ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

FORUMI KATOLIKO-MYSLIMAN NË ROMË DEKLARATA E PËRBASHKËT 

 

 Forumi katoliko-mysliman është themeluar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe nga një Delegacion prej 138 firmatarësh muslimanë të Letrës së hapur të titulluar “Një fjalë e përbashkët”, në dritën e këtij dokumenti dhe të përgjigjes së Shenjtërisë së Tij Benediktit XVI nëpërmjet sekretarit të tij të Shtetit, kardinalit Tarcisio Bertone. Seminari i tij i parë është zhvilluar në Romë nga data 4 deri më 6 nëntor 2008. Kanë qenë të pranishëm njëzet e katër pjesëmarrës dhe pesë këshilltarë të secilit prej dy besimeve. Tema e Seminarit ka qenë “Dashuria e Hyjit, dashuria e të afërmit”.

Debati, i kryer në një shpirt të ngrohtë bashkëjetese, u përqendrua mbi dy tema të mëdha: “themelet teologjike dhe shpirtërore”, “dinjiteti njerëzor dhe respekti i ndërsjellë”. Dolën në pah pika ngjashmërie dhe ndryshimi që pasqyrojnë gjeninë specifike dalluese të dy besimeve.

 

1. Për të krishterët burimi dhe shembulli i dashurisë së Hyjit dhe të të afërmit është dashuria e Krishtit për Atin e vet, për njerëzimin dhe për çdo person. “Hyji është dashuri” (1 Gjoni 4,16) dhe “Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur” (Gjoni 3,16). Dashuria e Hyjit është vënë në zemrën e njeriut nëpërmjet Shpirtit Shenjt. Është Hyji ai që i pari na do duke na lejuar në këtë mënyrë që ta duam edhe ne. Dashuria nuk e dëmton të afërmin tonë, por mundohet t'i bëjë tjetrit atë që do të donim që të tjerët të na e bënin ne (krh. 1 Korintianëve 13,4-7).

Dashuria është themeli dhe tërësia e të gjitha urdhërimeve (krh. Galatasve 5,14). Dashuria e të afërmit nuk mund të ndahet prej dashurisë së Hyjit, sepse është një shprehje e dashurisë sonë ndaj Hyjit. Ky është urdhri i ri “duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju” (Gjoni 15,12). E rrënjosur në dashurinë flijore të Krishtit, dashuria e krishterë fal dhe nuk përjashton askënd. Pra përfshin edhe armiqtë tanë. Nuk do të duhej të kishte vetëm fjalë, por edhe vepra (krh. 1 Gjoni 4,18). Kjo është shenja e përnjëmendësisë së saj.

Për myslimanët, sikurse është paraqitur në letrën Një Fjalë e Përbashkët, dashuria është një forcë transhendente dhe e pashtershme, që e drejton dhe e shndërron vështrimin e ndërsjellë njerëzor. Kjo dashuri, sikurse tregohet prej Shenjtit dhe profetit të dashur Muhamet, i paraprin dashurisë njerëzore për të Vetmin Hyj të Vërtetë. Një hadith tregon se dashuria e mëshirshme e Hyjit për njerëzimin është edhe më e madhe se ajo e një nëne për birin e vet (Muslim, Bab al-Tavba: 21). Pra, ekziston përpara dhe pavarësisht prej përgjigjes njerëzore ndaj të Vetmit që është “I Dashuri”.

Kjo dashuri dhe kjo mëshirë janë aq të pafundme sa Hyji ka ndërhyrë për ta drejtuar e shpëtuar njerëzimin në mënyrë të përsosur, shumë herë dhe në shumë vende, duke dërguar profetë dhe shkrime. I fundit ndër këta libra, Kurani, paraqet një botë shenjash, një kozmos të mrekullueshëm mjeshtërie hyjnore, që ngjall dashurinë tonë dhe përkushtimin tonë absolut me qëllim që “ata që besojnë kanë për Allahun një dashuri shumë më të madhe” (2: 165) dhe “në të vërtetë i Mëshirshmi do t'ua japë dashurinë e vet atyre që besojnë dhe kryejnë të mirën” (19: 96). Në një hadith lexojmë se “Askush prej jush nuk ka fe deri në çastin kur nuk do për të afërmin e vet atë që do për vetveten” (Bukhari, Bab al-Iman: 13).

 

2. Jeta njerëzore është një dhuratë shumë e çmueshme e Hyjit për çdo person; pra duhet të ruhet e të nderohet në të gjitha fazat e veta.

 

3. Dinjiteti njerëzor buron prej faktit se çdo person është krijuar për dashuri nga një Hyj i dashur, i janë dhënë dhuratat e arsyes dhe të vullnetit të lirë dhe, prandaj, është bërë i aftë të dojë Hyjin dhe të tjerët. Mbi bazën e qëndrueshme të këtyre parimeve personi kërkon respektimin e dinjitetit të vet origjinal dhe të thirrjes së tij njerëzore. Pra, ka të drejtë për njohjen e plotë të identitetit të vet dhe të lirisë së vet nga ana e individëve, bashkësive dhe qeverive, me mbështetjen e legjislacionit civil që garanton të drejta të barabarta dhe shtetësi të plotë.

 

4. Pohojmë se krijimi i njerëzimit nga ana e Hyjit paraqet dy aspekte të mëdha: personin njerëzor mashkull dhe femër dhe të angazhohemi së bashku për të garantuar që dinjiteti dhe respekti njerëzor të shtrihen si tek burrat ashtu edhe te gratë mbi një bazë të barabartë.

 

5. Dashuria e përnjëmendtë e të afërmit kërkon respektimin e personit dhe të zgjedhjeve të tij në çështjet e ndërgjegjes e të besimit. Ajo përfshin të drejtën e individëve dhe bashkësive për të praktikuar besimin e tyre privatisht dhe publikisht.

 

6. Pakicat fetare kanë të drejtën të respektohen në bindjet e tyre dhe në praktikat e tyre fetare. Kanë edhe të drejtën për vendet e veta të kultit dhe figurat e simbolet e tyre bazë që i konsiderojnë të shenjta nuk do të duhej të pësonin asnjë formë përqeshjeje dhe përbuzjeje.

 

7. Si besimtarë katolikë e myslimanë jemi të vetëdijshëm për ftesat dhe kërkesën për të dëshmuar përmasën transhendente të jetës nëpërmjet një përshpirtërie të ushqyer prej lutjes, në një botë që është duke u bërë gjithnjë e më e shekullarizuar dhe materialiste.

 

8. Pohojmë se asnjë besim dhe as ndjekësit e tij nuk duhet të jenë të përjashtuar prej shoqërisë. Duhet që secili të mund të japë ndihmesën e vet të domosdoshme në të mirën e shoqërisë, veçanërisht në shërbim të më nevojtarëve.

 

9. Pranojmë se krijimi i Hyjit në shumësinë e vet të kulturave, qytetërimeve, gjuhëve dhe popujve është një burim pasurie dhe prandaj nuk do të duhej të bëhej kurrë shkak i tensioneve dhe i konfliktit.

 

10. Jemi të bindur për faktin se katolikët dhe myslimanët kanë detyrën t'u japin besimtarëve të vet një edukim të shëndoshë në vlerat morale, fetare, civile e njerëzore dhe të nxisin një informacion të vëmendshëm mbi besimin e tjetrit.

 

11. Dëshmojmë se katolikët dhe myslimanët janë të thirrur të jenë mjete të dashurisë dhe të harmonisë mes besimtarëve dhe për gjithë njerëzimin, duke hequr dorë prej çfarëdo shtypjeje, dhune agresive dhe aktesh terroriste, veçanërisht atyre të bërë në emër të besimit, dhe për të mbështetur parimin e drejtësisë për të gjithë.

 

12. I nxisim besimtarët të veprojnë për një sistem financiar etik në mekanizmat normativë të të cilit të marrin në konsideratë situatën e të varfërve dhe të të pafatëve, qofshin ata individë apo kombe borxhlie.

I nxisim të privilegjuarit e botës që ta marrin në konsideratë plagën e atyre që janë të goditur më rëndë prej krizës aktuale në prodhimin dhe në shpërndarjen ushqimore, dhe u kërkojmë besimtarëve të të gjitha emërtimeve dhe të gjithë personave vullnetmirë që të bashkëpunojnë për të zbutur vuajtjen e atyre që kanë uri dhe për të zhdukur shkaqet e kësaj të fundit.

 

13. Të rinjtë janë e ardhmja e bashkësive fetare dhe të shoqërive në përgjithësi. Do të jetojnë gjithnjë e më shumë në shoqëri shumëkulturore e shumëfetare. Është thelbësore që të jenë të formuar mirë në traditat e tyre fetare dhe të jenë të informuar mirë mbi kulturat dhe besimet e tjera.

 

14. Jemi marrë vesh që të marrim në konsideratë mundësinë për të krijuar një Komitet katoliko-mysliman të vazhdueshëm, që të koordinojë përgjigjet ndaj konflikteve dhe ndaj situatave të tjera të emergjncës, dhe të organizojë një Seminar të dytë në një Vend me shumicë myslimane që duhet ende të caktohet.

 

15. Prandaj presim Seminarin e dytë të Forumit katoliko-mysliman që do të zhvillohet afërsisht brenda dy vjetësh, në një Vend me shumicë myslimane që duhet ende të caktohet.

 

Të gjithë pjesëmarrësit i kanë qenë mirënjohës Hyjit për dhuratën e kësaj kohe të kaluar së bashku dhe për këtë shkëmbim të frytshëm

  

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster