|
|
LAJME
NGA DIOQEZA E SAPËS
VIZITA
BARITORE E IPESHKVIT NË DEJË, SHELQET, GRASH
Nga data 17-23 janar 2009,
Ipeshkvi i vendit, Imzot Lucjan Avgustini zhvilloi vizitën
baritore në famullitë Lindja e Zojës – Dejë, Shën Gjon Bosko –
Shelqet dhe Shën Nikolli në Grash. I pritur nga famullitari Dom
Genc Tuku, motrat e Zojës së Papërlyer, dhe motrat Dorote,
Ipeshkvi e filloi vizitën e tij, me kremtimin eukaristik të
ditës së Shtune (17 janar) në famullinë e Shën Nikollit në Grash,
dhe të Dieles (18 janar) në famullitë Dejë dhe Shelqet. Në emër
të të gjitha bashkësive, famullitari Dom Genc Tuku i uroi
mirëseardhjen Imzot Lucjan Avgustinit dhe e falenderoi që
gjendet në mesin e këtyre besimtarëve, duke u ndjerë kështu si
një familje që takohet me Atin dhe Bariun e shpirtrave. Ndërsa
në predikimin e rastit që Ipeshkvi mbajti gjatë kremtimeve në të
tria famullitë, theksoi mbi të gjitha rëndësinë e të qenit i
krishterë. Sa më tepër i afrohemi Zotit, aq më shumë e imitojmë
me mënyrën e të jetuarit, aq më tepër do ta realizojmë
njerëzimin tonë. Njeriu është i krijuar prej Hyjit në modelin e
Birit të vet, Jezu Krishtit. Prandaj, thirrja e njeriut është që,
të jetojë si ka jetuar Jezusi. Vetëm të mbështetur në themelet e
Krishtit dhe mësimet e tij, ne mundemi të ndërtojmë një jetë më
të mirë.
Menjëherë pas meshëve, Ipeshkvi
është ndalur të bisedonte me mbarë popullin e Zotit. Ndërkohë që,
gjatë ditëve të tjera, sipas programit të përgatitur nga
famullitari, ka zhvilluar takime me grupe të ndryshme si
kryefamiljarët, katekistat, të rinjtë, bashkëpunëtorët, grupet e
lutjeve, me stafet pedagogjike të shkollave, me përfaqësues të
pushtetit lokal si dhe me përfaqësuesit e institucioneve të
ndryshme që veprojnë në këto famulli. Në takimin me
kryefamiljarët ku u diskutua gjendja aktuale e familjes, Imzot
Lucjani porositi që të gjithë si prindër të kenë një kujdes
tepër të madh dhe respekt ndaj fëmijëve, të krijohet një dialog
i mirëfilltë mes dy palëve, në mënyrë që çdo gjë të rrjedhë
ashtu siç duhet. Edhe në takimin me të rinjtë, ipeshkvi ka
dialoguar me ta duke iu dhënë mesazhin që ta ndërtojnë jetën mbi
Krishtin, ta pranojnë me gëzim fjalën e tij dhe t'i vënë në jetë
mësimet e tij.
titujt kryesore |
|