ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VIZITA BARITORE BAJZË – KASTRAT

9 – 12 dhjetor 2006

 

 

Nga data 9 - 14 dhjetor, Arqipeshkvi ynë, Imzot Angelo Massafra, bëri vizitën e tij baritore në famullinë e Bajzës dhe të Kastratit. Në fillim të vizitës, Arqipeshkvi i paraqiti popullit arsyen e pranisë së tij mes tyre: “Kam ardhur – tha ai – për të parë punën që zhvillojnë meshtarët dhe motrat, situatën shpirtërore dhe jetësore të famullisë, për të biseduar me ju dhe për të vlerësuar fenë tuaj”.

Ditën e shtunë më 9, filloi vizita u bw në Pjetroshan, një ndër fshatrat e famullisë së Bajzës, ku Arqipeshkvi takoi fëmijët e katekizmit dhe më pas kremtoi Meshën e Shenjtë për të gjithë besimtarët, së bashku me famullitarin e Bajzës, Atë Sokol Pepushaj. Pas Meshe, Arqipeshkvi u ndal për të bërë një bisedë të lirë me të gjithë besimtarët e fshatit, duke u dhënë të gjithëve mundësinë që të shpreheshin në lidhje me jetën në famulli, me problemet apo edhe më kërkesat që dëshironin t’i drejtonin atij.

Të dielën me datën 10, vizita e Arqipeshkvit vazhdoi në Bajzë. Në orën 8.00 të mëngjesit kremtoi Meshën për fëmijë, siç kremtohet edhe çdo të diel. Në orën 11.00 kremtoi Meshën për mbarë popullin, dhe pas Meshe u bë gjithashtu takimi me popullin e pranishëm. Pasdite shkoi në Gradec, një tjetër fshat i famullisë së Bajzës, ku populli e priste për t’u lutur së bashku pranë varrezave dhe për t’i bekuar ato. Edhe aty personat patën mundësi të bënin një bisedë të lirë me Arqipeshkvin në lidhje me jetën e krishterë dhe me çështje të tjera.

Të hënën në orën 8.00 të mëngjesit Arqipeshkvi u takua me fëmijët e Kopshtit “Nëna e Këshillit të Mirë” ku u mikprit ngrohtësisht nga fëmijët, me këngët, poezitë dhe lojërat e tyre.

Në orën 9.00 u takua me Kryetarin e Komunës së Kastratit z. Tomë Curri (pjesë e kësaj komune janë Bajza, Hoti dhe Kastrati), me Këshillin komunal dhe me intelektualët e zonës. Në këtë takim u prit me kënaqësi nga të gjithë të pranishmit. Pasi Kryetari i komunës i dha mirëseardhjen, i paraqiti situatën e kësaj komune e cila përbëhet nga 13 fshatra, 4 prej të cilave janë malore. Ndër problemet më të mëdha që paraqiti është kontrabanda e cila favorizohet për shkak të kufirit me Malin e Zi, gjë që ka penguar zhvillimin e vendit. Kjo zonë (komunë) konsiderohet nga Qeveria si zona më e pasur e Republikës, por në realitet nuk është kështu, sepse kontrabandën në zonë e kanë çuar përpara më tepër jabanxhinjtë, kurse banorët e zonës, me përjashtim të ndonjë rasti, kanë mbetur të varfër, dhe ka rreth 500 familje të cilat vuajnë për bukën e gojës. Për arsye të informacioneve të embargos, nuk ka as organizata që të ndihmojnë me ndonjë nismë për zhvillimin e vendit.

Probleme të tjera të kësaj komune janë papunësia, bujqësia, e cila për mungesë uji nuk sjell rezultate, mungesa e ujit të pijshëm dhe gjakmarrja. Në lidhje me këtë problem të fundit, Kryetari i komunës shprehu mirënjohje për punën që kryen Kisha Katolike dhe kërkoi që të formohet njëfarë bashkëpunimi edhe me komunën.

Paraqiti gjithashtu edhe problemin e arsimit. Falënderoi për punën që zhvillojnë motrat në Kopshtin “Nëna e Këshillit të Mirë” dhe shprehu keqardhjen qw shumë të rinj dhe të reja janë të detyruar të enden rrugëve të botës për shkak të arsimit jo serioz dhe të problemeve të lartpërmendura.

Arqipeshkvi e falënderoi për mikpritjen. Paraqiti edhe apelin që i ka drejtuar Qeverisë në përfundim të vizitës baritore në Dukagjin dhe Kelmend. I ftoi të pranishmit që në lidhje me problemin e gjakmarrjes të sensibilizohen edhe shkollat, të cilat, ngulmoi në mendimin se duhen angazhuar më seriozisht.

Sugjeroi që secili të bëjë aq sa Zoti kërkon prej tij, kështu që të ndërtojmë atë zemër që komunizmi na ka shkatërruar, për ta dashur komunitetin dhe për të punuar me më shumë dashuri dhe tejdukshmëri, në mënyrë që të marrim përsipër fatin e vendit tonë. Feja mund të na ndihmojë për të vepruar si dëshmitarë aty ku jemi.

