|
JAVA E LUTJES PËR NJËSIMIN E TË
KRISHTERËVE
Shpesh
lind pyetja: Ekumenizmi, domethënë dialogu mes konfesioneve të
ndryshme të krishtera, a po ecën përpara apo është ndalur në
kundërshtimet e zakonshme? Ekumenizmi është apo nuk është një
përparësi në jetën e kishave të veçanta të krishtera?
Papa Benedikti XVI nuk humb asnjë
rast për të na kujtuar se ekumenizmi është përparësia e dëshmisë
së krishterë përpara botës. Takimet e shumta të Papës me
përgjegjës të Kishës, kryesisht Ortodokse, e forcojnë këtë
përparësi të Tij.
Por momenti në të cilin ky
ekumenizëm del më në dritë është java, tashmë tradicionale, e
lutjes për njësinë e të krishterëve: 18-25 janar. Gjatë këtyre
ditëve në mbarë botën bëhen lutje për këtë qëllim. Këtë vit
është ndjekur skema e sygjeruar dhe e përgatitur nga
përfaqësuesit e Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Koresë së
bashku me Këshillin Kombëtar të Kishave në Kore.
Tema e zgjedhur ishte marrë nga
Libri i Ezekielit: “Të bashkuar në dorën tënde” (Ez 37, 17), të
shqiptuar nga profeti kur, pasi ishte prishur njësia e
Mbretërisë në Izrael (i ndarë tashmë në dy pjesë: Mbretëria e
Veriut dhe Mbretëria e Judesë) dhe pasi vendi ishte pushtuar -
dhe pjesa më të madhe e popullit po dëbohej në mërgim - vetëm
dora e Zotit mund t'i garantonte se do të vinte momenti kur do
të bëheshin një popull i bashkuar dhe i fortë. Ne e dimë mirë se
Koreja vazhdon të përjetojë situatën e një vendi të ndarë në dy
pjesë, ku rreth 10 milionë familje jetojnë të ndara, pa pasur
mundësi komunikimi me njëra-tjetrën. Situata të tilla, ku shumë
familje të ndara që nuk mund të komunikojnë mes tyre, ekzistojnë
edhe në shumë zona të tjera të botës. Për këtë arsye propozimi
vlen për të gjithë të krishterët e botës.
Në Shkodër gjatë javës së lutjes
për njësinë e të krishterëve janë zhvilluar dy takime: njëri më
20 janar në kishën ortodokse “Lindja e Krishtit” dhe tjetri më
23 janar në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol. Liturgjia e
Fjalës në kishën “Lindja e Krishtit”, programuar në harmoni me
Zyrën Dioqezane për Ekumenizmin dhe nga popët e Kishës Ortodokse,
ka filluar me hyrjen në kishë të dy të rinjve që sillnin dy
drunj, që, përpara altarit, janë bashkuar për të formuar një
kryq, simbol dhe rrënjë e njësisë. Liturgjia ka kulmuar me
lutjen e Besojmës Niceno-Kostantinopolitane, siç thuhet
zakonisht prej Ortodokësve.
Tek kisha e Shën Françeskut në
Gjuhadol, gjithmonë në praninë e shumë katolikëve dhe të
ortodokësve, është kremtuar Mbrëmësorja solemne me leximin e
disa tekseve të Shën Palit, marrë si themel i përbashkët i fesë
sonë. Në momentin e dëshmisë së fesë gjithë të pranishmit kanë
lexuar fjalet nga letra drejtuar Kolosianeve me qirat e ndezura
në dorë, duke kujtuar kështu dritën e Pagëzimit që na bashkon.
Në të dy takimet kanë qenë shumë
domethënëse fjalët e Arqipeshkvit, Shkëlqesisë së Tij Imzot
Massafra, dhe të dy Popëve, Etërve Aleksandër dhe Nikoll Petani,
të cilët jo vetëm kanë ilustruar domethënien dhe rëndësinë e të
luturit për të marrë dhuratën e njësisë gjithnjë e më të thellë
mes nesh, por kanë nxitur me shumë forcë të pranishmit e shumtë
për të bërë një ecje afrimi dhe vëllazërimi gjithnjë e më të
madh.
Atë Armando Ceccarelli s.j.
titujt kryesore |