|
|
TË LUFTOJMË VARFËRINË – TË
NDËRTOJMË PAQEN!
Me datë 7 janar 2009, në teatrin “Migjeni”,
për të dhjetin vit radhazi, u kremtua “Dita Botërore e Paqes”,
organizuar nga Arqipeshkvia Shkodër-Pult, Komisioni Drejtësi dhe
Paqe dhe Karitasi Shkodër.
Ky aktivitet ishte konceptuar si
një spektakël letraro-artistik, me pjesëmarrjen e artistëve të
rinj nga shkollat katolike si dhe nga qendrat kulturore të
qytetit.
Këngët, vallet dhe interpretimet
artistike, shërbyen si sfond për të përcjellur mesazhin e
Shenjtërisë së Tij, Papa Benediktit XVI, i cili në çdo fillim
viti, në ditën botërore të paqes, lëshon një mesazh të veçntë,
duke zgjedhur dhe trajtuar tema sociale që shqetësojnë më së
shumti botën në ditët tona.
Mesazhi titullohej: Të luftojmë
varfërinë – të ndërtojmë paqen!
E veçantë ishte pjesëmarrja në
këtë festë të qytetit,e besimtarëve të besimeve të ndryshme që
bashkëjetojnë sot në Shkodër, por sidomos përshëndetja dhe urimi
në këtë fillimviti e drejtuesve kryesorë të tre komuniteteve
kryesore fetare, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i
Shkodër-Pult, Zoti Ndriçimin Sulejmani – Myfti i Myftinisë së
Prefekturës Shkodër si dhe Atë Nikolla Petani – Famullitar i
Famullisë Ortodokse Shkodër. Në vijim po paraqesim fjalën
përshëndetëse të mbajtur nga Imzot Angelo Massafra.
“Shumë të nderuara Autoritete
fetare, shumë të nderuara Autoritete civile të qytetit të
Shkodrës, shumë të dashur vëllezër e motra Shkodranë: Gëzuar
vitin 2009!
Jemi duke kremtuar sivjet Ditën
42° Botërore të Paqes. Dua të falënderoj Atin e Shenjtë,
Benediktin XVI për mesazhin dhe urimet.
Falënderoj z. Luigj Milan,
Përgjegjës i Qendrës “Drejtësi e Paqe”, shkollat tona,
bashkëpunëtorët dhe Drejtorin e Teatrit për këtë mbrëmje të
bukur.
Papa e fillon mesazhin e vet për
Ditën Botërore të Paqes të këtij viti me fjalët që vijojnë:
“Edhe në fillim të këtij viti të ri dëshiroj t'ju dërgoj të
gjithëve urimin tim të paqes dhe t'ju ftoj, me anë të këtij
Mesazhi, që të reflektoni mbi temën: Të luftojmë varfërinë, të
ndërtojmë paqen. Edhe paraardhësi im i nderuar Gjon Pali II, në
Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të vitit 1993, kishte
theksuar pasojat negative që situata e varfërisë së popullsive
të tëra arrin të ketë mbi paqen”. Pra, jemi të ftuar ta kuptojmë
lidhjen që ekziston mes varfërisë dhe mungesës së paqes. Nëse
kjo botë e jona nuk është në paqe, nëse nuk ka paqe në qytetet
tona, kjo ndodh edhe sepse ekziston ende shumë varfëri. Dhe Papa
ka guximin ta paraqesë para vëmendjes së të gjithëve këtë
problem kaq jetësor, për të na ftuar të gjithëve, secilin sipas
rolit të vet dhe kompetencave e mundësive të veta, të ndërtojmë
paqen, duke luftuar kundër varfërisë. Në të vërtetë ai thotë:
“Në këtë mënyrë dëshiroj edhe një herë të vihem në dialog me
përgjegjësit e Kombeve dhe të Organizmave ndërkombëtare, duke
dhënë ndihmesën e Kishës katolike për promovimin e një rendi
botëror të denjë për njeriun. Në fillim të një viti të ri,
objektivi im i parë është pikërisht ai që t'i ftoj të gjithë,
qeveritarët dhe shtetasit e thjeshtë, që të mos e humbin guximin
përballë vështirësive dhe dështimeve, por ta përtërijnë
angazhimin e tyre. Pjesa e dytë e vitit 2008 ka bërë që të dalë
në pah një krizë ekonomike me përpjesëtime të mëdha. Kjo krizë
duhet lexuar në thellësi, si një simptomë e rëndë që kërkon të
ndërhyhet mbi shkaqet”.
Është e vërtetë, situata është e
vështirë, por nuk është ky momenti që ta humbim guximin. Ky
është momenti i angazhimit. Para së gjithash i angazhimit për ta
ndryshuar stilin tonë të jetës, duke mbajtur parasysh se shkaqet
e varfërisë që peshon mbi shpatullat e rreth 1 miliard njerëzve
dhe që çdo vit vret, vetëm prej urisë, 11 milionë fëmijë në botë
(gati një për çdo minutë), nuk janë vetëm në nivelin ekonomik.
Shkaqet duhen kërkuar sidomos në mënyrën me të cilën kuptojmë se
çfarë na e jep lumturinë e vërtetë në jetë. Papa dallon dy lloje
'varfërish': ka një varfëri negative, që e quajmë 'mjerim', dhe
që Hyji nuk e dëshiron. Kjo varfëri i pengon njerëzit dhe
familjet që të jetojnë sipas dinjitetit të tyre; është një
varfëri që cenon drejtësinë e barazinë dhe që, si e tillë,
kërcënon bashkëjetesën paqësore. Në këtë kuptim negativ hyjnë
edhe format e varfërisë jo materiale që ndeshen edhe në
shoqëritë e pasura e të përparuara: mënjanimi, mjerimi
marrëdhënor, moral e shpirtëror (krh. Mesazhi për Ditën Botërore
të Paqes 2009, 2). Përballë varfërisë negative dhe plagëve të
saj të përhapura, sikurse sëmundjet pandemike (po aty, 4),
varfëria e fëmijëve (po aty, 5) dhe kriza ushqimore (po aty, 7),
Papës i është dashur të padisë përsëri vrapimin e papranueshëm
në rritjen e armatimeve. Është vërtet një paradoks: nga njëra
anë kremtohet Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dhe
nga ana tjetër shtohen shpenzimet ushtarake, duke shkelur të
njëjtën Kartë të Kombeve të Bashkuara, që angazhon në pakësimin
e tyre deri në minimum (krh. neni 26), dhe duke marrë burime që
do të mund të përdoreshin në dobi të atyre që kanë më shumë
nevojë.
Kjo lloj varfërie çon në vdekjen e
miliona personave prej urisë apo prej sëmundjeve që mund të
kurohen lehtë, pengon një pjesë të mirë të njerëzimit që të
marrë një arsimim dhe një kulturë të përshtatshme, diskriminon
padrejtësisht shumë persona. Kjo lloj varfërie është e
papranueshme dhe me siguri është “për t'u luftuar”.
Por ka edhe një lloj tjetër
varfërie, një varfëri që është “për t'u zgjedhur”. Është
varfëria e atyre që nuk janë skllevër të gjërave, të atyre që
dinë të heqin dorë prej asaj që nuk është e nevojshme që të
ndihmojnë dikë që ka nevojë, e atyre që dinë të kryejnë gjeste
solidariteti. Duhet ta luftojmë në thellësi varfërinë e padrejtë,
që shtyp shumë burra e gra dhe kërcënon paqen e të gjithëve. Dhe
duhet të rizbulojmë vetëpërmbajtjen dhe solidaritetin, si vlera
ungjillore dhe në të njëjtën kohë universale. Më konkretisht,
nuk mund të luftohet në mënyrë efikase mjerimi, nëse nuk bëhet
ajo që u shkruan shën Pali Korintianëve, pra nëse nuk mundohemi
“të bëjmë drejtësi”, duke e pakësuar diznivelin mes atyre që
shkapërderdhin tepricën dhe atyre të cilëve u mungon madje edhe
e nevojshmja. Kjo kërkon zgjedhje drejtësie dhe vetëpërmbajtjeje,
zgjedhje gjithsesi të detyruara prej nevojës për t'i
administruar me mend burimet e kufizuara të tokës.
Ja pra mesazhi që duhet të
pranohet sot: varfëria e lindjes së Krishtit në Betlehem. Ajo,
përveçse është objekt i adhurimit për të krishterët, është edhe
shkollë jete për çdo njeri. Na mëson se për ta luftuar mjerimin,
si atë material ashtu edhe atë shpirtëror, për ta frenuar
grykësinë e pashuar që ngjall luftëra e përçarje, për ta
moderuar maninë e të pasurit, rruga që duhet përshkuar është ajo
e solidaritetit, e bashkëndarjes dhe e mirëpranimit të
ndërsjellë.
Sigurisht, lufta kundër varfërisë
nuk është një angazhim i lehtë. Dhe jemi të tunduar të mendojmë
se, edhe nëse ne do të bënim diçka, përpjekjet tona do të ishin
të kota. Por të mos harrojmë se është më mirë të ndezim një qiri
se sa të mallëkojmë errësirën. Shikoni, nuk jemi të thirrur të
bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, por gjëra të zakonshme me
dashuri të jashtëzakonshme. E kështu, për shembull, kur shohim
një person në nevojë, të mos e pyesim veten se çfarë mund të
bëjnë të tjerët, por se çfarë mund të bëjmë ne dhe ta bëjmë atë
menjëherë. Në të vërtetë, nuk është e rëndësishme se ku lindim ,
nëse në një vend të pasur apo në një vend të varfër, por është e
rëndësishme se si jetojmë dhe se si veprojmë në momentin e
caktuar.
Dua të mbaroj duke lutur Zotin që
Paqja të mbreterojë në çdo person, në çdo komb, në kombet ku ka
luftë dhe në veçanti paqe e falje të ketë Toka e Shenjtë:
Izraelitët dhe Palestinezët të jetojnë në paqe.
Zoti le t'i bekojë me begati
familjet tona; t'i forcojë në dashurinë, t'i mbrojë nga
relativizmi që shkatërron familjet, që kriza ekonomike të mos na
dëmtojë shumë dhe çdo familje shqiptare të ketë shtëpi, punë,
dashuri dhe durim.
Nga zemra ju falënderoj të
gjithëve dhe uroj që viti 2009 të jetë viti më i mbarë për
Shkodrën e Veriun. Për shumë vjet!
† Angelo Massafra
titujt kryesore |
|