Në fund të takimit, Arqipeshkvi i dhuroi secilit nga të pranishmit një kopje të enciklikës së Papës Benediktit XVI “Hyji është dashuri”.

Pas takimit në komunë, në orën 10.00 Arqipeshkvi u takua me mësuesit dhe me nxënësit e shkollës 9 vjeçare në Bajzë dhe në orën 11.00 me mësuesit dhe nxënësit e shkollës së mesme po në Bajzë.

Pasdite shkoi në Fermë dhe më pas në Gashaj për t’u takuar me fëmijët e katekizmit dhe banorët e këtyre dy fshatrave. Në orën 15.30 u kremtua Mesha në Bajzë për grupet e ndryshme të famullisë, me të cilët Arqipeshkvi u ndal pas Meshe, për tw biseduar me ta dhe për t’u dhënë porositë e tij.

Të martën në mëngjes u takua me mësuesit dhe nxënësit e shkollës 9 vjeçare në Pjetroshan, dhe pas këtij takimi shkoi në Kosan për t’u takuar me banorët e fshatit dhe për të bekuar varrezat. Në orën 11.00 u takua me mësuesit dhe me nxënësit e shkollës 9 vjeçare në Vukpalaj. Pasdite kremtoi Meshën në Bajzë dhe u ndau sakramentin e krezmimit një grupi të rinjsh dhe të rriturish.

Të mërkurën me dt. 13 u bë Vizita Baritore në famullinë e Kastratit. Në orën 9.00 u kremtua Mesha në Goraj – Budishë me një pjesëmarrje të mirë të besimtarëve. Në orën 12.00 u kremtua Mesha në Kastrat dhe besimtarët e pritën Arqipeshkvin me gëzim.

Të enjten pasdite Vizita Baritore vazhdoi përsëri në Vukpalaj me kremtimin e Meshës së Shenjtë dhe pas Meshe Arqipeshkvi u ndal edhe aty të bisedonte me popullin. Më pas u bë edhe takimi me popullin në Rranxë të Vreshtit si dhe bekimi i varrezave.

Duke u takuar me Bariun e tyre, besimtarët e famullive të Bajzës dhe të Kastratit i shprehën atij hallet, problemet, vështirësitë, kërkesat dhe besimin që kanë te Zoti, që nga fëmijët, deri te të rriturit, në Komunë, shkolla, fshatra të ndryshme dhe në kishë, duke pasur mundësi qw ta merrte fjalën secili që dëshironte. I paraqitën problemet e mungesës së një arsimi serioz, problemin e emigrimit, të papunësisë, të shthurjes së familjes që po ndodh sot, të veshjes së pahijshme në  kishë etj.

Arqipeshkvi i ka kushtuar kohë secilit person që ka dëshiruar të marrë fjalën, qoftë në grup qoftë edhe në takime personale si dhe në sakramentin e rrëfimit.

Sipas mundësive, Imzot Angelo Massafra ka përfituar për të bërë vizita edhe në ndonjë familje, sidomos në ato familje ku ndonjë pjesëtar është i sëmurë rëndë.

Besimtarëve që kanë marrë pjesë në takimet e parashikuara, Arqipeshkvi ka përfituar t’u japë katër porosi: të thellohet sakramenti i pagëzimit; të jetohen urdhërimet e Hyji, të cilat për lumturinë tonë janë të domosdoshme ashtu sikur shinat për trenin; ta duam njëri-tjetrin si na ka dashur Jezusi neve si dhe të kujdesemi për familjet tona.

Në takimet që u bënë, Arqipeshkvi ngulmoi shumë në lidhje me problemin e vajzave të cilat familja i fejon tepër të reja dhe me djem me moshë shumë më të madhe sesa ato. Kjo gjë pengon që vajzat të zhvillohen në mënyrë normale, vë në lojë jetën e personave, të familjes e shpeshherë edhe të shoqërisë. Kundërshtoi edhe problemin e martesës me anë të fotografive, gjë që nuk favorizon një njohje të mjaftueshme mes të fejuarve dhe pengon edhe në një vendosje të lirë e të vetëdijshme për jetën. Ngulmoi edhe te fakti që varfëria të mos kthehet në tundim për të trafikuar drogën. I këshilloi prindërit të kenë njëfarë kontrolli të emisioneve televizive që ndjekin fëmijët e tyre, pasi jo e gjithë ajo që paraqet televizori është e mirë dhe ndërtimtare. Nuk është mirë t’i delegohet vetëm televizorit edukimi i fëmijëve, por prindi të mbajë rolin e vet. I këshilloi besimtarët që të mos lejojnë të zhduket krejtësisht ndjenja e nderit si dhe të krijohet edhe mundësia e lutjes në familje.

Në takimet që bëri me nxënësit e shkollave, i nxiti që të angazhohen më tepër në mësime dhe mësuesit i ftoi që të jenë më kërkues ndaj nxënësve, pasi prej tyre ndërtohet e ardhmja.

Kjo vizitë baritore ka qenë me të vërtetë një përvojë e hirit dhe këtë gjë e pohon vetë mbresa e besimtarëve të cilët kanë shprehur kënaqësinë, gëzimin dhe falënderimet e veta për praninë e Arqipeshkvit në mesin e tyre.

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster