ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

AKTIVITETET VERORE PRANË ORATORIT DON BOSKO

 

 

Edhe këtë verë tek Oratori Don Bosko nuk ka munguar pjesëmarrja aktive dhe entuziazmi i shumë fëmijëve e të rinjve në momentet e shumta që janë propozuar nga salezianët për të kaluar  muajt e nxehtë të verës në mënyrë zbavitëse  dhe edukuese.

Akiviteti i parë ka qenë “Lojërat Verore 2008  Xhungla në kërkim të një ëndrre”. Kanë filluar menjëherë pas mbarimit të shkollës, me pjesëmarrjen e 352 fëmijëve të qytetit të Shkodrës dhe  kanë zgjatur tri javë, paradite e pasdite. Është një eksperiencë me të vërtetë entuziazmuese për fëmijët, sepse në to gjejnë një ndërthurje harmonike të shumë gjërave zbavitëse për fëmijët, si loja nëpër disa skuadra të mëdha, muzika e kërcimet, një histori tërheqëse që zhvillohet në etapa çdo ditë dhe shërben si fije lidhëse e krejt eksperiencës e mbi të cilën mbështeten edhe temat edukative që paraqiten për secilën ditë. Po ashtu janë edhe laboratoret sportive e kulturore që në momentin e regjistrimit fëmijët  zgjedhin vetë atë që dëshirojnë të bëjnë.

Kanë marrë pjesë si bashkëpunëtorë të këtyre lojërave rreth 70 të rinj, universitarë apo të shkollave të mesme të cilët gjatë vitit bëjnë një ecje sistematike formimi në Oratror, dhe ky moment i angazhimit është si një provë për ta, si një moment në të cilin verifikojnë aftësinë e tyre si animatorë .

Një javë pas Lojërave Verore ka filluar “Kampi Bosko 2008” që është një kamp-shkollë i organizuar nga Oratori për fëmijët e shkollave nëntëvjeçare.

Kanë marrë pjesë në këtë kamp fëmijët e kësaj moshe, që gjatë vitit kanë qenë më të pranishëm e më të angazhuar në momentet e formimit  dhe në aktivitetet e ndryshme në Orator. Kampi është zhvilluar për pesë ditë në Hot, pranë famullisë së Shën Gjonit. Përvoja e jetës për pak ditë larg familjes, shërbimeve të ndryshme që duheshin bërë, momenteve të formimit, lutja e mëngjesit dhe lutja e mbrëmjes rreth zjarrit, loja, shëtitjet në mal… e kanë bërë të jetë një eksperiencë shumë e bukur dhe shumë formuese për ata që kanë marrë pjesë.    

Pas Kampit Bosko ka filluar po në Hot “Kampi Miqësia 2008” që ka pasur si pjesëmarrës tashmë të rinjtë e shkollave të mesme që bëjnë ecjen si bashkëpunëtorë të oratorit, pre-animatorët dhe ndonjë i ri ftuar nga salezianët dhe si temë u fol për bukurinë në aspektet e saj të ndryshme.

Me datën 11 gusht, ka filluar në Orator një aktivitet tjetër i ashtuquajtur “Efekti Serë”. Është viti i dytë që organizohet një aktivitet i tillë dhe ka si qëllim të mbajë të angazhuar gjatë gushtit ata fëmijë që nuk shkojnë për pushime por qëndrojnë në shtëpi apo luajnë rrugëve të qytetit.

Kanë marrë pjesë rreth 150 fëmijë, dhe aktiviteti është zhvilluar gjatë pasdites. 

Në ditët e para të shtatorit ka zëne vend “Kampi Samuel”  i organizuar për ministrantët e Kishës “Don Bosko” dhe të famullisë saleziane Shën Elia-Berdicë. Ishin të pranishëm rreth 40 ministrantë. Kampi është zhvilluar në Shënkoll, ku kemi qenë pranë shtëpisë së etërve Rogacionistë.

Në fund oratori ka organizuar  me 11-14 shtator “Lojërat Parashkollore”. Është një moment loje e argëtimi por me temën e shkollës dhe të mësimeve, për të lidhur në mënyrë simpatike pushimet me shkollën dhe për të afruar fëmijet pranë oratorit në këtë kohë të fillimit të vitit shkollor e oratorian.

 

                                                           Dom Bledari

  

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster