ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Historik i shkurtër i Urdhërit Françeskan Shekullar me rastin e themelimit

Shkodër,  28 dhjetor 1866 - 2006

 

 

Ishte atëherë në Shkodër i çmuari Atë Tomë Markoci. Sikurse në vendet e qytetëruara, edhe populli katolik shkodran e ndiente nevojën e themelimit e të përhapjes së Urdhrit të Tretë Françeskan në Shqipëri. Françeskani i vlefshëm e çoi ne vend këtë prirje të lartë dhe me datë 28 dhjetor 1866 mblodhi në Shkodër më të parën vëllazëri shqiptare. Mbas kohëve të kaluara të salvimit dhe robërisë, i vuri themelet në vendin tonë të Urdhrit të Tretë françeskan.

Në vitin 1896 Atë Tomë Markoci përpunoi dhe botoi për herë të parë  Rregullën e Urdhrit Françeskan Shekullar, dhe po kjo Rregull me lejen e Atë Gjergj Fishtës Provincial dhe me aprovim të Imzot Gaspër Thaçit u ribotua me dt. 12 dhjetor 1937 nën kujdesin e Atë Benedikt Demës. Sipas dëshmive të shumë personave, të ruajtura dhe të transmetuara gojarisht, kanë thënë se Atë Dioniz Maka kujtonte që themelimi i vëllazërisë së Urdhrit të tretë u bë në Kishën Françeskane, sot e Motrave Stigmatine. Ndërsa nga të dhënat e tjera gojore, që këtu nuk po ua përmendim emrat, figuronin të regjistruar në Urdhrin Françeskan Shekullar deri në 1944, 1200 vëllezër e motra në të gjitha Kishat Françeskane të Shqipërisë. Ndërsa Urdhri françeskan ishte në Shkodër që në vitin 1288 me Kuvendin e Shën Marisë.

Duke u bazuar në regjistrin e U.F.SH. të vitit 1866 që ruhet edhe sot, dhe në Rregulloren e vitit 1937, përveç laikëve, bënin pjesë në Urdhrin Françeskan Shekullar edhe shumë klerikë. Fryti i përshpirtërisë Françeskane ka bërë që 6 vëllezër të bëhen Meshtarë dhe 32 motra të bëhen Murgesha.

Gjatë Komunizmit Kisha u persekutua dhe bashkë me Kishën u ndalua çdo aktivitet fetar duke përfunduar në kthimin në burg të Kuvendit të Gjuhadolit.

Zoti nuk e harroi këtë popull të vuajtur. Me shembjen e komunizmit u hap Kisha në Shqipëri, dhe me 17. 09. 1993, me iniciativë të Atë Dioniz Maka, u rihap Urdhri Françeskan Shekullar në Shkodër. Me këtë rast gëzimi qe i papërshkruar. Për këtë fillim të U.F.SH. ndihmoi edhe zëvendës Ministri i U.F.SH. të Asizit Atë Gian Maria Polidoro. Ndërsa për formimin e vëllazërisë së U.F.SH. Provinca Françeskane Shqiptare vendosi Asistentët shpirtërorë Fra Marjan Lumçi, Fra Bec Pecaj dhe Fra Landi Jaku, që sot janë meshtarë e që vëllazëria i kujton me respekt të veçantë.

Me 25 korrik 1998, në Kishën Françeskane në Shkodër bënë Kushtet e Përjetshme nga vëllezërit dhe motrat e para në U.F.SH. mbas rihapjes së kësaj vëllazërie, në praninë e Provincialit Fra Flavio Cavallini, Atë Dioniz Makës, dhe përfaqësuesit të U.F.SH. të Italisë Atë Lorenco Giuseppe dhe Angela Lederi. Në këtë Meshë të madhe dhe në këtë gëzim të veçantë morën pjesë shumë besimtarë. Ndërsa më 5 shtator 1997 në Shkodër u bë bekimi i Flamurit të U.F.SH.

Urdhri Françeskan Shekullar nuk është vetëm në Shkodër por është i përhapur edhe në Laç, Bajzë, Tiranë, Lezhë.

Bashkësitë e Bajzës, Lezhës, dhe e Tiranës janë në formim. Ndërsa më 19 mars 2006, në bashkësinë e Laçit disa vëllezër dhe motra bënë Kushtet e Përjetshme duke u themeluar si vëllazëri. Më 6 maj 2006, në pranin e Asistentit të U.F.SH. Fra Gjon Kalaj dhe në praninë e shumë vëllezërve dhe motrave u zgjodh Ministër i U.F.SH. vëllai Ndrekë Ndreka. Po ashtu në kujdesin e Fra Gazemend Tinaj dhe të Definitorit me dt. 9  nëntor  2006 u zgjodh Asistent i U.F.SH  Fra Ndue Gashi dhe zëvendës Fra Vitor Demaj.

Po e mbyll këtë historik të shkurtën duke i uruar të gjithë vëllezërit dhe motrat që si të devotshmit e Shën Françeskut dhe si bij të Kishës të përhapin në familje dhe në shoqëri dashurinë e madhe të Krishtit që shëlbon.

 

Tonin Bushati

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster