|
|
IMZOT LUCIAN AVGUSTINI SHUGUROHET
IPESHKËV I DIOQEZËS SË SAPËS
Pas emërimit të ish-Ipeshkvit
të Sapës, Imzot Dodë Gjergji, si Administrator Apostolik i Prizrenit,
Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI, emëroi më 12 dhjetor 2006 Ipeshkëv të
Sapës Imzot Lucian Avgustini, ish Vikar i Përgjithshëm dhe Famullitar i
Katedrales në Shkodër.
Për nder të emërimit të tij në
dinjitetin ipeshkvnor, me datën 5 janar 2007, në Katedralen e Dioqezës
së Sapës, kushtuar së Lumes Nënë Tereza në Vau-Dejës, u zhvillua
ceremonia e Shugurimit Ipeshkvnor. Të bashkuar me gëzimin e kësaj dite,
mijëra besimtarë rendën drejt Katedrales për të marrë pjesë në këtë
ceremoni.
Nderonin me pjesëmarrjen e
tyre, krerët më të lartë të Kishës në Shqipëri, Imzot Angelo Massafra,
Imzot Rrok Mirdita, Ipeshkvi i ri i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkvi
i Tivarit Imzot Zef Gashi, ipeshkvij të tjerë, meshtarë e motra të
Sapës, autoritete fetare e civile të Shkodrës, Shqipërisë, Kosovës,
Malit të Zi etj.
LITURGJIA E SHUGURIMIT
Ceremonia e Shugurimit filloi
me këngën e hyrjes “Bekuar qofsh Betlehem”. I shoqëruar nga Vikari i
Përgjithshëm Dom Karlo Fantini dhe Kancelari Dom Simon Kulli, i
zgjedhuri është paraqitur para Shuguruesit Sh.Tij Imzot Angelo Massafra.
Në fillim të ceremonialit ka përshëndetur ish-Ipeshkvi i Sapës, tashmë
Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji. Pasi shprehu gëzimin dhe
kënaqësinë në emër të Administraturës Apostolike që i është besuar,
uroi Imzot Lucianin që, në trashëgiminë e Selisë së Sapës, shpirti i
Zotit të jetë frymëzuesi themeltar për të gjitha ditët e shërbimit të
tij në këtë Dioqezë.
Pas riteve të fillimit të
Meshës dhe leximeve, ka vazhduar me homelinë e rastit Shuguruesi Imzot
Angelo Massafra. Gjatë homelisë së tij, ai vuri në dukje rëndësinë e të
qenurit Ipeshkëv. “Për këtë popull të veçantë mesianik që është Kisha
tha ai, ti, Imzot Lucian, sot bëhesh Bari nëpërmjet Shugurimit
Ipeshkvnor. Krishti të bën mbarështues të vetin dhe të thërret të jesh
misionar i Ungjillit të tij. Kush është Ipeshkëvi? Cilat janë detyrat?”
Nisur nga disa reflektime të marra nga teologu Bruno Forte dhe nga Papa
Gjon Pali II, Imzot Massafra tha se, “Ipeshkëvi është krijesë e fjalës
së Hyjit, është kumtues i fjalës së jetës, njeri i dëgjimit të bindur
dhe besnik të Fjalës që vjen prej heshtjes. Ipeshkvi është mësues i fesë
dhe Atë i Dashurisë, njëkohësisht është dhe dëshmitar i shpresës. Të
qenurit Ipeshkëv, ka në vetvete diçka prej kryqit, prandaj Kisha e vë
Kryqin në kraharorin e Ipeshkvit. Mos i druaj errësirat e botës, Imzot
Lucian, sepse, Ai që të dërgoi është Jezusi, “drita e botës”, ka
përfunduar Imzot Massafra.
Menjëherë pas homelisë së
Presidentit të Asamblesë, sipas traditës antike të etërve të shenjtë, i
zgjedhuri, pas zotimeve të tij, është pyetur në prani të popullit mbi
ruajtjen e fesë dhe mbi ushtrimin e ministerit të vet. “Po” kanë qenë
përgjigjet e tij, duke u zotuar që të predikojë me besnikëri e ngulm
Ungjillin e Krishtit, dhe duke ruajtur të pastër e të plotë fenë sipas
traditës së ruajtur gjithmonë e kudo në Kishë që nga kohët e apostujve.
Shoqëruar nga këndimi i litanive, për disa minuta Imzot Avgustini ka
qëndruar i shtrirë duke lënë të nënkuptohej se ishte i gatshëm deri në
vdekje për të zbatuar shërbimin që i është besuar. Me lutjen drejtuar
Hyjit, Shuguruesi ka lutur që Hyji i Gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm,
t’i mundësojë këtij të zgjedhuri të ri pasurinë e hirit të tij për të
mirën e kishës. Imzot Luciani është gjunjëzuar para shuguruesit
Massafra, i cili i ka vënë duart mbi kokë duke i dhënë bekimin e Zotit.
E të njëjtin rit kanë kryer edhe ipeshkvijtë e tjerë. Ndërsa vendosja e
librit të Ungjijve të hapur mbi kokën e të zgjedhurit deri në fund të
lutjes së Shugurimit, dëshmoi si shenjë e detyrës që bie mbi të në
shpalljen e Ungjillit nëpër botë. Gjithashtu, Ipeshkvi i ri, i
gjunjëzuar para shuguruesit, mori lyerjen me vajin e krizmës nëpërmjet
formulës: “Hyji që të ka bërë pjesëmarrës të meshtarisë më të lartë të
Krishtit, përhaptë mbi ty lyerjen e tij mistike dhe me begatinë e
bekimit të Tij i dhëntë frytshmëri ministerit tënd.
Rituali ka vazhduar me shenjat
e tjera si unazën, mitrën dhe shkopin baritor. Dhe me marrjen e këtyre
shenjave, Ipeshkvi i ri Imzot Luciani u ftua të ulet në katedrën e re si
shenjë e pranimit dhe marrjes së detyrës: Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës.
Një përshëndetje të veçantë
bëri edhe Imzot Rrok Mirdita, i cili vlerësoi punën e bërë të Imzot
Lucianit, për 12 vjet në Arqipeshkvinë Shkodër-Pult. “E pikërisht, këtu,
në trashëgiminë historike të Sapës, Hyji ju ka thirrur për të shpallur
lajmin e Tij të mirë”, tha Imzot Mirdita. Ai gjithashtu, i siguroi se si
ipeshkëv i ri gjen një mirëseardhje të ngrohtë në Konferencën Ipeshkvore
dhe një mbështetje të sinqertë vëllazërore.
Në fund të kësaj shërbese
eukaristike, Imzot Lucian Avgustini, falënderoi Zotin për nderin që i
bëri, “dhe më jep fuqinë e urtinë tha ai, në mënyrë që të mund të punoj
në këtë tokë martire, në këtë Dioqezë që ma besove po me të njëjtën
dashuri dhe flijim sipas shembullit të paraardhësve të mi si: Budit,
Bardhit, Mjedës, Serreqit, Kolecit, Thaqit, Prennushit, Volaj dhe së
fundmi Imzot Dodë Gjergjit, të cilin posaçërisht e falënderoj për punën
e bërë deri më sot; për çdo djersë të ballit të derdhur; për çdo mësim,
këshillë dhe fjalë që ia ka dhuruar kësaj Dioqeze në rimëkëmbjen e saj.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|