|
|
BENEDIKTI XVI NË LURDE
Ati i Shenjtë Benedikti XVI bëri udhëtimin
apostolik në Francë, më 12-15 shtator 2008, me rastin e 150
vjetorit të shfaqjeve të Lurdit. Të premten, më 12 shtator 2008,
në Paris, në Sheshin i Bazilikës Notre-Dame gjatë vigjiljes së
lutjes të të rinjve
Papa mbajti fjalimin, që vijon:
Të dashur të rinj,
pas meditimit në lutje të Mbrëmjesores në
Notre-Dame, me entuziazëm ju më përshëndetni sonte, duke i dhënë
kështu një karakter feste dhe shumë simpatik këtij takimi. Ky më
kujton takimin e paharrueshëm të korrikut që shkoi në Sidnej, në
të cilin disa prej jush kanë marrë pjesë me rastin e Ditës
botërore të Rinisë. Sonte do të doja t'ju flisja për dy pika
thellësisht të lidhura me njëra-tjetrën, që përbëjnë një thesar
të vërtetë në të cilin ju do të mund ta vendosni zemrën tuaj
(krh. Mt 6,21).
E para lidhet me temën e zgjedhur për Sidnej.
Është edhe ajo e vigjiljes suaj të lutjes që do të fillojë pas
disa çastesh. Bëhet fjalë për një pjesë të Veprave të Apostujve,
libri që disa e cilësojnë me shumë të drejtë si Ungjilli i
Shpirtit Shenjt: “Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i
cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi”
(Vap 1,8). Zoti jua thotë tani juve këto fjalë. Sidnej i ka bërë
shumë të rinj të zbulojnë rëndësinë e Shpirtit Shenjt në jetën e
të krishterit. Shpirti na vë në një marrëdhënie të ngushtë me
Hyjin, pranë të cilit gjendet burimi i çdo pasurie të
përnjëmendtë njerëzore. Të gjithë ju kërkoni të doni e të jeni
të dashur! Duhet të ktheheni nga Hyji për të mësuar të doni e
për të pasur fuqinë për të dashur. Shpirti, që është Dashuri,
mund t'i hapë zemrat tuaja për të pranuar dhuratën e dashurisë
së përnjëmendtë. Të gjithë ju kërkoni të vërtetën dhe doni të
jetoni prej saj! Kjo e vërtetë është Krishti. Ai është e vetmja
Udhë, e vetmja e Vërtetë dhe e vetmja Jetë. Të ndjekim Krishtin
do të thotë vërtet “të dalim në det të hapur”, siç thonë disa
herë Psalmet. Rruga e të Vërtetës është një e vetme dhe në të
njëjtën kohë e shumëfishtë, sipas karizmave të ndryshme, ashtu
sikurse e Vërteta është një e vetme dhe në të njëjtën kohë ka
një pasuri të pashterrshme. Besojuni Shpirtit Shenjt për të
zbuluar Krishtin. Shpirti është udhërrëfyesi i nevojshëm për
lutjen, shpirti i shpresës sonë dhe burimi i gëzimit të vërtetë.
Për t'i thelluar këto të vërteta feje, ju
nxis të meditoni madhështinë e Sakramentit të Përforcimit që
keni marrë dhe që ju shtjen në një jetë feje të pjekur... Ai ju
fton të shihni në të afërmin tuaj vëllain që Hyji ju ka dhuruar
për të jetuar në bashkim me të, njerëzisht dhe shpirtërisht, pra
për të jetuar në Kishë. Duke ju zbuluar se kush është Krishti i
vdekur e i ngjallur për ne, Ai ju nxit të dëshmoni. Ju jeni në
moshën e zemërgjerësisë. Është e ngutshme të flisni për Krishtin
përreth jush, familjeve tuaja dhe miqve tuaj, në vendet tuaja të
studimit, të punës apo të argëtimit. Mos kini frikë! Kini
“guximin për të jetuar Ungjillin dhe për ta shpallur atë”
(Mesazhi drejtuar të rinjve të botës, 20 korrik 2007). Prandaj
unë ju nxis të gjeni fjalët e përshtatshme për të kumtuar Hyjin
përreth jush, duke e mbështetur dëshminë tuaj në fuqinë e
Shpirtit të kërkuar në lutje. Çojani Lajmin e Mirë të rinjve të
moshës suaj si edhe të tjerëve. Ata i njohin turbullirat e
ndjenjave, shqetësimin dhe pasigurinë përballë punës dhe
studimeve. Përballojnë vuajtje dhe përjetojnë gëzime unikale.
