ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VËLLA SHARLI (CHARLES DE FOUCAULD) 150 VJETORI I LINDJES

 

 

Sot të shumtë janë ata që gjejnë te vëllai Sharl një udhëheqës të sigurt për të jetuar në jetën e përditshme dashurinë për Hyjin dhe për njerëzit.

Do të mësojmë në shkollën e tij, domethënë në shkollën e Jezuit, të Dashurit dhe Zotit të tij. Nëse ne duam të ecim në gjurmët e Sharlit, nuk ka rrugë tjetër veç asaj të Jezusit të Nazaretit, Atij që zuri vendin e fundit.

Motrat e vogla kujtojnë këtë përvjetor me pjesë të shkëputura nga homelia e Imzot Klod Ro (Claude Rault), ipeshkëv i Laghouat-Ghardaia (ALGJERI), mbajtur në meshën e falenderimit në Romë të nesërmen e lumturimit të Sharl dë Fuko në 14 nëntor 2005:  «E ç'tju them për Sharlin e Fatlum? Shumë janë thënë e stërthënë…shkruar, zbuluar…E ç'mund të shtoja akoma?

Sharl dë Fuko lindi në Strasburg në vitin 1858. Pa mbushur ende 6 vjeç lëndohet shumë si fëmijë, sepse mbetet jetim, pa nënë e pa baba.

Gjatë një adoleshence të vështirë, ai humb fenë dhe për të mbytur ndoshta ankthin, që mbart në thellësi të qenies së tji, zhytet në një jetë me dëfrime e me parregullsi. Do të ndalem në kthimin e tij, në këtë ndërhyrje të Zotit në jetën e tij. Një Zot që ai pak nga pak e kishte harruar, që nga adoleshenca e tij, lënë mënjanë, ndoshta pa e vënë re.

Dhe ja, gjatë ekzistencës së tij prej nxënësi përtac, oficeri pak të zellshëm, dashësi të pritjeve të rafinuara, gjatë zgjimit patriotik të vonuar, pastaj të eksploratorit të guximshëm, ja që pak nga pak tek ai u zgjua etja për një jetë tjetër, për një jetë me kuptim, me synim për Lart. Ndjenja e një boshllëku të madh e kishte pushtuar: «Bëja keq, por këtë as e aprovoja dhe as e doja. Ti më bëje të ndjeja një boshllëk të dhimbshëm , një trishtim që nuk e kisha provuar kurrë deri atëherë, që më vinte çdo mbrëmje kur gjendesha i vetmuar në apartamentin tim» shkruan ai në një nga mendimet e tij.

Dhe në sajë të dëshmisë së jetës së myslimanëve do të nisë ky zgjim: «Islami më shkaktoi një përmbysje të thellë. Pamja e këtij besimi e këtyre njerëzve që vazhdimisht jetonin në prani të Zotit, më bëri të kuptoj diçka më të madhë dhe më të vërtetë se preokupimet mondane». Kjo eksperiencë e një ekzistence të jetuar përkrah njerëzve të Islamit do ta provokojë, do ta shtyjë për të rigjetur besimin e fëmijerisë së tij. Ai është 28 vjeç. Dialogu me Zotin e tij u krye brenda fshehtësisë së rrëfimit, pa zhurmë, në mërmëritje, një mirënjohje e pranuar më në fund, një angazhim për jetën, dëshirë për të jetuar vetëm për këtë Zot që akoma duhej zbuluar. Por ai ishte joshur prej Tij.

Dhe kjo joshje do të marrë formën e një plage dashurie. Një dashuri që duhej rafinuar vazhdimisht, një kërkim i pandërprerë dhe i zjarrtë që s'do ta braktisë më. Ja ku u nis  për një udhëtim shpirtëror të gjatë që do ta çojë deri në fund të vetvetes. Çfarë shkretëtirë e pafund është zemra njerëzore! Me dëgjimin e thirrjes së parë, filloi një endje e gjatë, një rrugë e gjatë në ndjekje të këtij Zoti. Në fillim në jetën e manastirit. Por kjo nuk i mjaftoi.

Dhe ja Zoti që ai kërkon do të marrë fytyrë njerëzore, në atë Jezu të Nazaretit, vendin e të cilit, atje larg në Galile, ai e vizitoi. Jezui i Nazaretit është zbulimi i një Zoti të varfër, pa asnjë gjë, të përulur, gjithmonë në atë vend, të pamundur per t'i rrëmbyer: në fund të fundit Zoti i Lartë duhet kërkuar poshtë. Ky nomadizem shpirtëror e çon më në fund në kufijtë e Saharës. Atëherë ai është 43 vjeç. Ai nuk shkon atje për dashurinë romantike të kësaj shkretëtire, por për dashurinë e më të largëtit.

Dhe kjo dashuri atje do të zgjerohet akoma. Atë Jezus të takuar, të soditur, të kërkuar në meditimet e gjata të Nazaretit, ai do të gjejë në menyrë më konkrete dhe më pak romantike, në Beni Abbes dhe në Hoggar, në të vegjëlit dhe të përjashtuarit nga shoqëria, në ata që nuk e kanë vendin në shoqërinë njerëzore. Ai do ta takojë Atë në ata që nuk kanë të përbashkët me të as universin e tij, as kulturën e tij.

