njohuri të reja
dhe të vetëdijshëm për rolin tonë në fushën e shëndetësisë, u
përshëndetëm me shpresë se do të takohemi përsëri në muajt e ardhshëm në
vazhdimin e Seminarit deri tek marrja e dëshmive mbi shërbimin Paleativ.
Motër
AntonetaDemaj, b.d.k
titujt kryesore |
|