|
|
Në Vigjiljen e
festës së ditës së Karitasit, 11 dhjetor 2010, që me vendim të
Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, çdo vit kremtohet të
Dielën e tretë të Ardhjes, Dioqeza e Sapës kremtoi 10-vjetorin e
themelimit të Caritas-it Dioqezan të saj, me pjesëmarrjen e një
numri të konsiderueshëm të besimtarëve, Meshtarëve, Motrave,
Vullnetarëve dhe miqve të Karitasit. Kjo ditë filloi me
kremtimin e Meshës së Shenjtë në Katedralen Nënë Tereza në
Vau-Dejës, udhëhequr nga Ipeshkvi i vendit Imzot Lucjan
Avgustini. Të ftuarit specialë të kësaj dite ishin personat me
aftësi të kufizuar, të quajtur ndryshe miqtë e Nënë Terezës.
Duke u kujdesur për ata që kanë nevojë, për të varfrit, të
sëmurët dhe të nëpërkëmburit, Kisha e kryen misionin e saj të
shpalljes së Ungjillit, por edhe i vërteton njeriut në emër të
Krishtit, dinjitetin e tij. Ky mision i Kishës buron prej Fesë
për Shëlbimin e të gjithëve, prej Shpresës në një drejtësi të
plotë, prej Dashurisë që i bën të gjithë njerëzit vërtetë
vëllezër e motra në Krishtin. Zoti është bërë një me të uriturin,
me të sëmurët, me të zhveshurit dhe me të pastrehët. Këto ishin
fjalët e Imzot Lucjanit mbajtur në predikimin e rastit.
Organizuar nga
stafi i Karitasit dhe drejtori i këtij institucioni Dom Simon
Kulli, pas Meshës u mbajt edhe konferenca me titull “10 vite
Karitas”. Në punimet e kësaj konference ishin të ftuar të
referonin Ipeshkvi i Sapës, Meshtarët dhe Kryetari i Bashkisë së
Qytetit Vau-Dejës. Të bashkuar në këtë takim vëllazëror për të
reflektuar mbi Karitasin, ndryshe të quajtur Dashuri dhe
bamirësi, por dhe zëri i Ungjillit në zemrat e secilit,
Konferenca u hap me fjalën e Drejtorit të Karitasit Dom Simoni,
i cili bëri një përshkrim të të gjithë veprimtarisë së kësaj
organizme kishtare gjatë 10 viteve të jetës së saj. Ai tha se
“që nga themelimi dhe organizimi i Karitasit në dioqezën tonë
është munduar me të gjitha forcat që të realizohen objektivat
dhe projektet e miratuara në çdo fushë të jetës shoqërore,
sociale dhe kulturore”.
Mbi “Rëndësinë
e Karitasit në Kishë” - konkretisht në Dioqezën e Sapës, Imzot
Avgustini theksoi disa mendime, ku së pari u ndal në shpjegimin
e fjalës Karitas, e cila buron prej fjalës latine që do të thotë
Dashuri ose vepër prej dashurisë. Karitasi Shqiptar apo Dioqezan
punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më të
varfër dhe më në nevojë në Shqipëri, në mënyrë që edhe ata të
mund të jetojnë një jetë më të denjë njerëzore. Si bari dioqezan,
duke përfunduar, Imzot Avgustini theksoi se ndoshta kontributet
tona janë si një pikë e vogël, por na mëson ajo, e cila është
munduar ta tregojë dashurinë në vepër, e Lumja Nënë Tereza, se
pa këtë pikë, oqeani i mjerimit kishte me qenë më i varfër.
Pas referimit
të të gjithë të ftuarve, menjëherë në sallën e pritjes u hap një
ekspozitë fotografike ku tregonin më së miri punën, misionin dhe
veprën e Karitasit ndër vite.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|