|
|
PAPA NË TURQI
(28
nëntor-1 dhjetor 2006)
Rrallëherë një udhëtim
papnor është ndjekur, vëzhguar dhe komentuar aq shumë sa ai i Papa
Benediktit XVI në Turqi. Udhëtim i kumtuar si me “rrezikshmëri të
lartë”, dhe i zhvilluar, kundër çdo parashikimi, në një klimë gati
euforike.
Nëse kishte një rrezik
real për Papën ishte ai që ta shihte udhëtimin e tij të lëkundej nga një
udhëtëim baritor në një udhëtim politik apo errësimi i ekumenizmit në
favor vetëm të dialogut ndërfetar. Parësia ekumenike, megjithatë, është
ruajtur, me gjithë peshën që Papa Benedikti XVI ka dashur t’i japë.
Vizita bërë patriarkut
Bartolomeo I, që nuk ka qenë aspak e njëanshme apo thjesht një vizitë
për mirësjellje, ka pasur një domethënie të veçantë për të dy, meqë ka
shprehur vëllazërinë e Pjetrit dhe të Andreut dhe ka prekur vetë zemrën
e problemit ekumenik: shërbesën e gjithëmbarshme të Pjetrit. Më pëlqen
shumë reflektimi i Atë Congar: “Mes Lindjes dhe Perëndimit krejt
thelbësorja është identike dhe e ndryshme. Është identikja që është e
ndryshme: ndryshimet duhet të njihen dhe të respektohen, janë ndryshime
në identitetin e thellë”. Mes katolikëve dhe ortodoksëve nuk bëhet fjalë
vetëm për një rregullim ekleziologjik, por para së gjithash për një
histori dashurie për ta rimarrë më shumë se kurrë, që bazohet mbi një
dashuri të përbashkët të Zotit, burimi i vetëm i vërtetë në ecjen e
njësisë së dukshme të Kishës.
Benedikti XVI
vizitonte për të parën herë një Vend me shumicë myslimane. Mund të duket
e çuditshme që profesor Ratzinger nuk ka vënë kurrë këmbë, si shtegtar,
në Bizantin e lashtë, tokën e Shën Palit dhe të Shën Pjetrit, tokën e
tetë koncileve dhe të Etërve të Mëdhenj të Kishës. Mund të imagjinojmë
se sa përgatitja dhe itinerari i ngjeshur i këtij udhëtimi ka mundur të
mallëngjejë zemrën dhe shpirtin e teologut, i cili është pasardhës i
Pjetrit apostull. Por të gjithë e prisnin përballë Islamit. Ka ndodhur
ajo që ndodh vetëm me bashkëfajësinë e Hyjit. Merrni programin zyrtar të
udhëtimit... vizita në Xhaminë Blu, e caktuar vetëm disa ditë para
nisjes, nuk ishte parashikuar. Takimi zyrtar i dy ditëve më parë në
Ankara me Presidentin e Punëve fetare dukej i largët. Pas vizitës në
“muzeun” e Shenjtes Sofi, Papa, i zbathur, hynte në xhaminë më të bukur
dhe më të populluar të mbarë Turqisë. Dëgjonte me vëmendje shpjegimet e
myftiut të madh të Stambollit, Mustafa Cagrici, dhe të dy qëndronin me
thjeshtësi përpara mihrab-it.
Telekamerat e mbarë
botës i paraqesin si të shndërruar, kaq afër njëri-tjetrit, sepse të dy
ishin afër Zotit. Isha dy metra pas Papës, dhe menjëherë mendja më shkoi
tek Gjon Pali II, në marsin e vitit 2000, ndërsa vendoste një citim
biblik në zgavrën e Murit të Lotëve: ka mjaftuar ai gjest i thjeshtë për
të afruar një papë me mbarë popullin hebre. Edhe më i thjeshtë, por po
aq i fortë, shikimi i brendshëm i Benediktit XVI, që duket se i arrin të
gjithë besimtarët myslimanë të Hyjit. Do të duhej të citoheshin
refleksionet spontane të myftiut të madh në dalje të xhamisë. Po
rilexojmë atë që tha Benedikti XVI gjatë audiencës së datës 6 dhjetor:
“Duke qëndruar për disa çaste në heshtje në atë vend lutjeje, i jam
drejtuar Zotit të vetëm të qiellit dhe të tokës, Atit të mëshirshëm të
mbarë njerëzimit. Që të gjithë besimtarët ta njohin veten si krijesa të
Tij dhe të japin dëshmi vëllazërie të vërtetë!”.
Nuk duhet të harrojmë
qendrën e vërtetë: dy takimet me bashkësitë katolike. I pari, në
“Shtëpinë e Marisë” në lartësitë e Efesit, ka qenë takimi tipik i një
situate pafundësisht minoritare, por plot me dritë: një grup i vogël
besimtarësh dhe një papë, që ishte bërë një famullitar fshati, më shumë
se kurrë afër grigjës së tij të vogël, në të cilën ishin përzier edhe
disa myslimanë, që kishin ardhur të nderonin Meryem Ana. Ishte
pikërisht “mesha e popullit”, me një apel të ngutshëm për paqen, sidomos
në Tokën e Shenjtë.
Dhe Mesha e fundit në
Stamboll, pak para se të kthehej në Romë, në Katedralen e Shpirtit
Shenjt, afër rezidencës ku për nëntë vjet kishte jetuar delegati
apostolik Angelo Roncalli, reflektonte mirë katolicitetin e Kishës: një
liturgji latine që ka ditur të integrojë në mënyrë të harmonishme shtatë
gjuhë, mes të cilave arabishtja, ritet armene, kaldeje dhe siriane dhe
një koral me refugjatët irakenë. Në atë asamble nuk mungonte asnjë
konfesion i krishterë, nga patriarku Bartolomeo I tek patriarku armen
Mesrob.
Shumë i rëndësishëm
është takimi i Papës me rabinin e madh të Turqisë, Isak Heleva, kreu i
bashkësisë hebreje, që për fat të keq ka kaluar gati pa u vënë re fare.
Në mozaikun e madh të
popujve, të kulturave dhe të feve, shtypi, që ka ndjekur me vëmendje të
madhe udhëtimin e Papës, me implikimet e tij socio-politike, nuk ka
kujtuar asnjëherë situatën e 20 milionë kurdëve, që jetojnë në pesë
Vende, një pjesë e mirë e të cilëve në Turqi: endje e mjerueshme e një
populli të harruar.
Shpesh më kanë kërkuar
se si shpjegohet arritja e një udhëtimi, që shumë vetë e quanin një
dështim i plotë. Sigurisht, secili ka thënë të tijën, duke filluar nga
vetë Benedikti XVI. Kam admiruar kthjelltësinë e tij konstante, por
sidomos ndjenjën e masës, që e ka udhëhequr gjatë gjithë këtij udhëtimi.
Ka dhënë provën e një virtyti (në kuptimin më të fortë të kësaj fjale),
që karakterizon Kishën romake, discretio, thjeshtësi në fjalë dhe
në gjeste; ka qenë shumë e rëndësishme për të shuar dhe për të bërë të
bien paragjykimet. Pa pretenduar, ka ndihmuar një Vend të madh dhe të
fisshëm që të tregohet, t’i zbulohet vetvetes, të kuptojë më mirë
kontradiktat e veta, por edhe aspiratat e veta të ligjshme.
Na takon të gjithëve
ne, që të vazhdojmë “ta ndjekim” Papën në vizitën e tij baritore në
Turqi, të cilën nuk do të reshtë së rimarruri dhe së thelluari, sepse,
siç ka thënë edhe ai vetë, atje ka lënë një pjesë të zemrës së vet.
Kardinal
Roger Etchegaray
Nga revista “30 Giorni”
titujt kryesore |
|