Dhe do tu përkushtojë atyre kohën e tij, energjinë e tij. Jo duke i parë nga lart – poshtë, por duke u mishëruar në ta, gjithnjë të zënë nga  “i Dashuri dhe Zoti i tij Jezu“. Ai që ishte frymëzuar nga zjarri i Ungjillit, do të heshte për të, në respektin e pafund për tjetrin dhe do të zbulojë që ai është thirrur, me të gjithë jetën e tij, të thërrasë Ungjillin: kjo, padyshim, është trashëgimia më e bukur që na ka lënë . Ai do të kënaqej të fliste për të Dashurin në Eukaristinë, që festohet dhe soditet edhe nëpërmjet Ungjillit të medituar pa pushim.

Ai, që ëndërronte të jepte jetën e tij për të tjerët, shpëtohet prej tyre, kur do të vdiste nga skorbuti. Të varfrit i dhanë atij jetën e tyre . Gjithmonë Nazareti. Ai do ta shtyjë akoma më tej këtë mishërim duke u bërë nxënës i kulturës dhe i gjuhës së tjetrit, sepse ai është i huaji, atij i duhet të hedhë hapin e parë, duke filluar që me belbëzimet e fëmijës. Për orë të tëra pune të mundimshme, ai mëson gjuhën, mbledh mbi 6000 vargje poetike, harton një fjalor me 4 vëllime.

Papa Pali VI në enciklikën e tij Populorum progressio, flet për veprën e inkulturimit të kryer nga vëllai Sharl:”Në shumë rajone misionarët kanë qenë pionierët e përparimit material si edhe të zhvillimit kulturor. Mjaft të kujtojmë shembullin e atit Sharl de Fuko, i cili në sajë të dashurisë së tij për vëllezërit, u gjykua i denjë të quhej “vëllai i gjithmbarshëm”, dhe atij i detyrohemi për hartimin e një fjalori të çmuar në gjuhën tuareg”.

Kështu kalon jeta e tij, me pritjet, adhurimin dhe studimin deri në atë ditë të Dhjetorit 1916 , kur do të vritet në prag të çadrës së tij në Tamanrasset .Ai vdes i vetëm si fara e grurit, por kjo është shenjë shprese, se vëllazëria njerëzore është më e fortë se të gjitha urrejtjet që sfilisin dhe përçajnë popujt. Pesëmbëdhjetë ditë më vonë kreu tuareg Musa Ag Amastane, që ishte bërë miku i tij dhe që ishte një mysliman i përshpirtshëm, i shkruan motrës së vëllait Sharl: “Sharl, marabu, d.m.th. njeriu i Zotit, nuk ka vdekur vetëm për ju, por edhe për ne të gjithë. Zoti i dhëntë mëshirë dhe u takofshim me të në parajsë!”

Sharl de Fuko na ka lënë një vepër të pambaruar. Sfida e mëdha të ungjillizimit mbeten të hapura përpara nesh: sfida e butësisë dhe e jo-dhunës ungjillore; sfida e dashurisë vëllazërore për të jetuar në gjirin e komunitetit; sfida e një vëllazërie të vërtetë në shkallë planetare, përtej çdo shfaqjeje të urrejtjes etnike dhe hakmarrëse, përtej çdo ndjenje të superioritetit kombëtar apo kulturor».mbetet e

Sot, ndër pasardhësit shpirtëror numërohen 18 familje shpirtërore: priftërinj, laike, rregulltarë e rregulltare....Vëllezërit e vegjël, Motrat e vogla, Lëvizje, Institute shekullare.

Motra e vogël Magdalena (1898-1989)  ka themeluar më 1939 Kongretatën Ndërkombëtare të Motrave të Vogla të Jezusit: «Të jeni kontemplative duke mbetur shumë të afërta me vëllezërit tuaj, duke u përzier me jetën e tyre, duke ndarë gëzimet e vuajtjet e tyre dhe duke u bërë plotësisht e të gjithëve». Në Shqipëri Motrat e Vogla janë katër dhe jetojnë në Tiranë. Ja disa parime përshpirtërie: «Jeta jonë kontemplative në mes të njerëzve bën që të kemi kontakte me persona të kulturave, besimeve fetare e shtresave shoqërore të shumëllojshme, me dëshirë të zjarrtë u tregojmë dashurinë e Hyjit ndaj tyre, më shumë me qëndrimin tonë sesa me fjalë». «Të shpallësh Ungjillin jo vetëm me fjalë, por me gjithë jetën tende» (vëllai Sharl) «Lidhjet tona miqësie zhvillohen në jetën e përditshme: në takime me fqinjësi, me vizita pranë femrave të burgosura, pranë të sëmurëve, personave të vetmuar dhe në moshë, me vizita që pranojmë në « vëllazërinë » tonë (d.m.th. në «bashkësinë tonë»), me bashkëpunimin në fushën e përkthimeve të teksteve dhe të librave fetare». «Të jemi me» është themeli i misionit tonë në Kishë.

 

Motër Odette 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster