ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

SHUGURIMI DIAKONAL I ARTUR JAKUT

 

 

Më 13 dhjetor 2008, në kishën katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër, u kremtua edhe një herë një Meshë solemne gjatë së cilës një seminarist do t'ia kushtonte krejtësisht Zotit jetën e tij. Seminaristi Artur Jaku, pasi e përfundoi periudhën e tij të formimit në Seminari Ndërdioqezan në Shkodër, u shugurua diakon nga Sh. T. Imzot Angelo Massafra.

Mesha e shenjtë filloi në orën 10.00, të cilën, bashkë me Shkëlqesinë, e bashkëkremtuan edhe shumë meshtarë të tjerë.

Pjesëmarrja e shumë besimtarëve të ardhur nga qyteti i Shkodrës dha nga fshatrat përreth tregonte gëzimin e mbarë popullit të Hyjit kah shihte se Ai kurrë nuk e braktis popullin e vet, por vazhdimisht ngjall në zemrën e të rinjve të të gjitha kohërave dëshirën e gjallë dhe të pa interes për t'iu kushtuar Atij dhe shërbimit të vëllezërve e motrave të tjerë.

Këtë gëzim e shprehu edhe Shkëlqesia gjatë homelisë së tij, ku edhe e falënderoi Hyjin për një dhuratë të tillë. Ai falënderoi gjithashtu edhe vetë Arturin për bujarinë që nuk ka hezituar ta ketë ndaj thirrjes së Hyjit, si edhe familjen e tij që ka ditur ta pranojë ndërhyrjen e Zotit në jetën e Arturit.

Pas homelisë u vazhdua me ritet e shugurimit, rite të cilat tregojnë edhe nga ana e jashtme bukurinë e dhuratës që Hyji zbraz në brendësinë e atij që po i dhurohet. Prandaj edhe vëmendja e besimtarëve ndaj këtyre riteve nuk mungon kurrë.

Pasi përfunduan ritet e shugurimit, Dom Arturi për herë të parë veshi dalmatikën, veshjen e diakonit, e cila tregon misionin e shugurimit diakonal, që - përveç faktit se është i thirrur ta shpallë edhe më fort Fjalën e Hyjit – është shërbimi: t'i shërbejë Hyjit, Kishës dhe mbarë njerëzimit me të njëjtat ndjenja dhe sipas shembullit të Jezu Krishtit, i cili me tërë jetën e tij shprehu se pikërisht shërbimi është arti më i bukur dhe më i preferuar i Hyjit Trini.

Pasi Dom Arturi për herë të parë përgatiti si diakon altarin për kushtimin e bukës dhe të verës, Mesha vazhdoi si çdo herë tjetër.

Besimtarë të shumtë e uruan Dom Arturin pas Meshe për shugurimin e tij, duke i uruar edhe që hiri i Zotit t'i jetë gjithmonë pranë në rrugën që ka filluar.

 

Dom Dritan Ndoci

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster