|
|
VIZITA
E PARË E NUNCIT APOSTOLIK IMZOT RAMIRO MOLINAR INGLES
Në prag të Krishtlindjes, në të
dielën e katërt të Ardhjes, Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot
Ramiro Molinar Ingles, vizitoi për herë të parë dioqezën e Sapës.
Ceremonia e rastit u organizua në Katedralen e Lumja Nënë Tereza
në Vau-Dejës, me një pjesëmarrje të madhe nga ana e besimtarëve.
Nunci apostolik që në hyrje të qytetit u prit nga bariu i Sapës,
Imzot Lucjan Avgustini i shoqëruar nga famullitari i Katedrales,
meshtarë të tjerë, si dhe Kryetari i Bashkisë Vau-Dejës me
autoritete të tjera të pushtetit lokal. Në fillim ai u
përshëndet me një këngë kushtuar Nënë Terezes, kënduar nga
vëllezërit Paloka, ndërsa në kremtimin eukaristik të udhëhequr
nga vetë Shk.Tij Imzot Ingles, në emër të bashkësisë së
besimtarëve, ipeshkvi I vendit i ka uruar mirëseardhjen Nuncit
të ri me fjalët e psalmistit: “Bekuar qoftë ai që vjen në emër
të Zotit”. Duke vazhduar më tej, Imzot Lucjani theksoi se kjo
vizitë para Krishtlindjes, na jep sigurinë se Papa nëpërmjet
përfaqësuesit të tij, na do dhe na mbart në zemër, sikurse ka
ditur edhe ky popull ta dojë Krishtin, duke i qëndruar besnik
deri në derdhjen e gjakut, martirizimin.
Edhe Imzot Ramiro Molinar Ingles,
në homelinë e rastit e falënderoi Imzot Lucjanin dhe dioqezën e
tij për arritjet e deritanishme. Si përfaqësues i Selisë së
Shenjtë, ai shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e kësaj selie
në rrugën e paqes dhe drejtësisë. Në përfundim të kremtimit
Nunci Apostolik përcolli bekimin e Atit të Shenjtë, Benediktit
XVI, duke uruar edhe festën e Krishtlindjes.
Që prej 15 viteve, Imzot Ramiro
Molinar Ingles është titullar i arqipeshkvisë së Sardës, e cila
ndodhet në territorin e Dioqezës së Sapës. Për herë të parë
Nunci bashkë me Imzot Lucjanin, vizitoi territorin e Sardës, ku
tashmë gjenden disa themele të eltereve, dëshmi e gjallë e kësaj
dioqeze, e cila ekzistoi si dioqezë më vete deri në vitin 1444,
ku më pas u bashkua me dioqezën e Dejës. Ndërsa në vitin 1491,
në kohën e Prosdoçimit, Ipeshkëv të Sapës, të dyja këto dioqeza
i bashkohen Dioqezës së Sapës.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|