Dëshmojeni Hyjin, sepse, si të rinj, ju bëni plotësisht pjesë në
bashkësinë katolike me anë të pagëzimit tuaj dhe të dëshmimit të
përbashkët të fesë (krh. Ef 4,5). Kisha mbështetet në ju, më
pëlqen t'jua them!
Në këtë vit të kushtuar shën Palit, do të
doja t'ju besoja edhe një thesar të dytë, që ishte në qendrën e
jetës së këtij Apostulli të mrekullueshëm: bëhet fjalë për
misterin e Kryqit. Të dielën, në Lurd, do të kremtoj festën e
Kryqit të Lavdishëm duke u bashkuar me shtegtarë të panumërt.
Shumë prej jush mbajnë në qafë një zinxhir me një kryq. Edhe unë
mbaj një të tillë, sikurse të gjithë Ipeshkvijtë në fund të
fundit. Nuk është një zbukurim, as një xhevahir. Është simboli i
çmueshëm i fesë sonë, shenja e dukshme dhe materiale e lidhjes
me Krishtin. Shën Pali flet qartë për Kryqin në fillim të Letrës
së tij të Parë drejtuar Korintianëve. Në Korint jetonte një
bashkësi e trazuar dhe e turbullt që rrezikohej prej korruptimit
të pranishëm në atë mjedis. Këto rreziqe janë të ngjashme me ato
që njohim sot. Nuk do të citoj tjetër përveç këtyre: diskutimet
dhe grindjet brenda bashkësisë së besimtarëve, joshja e ushtruar
prej pseudo-urtive fetare apo filozofike, sipërfaqësia e fesë
dhe morali i shfrenuar. Shën Pali e fillon letrën e vet duke
shkruar: “Predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri,
kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit” (1 Kor 1,18).
Për të krishterët Kryqi është simboli i
urtisë së Hyjit dhe i dashurisë së tij të pafundme që na është
zbuluar në dhuratën shëlbuese të Krishtit të vdekur e të
ngjallur për jetën e botës, për jetën e secilit dhe të secilës
prej jush në veçanti. Ky zbulim i një Hyji që është bërë njeri
për dashuri, ky zbulim tronditës ju ftoftë ta respektoni e ta
nderoni Kryqin!... Të dashur të rinj, unë e di se nderimi i
Kryqit nganjëherë tërheq përqeshjen si edhe përndjekjen. Kryqi
në një farë mënyre vë në diskutim sigurinë njerëzore, por edhe,
dhe sidomos, e bën të sigurtë hirin e Hyjit si dhe e përforcon
shëlbimin tuaj. Sonte unë po ju besoj Kryqin e Krishtit. Shpirti
Shenjt do t'ju bëjë të kuptoni misteret e tij të dashurisë dhe
ju atëherë do të thërrisni së bashku me shën Palin: “Sa për mua,
mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër gjë, përveçse me Kryqin
e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e
kryqëzuar dhe unë për botën” (Gal 6,14). Pali e kishte kuptuar
fjalën e Jezusit në dukje paradoksale sipas të cilës vetëm
duke dhuruar (“duke humbur”) jetën e vet njeriu mund ta gjejë
atë (krh. Mk 8,35; Gjn 12,24) dhe kishte arritur në përfundimin
se Kryqi shpreh ligjin themelor të dashurisë, formulën e
përsosur të jetës së vërtetë. Thellimi i misterit të Kryqit i
bëftë disa prej jush të zbulojnë thirrjen për t'i shërbyer
Krishtit në mënyrë më të plotë në jetën meshtarake apo
rregulltare!
Është koha për të filluar vigjiljen e lutjes,
për të cilën jeni mbledhur sonte. Mos i harroni dy thesaret që
Papa ju ka paraqitur sonte. Shpirti Shenjt dhe Kryqi! Për të
përfunduar do të doja t'ju thoja edhe një herë se e vë besimin
në ju, të dashur të rinj, dhe do të doja që ju të përjetoni sot
e nesër vlerësimin dhe dashurinë e Kishës!
Tani, ne shohim këtu Kishën e gjallë... Hyji
ju shoqëroftë çdo ditë dhe ju bekoftë ju së bashku me familjet
tuaja e miqtë tuaj. Me gjithë qejf ju jap Bekimin Apostolik,
ashtu sikurse të gjithë të rinjve të Francës.
Faleminderit për fenë tuaj dhe vigjiljen e
mirë.
Nga Osservatore Romano
titujt kryesore |
|