|
VIZITA BARITORE NË BARBULLUSH -
KUKËL
E Enjte 4
Dhjetor 2008, ora 9.00: Një ditë krejt e veçantë nga ditët e
tjera. Porsi grigja që ka nevojë ta shohë dhe ta dëgjojë zërin e
Bariut të vet, ashtu i gjithë populli i Barbullushit po priste
me gëzim të madh ardhjen e Imzot Angelo Massafrës. Ishte një
ditë me shi dhe erë, por kjo nuk e ndali dot vërshimin e këtyre
njerëzve. Që nga Barbullushi qendër e deri në Bushat turma-turma
njerëzish ishin mbledhur për të pritur këtë person të dërguar
nga Zoti.
Edhe vetë
Shkëlqesia e Tij e respektoi shumë këtë pritje, zbriti nga
makina, ashtu nëpër shi, duke u përshëndetur me të gjithë në
kryqëzim të Bushatit, i shoqëruar nga vetë kryetari i komunës
zoti Zef Hila. Kjo ishte ndalesa e parë. Ajo që të bën më shumë
përshtypje ishte ndalesa e tij në qëndër të Barbullushit,
ndërkohë që shiu vazhdonte të binte edhe më furishëm. Imzot
Angelo Massafra u ndal pikërisht aty në qendër, ku populli
kishte dalë për ta pritur. Imzoti u ndal nën strehën e ballkonit
të një dyqani, pronar i të cilit ishte një individ i fesë
myslimane, dhe njerëzit aty i përshëndeti përzemërsisht. “Ky
fakt tregon se në mes këtij populli ka mirëkuptim e
bashkëpunim, flasim për paqe e vëllazërim - tha Imzot Angelo
Massafra, - kjo falë marrëdhënieve të mira që ka krijuar edhe
Komuna Bushat me komunitetet fetare, çfarëdo lloj feje qofshin
ato. Pasi na falënderoi për pjesëmarrjen edhe pse në kohë me
shi, në shenje paqeje, qetësie dhe bekimi Imzot Angelo Massafra
lëshoi dy pëllumba të bardhë.
Pastaj, ashtu
siç ishim të bashkuar, vazhduam rrugën për tek ndërtesa e Zotit
- Kisha. Gjatë rrugës kishin dalë turma-turma njerëzish për të
na pritur, e bashkoheshin me ne.
Hymë në Kishë,
e cila menjëherë u mbush me një atmosferë festive dhe fëmijët e
kopshtit të motrave me zërin e ëmbël të tyre i dhanë një
përshëndetje të kënaqshme Imzotit. Pastaj të gjithë ashtu të
mbledhur së bashku si për një festë krejt familjare, i kënduam
Zotit një këngë të cilën na e mësoi vetë Shkëlqesia.
Pas dreke, po
të njëjtën ditë u zhvillua takimi me të rinjtë, një kënaqësi e
vërtetë. Imzot Massafra e sheh këtë rini të mrekullueshme tek po
rritet çdo ditë e më shumë në grigjën e madhe të Zotit. Kjo
rini, i drejton Shkëlqesisë shumë pyetje, për të ditur sa më
shumë gjëra në lidhje me Zotin, pyetje të cilave Imzoti iu
përgjigj me një kënaqësi të madhe dhe me fjalë të ëmbla tamam
ashtu si di t'i drejtohet Bariu grigjës së vet.
Në orare të
ndryshme Imzot Angelo Massafra vazhdoi serish vizitën e tij në
Hoten dhe në Kukel, ku u prit me një gëzim të madh, nga
bashkësitë fetare si nga shkollat e shtetit, dhe gjithçka shkoi
mirë. Me të vërtetë një mbresë që s'ka përshkrim.
E Premten 5
Dhjetor ora 9.30: vizita Baritore vazhdoi në fshatin Hotën në
shkollën katërvjeçare, ku fëmijët e pritën Imzotin me disa këngë
dhe poezi të veçanta. Shkëlqesia u dha kurajë të gjithë nxënësve
që të jenë sa më të mirë, inteligjentë dhe të dëgjueshëm ndaj
mësuesve dhe prindërve, dhe shtoi – “kur truri pushon kalbet,
por sa më shumë që punon truri jonë aq më shumë zhvillohet”-.
Gjithë populli
i fshatit Hoten ka mbetur shumë i kënaqur për vizitën dhe për
ndërtimin e kishës së Hotnit, dhe e falënderon Imzotin për të
gjitha premtimet që i ka realizuar.
E Diel 7
Dhjetor ora 10.00: Kisha plot e përplot e mbushur si asnjë
herë. Populli i Barbullushit mblidhet për të kremtuar Meshën e
Shenjtë me Bariun e vet të dashur Imzot Angelo Massafra. Pasi u
lexuan Fjalën e Zotit, Imzoti, shtjelloi më mirë letrën e Shën
Pjetrit Apostull, i cili kërkonte vazhdimisht paqe e bashkim për
njerëzimin. Këtu Imzoti theksoi disa pika më të rëndësishme dhe
tha: “ Ligjet e Zotit janë për ne si shinat për trenin, në qoftë
se treni del jashtë shinave mund të rrezikoje. Kështu ndodh edhe
në jetën tonë shpirtërore, nëse nuk i zbatojmë urdhërimet e
Zotit”. Ai shtoi përsëri: “ Të dashur besimtarë, jeta jonë dhe e
ardhmja e jonë m'varen vetëm nga Zoti dhe jo nga robi, në këtë
rast mund të jenë fallxhorët, të cilët mundohen t'i tregojnë të
tjerëve të ardhmen e tyre, por në fakt i mashtrojnë njerëzit,
prandaj nuk janë për t'u besuar”. Shkëlqesia e Tij theksoi edhe
se jeta e njeriut i përket vetëm Zotit, prandaj askush nuk ka të
drejtë të vrasë dhe të hakmarrë.“Tani po afrohen edhe festat –
tha Shkëlqesia e Tij – në festa priten edhe miq – vazhdoi ai-,
edhe ne, atëherë kështu duhet të jemi, të bashkuar gjithmonë si
një familje e madhe që grumbullohet rreth Sofrës së Zotit me miq
e dashamir.
Mbas kremtimit
të Meshës u bë një takim i shkëlqyeshëm me të gjithë besimtarët
të cilëve Imzot Massafra shpjegoi shumë mirë disa gjëra të
nevojshme mbi familjen dhe kurore e martesë.
Imzot Angelo
Massafra kremtoi meshën në Kukël në orën 12.00 me dom Nikë
Ukgjinin dhe në orë n 15.00 pati takim me fëmijët. Të nesërmen
vizitoi disa të sëmurë dhe fëmijët e shkollës fillore.
E Merkurë 10
Dhjetor ora 9.00: vazhdoi Vizita Baritore tek të sëmurët dhe tek
ato familje që tash kohet e fundit kanë patur tragjedi vdekjeje.
Të gjithë mbetën jashtëzakonisht të kënaqur për ardhjen e
Imzotit në vatrat e Barbullushit sepse kemi nevojë gjithmonë ta
dëgjojmë zërin dhe këshillat e atij që flet në Emër të Zotit.
Po të njëjtën
ditë në orën 11.00 Imzot Angelo Massafra u ndal tek shkolla e
Barbullushit, ku një turmë e madhe nxënësish, pa dallim feje, të
udhëhequr nga drejtori dhe edukatorët e tyre, e priten ardhjen e
tij me një koncert të bukur.
Pastaj u bë
edhe një takim vetëm me drejtorin dhe profesorët e kësaj
shkolle, ku Imzoti e vendosi më shumë theksin mbi një formim të
duhur dhe të përshtatshëm për fëmijët dhe të rinjtë.
Me rastin e
bekimeve të varreve në Barbullush, u bekua edhe guri i parë për
ndërtimin e një kapele të vogël brenda varreve. Pastaj, mbasdite
u zhvillua mbyllja e vizitës Baritore, tek kisha e vjetër, ku
fëmijët dhe të rinjtë e Barbullushit kishin përgatitur, shfaqje,
këngë, kërcime dhe recitime, dhe kisha ishte e mbushur plot e
përplot si gjithmonë. Pas shfaqjes Imzoti i falënderoi të gjithë
pjesëmarrësit dhe falënderoi edhe punën e mrekullueshme të
motrave të kësaj famullie. Festa mbaroj me një këngë të bukur “
Gëzoj në Zotin” të kënduar nga të gjithë së bashku me Ipeshkvin
tonë.
“Të paçim me
jetë e shëndet Imzot Angelo Massafra dhe mirë se të vish sa më
shpesh në famullinë tonë” – ishin fjalët e njerëzve. Dhe kështu
përfundoi Vizita Baritore, një rast tepër i veçantë dhe i
paharruar për famullinë e Barbullushit.
Rregjina Shelqetja
titujt kryesore |