ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

BENEDIKTI XVI NË PARIS

 

 

 

Në Paris, e shtunë 13 shtator 2008, në Esplanade des Invalides gjatë kremtimit eukaristik në homelinë e

Tij Benedikti XVI tha ndër të tjera:

 

 

Zotëri Kardinal Vingt-Trois

Zotërinj Kardinalë dhe të dashur Vëllezër në Episkopat, vëllezër e motra në Krishtin,

 

Jezu Krishti na bashkon në këtë vend të mrekullueshëm, në mes të Parisit, në këtë ditë në të cilën Kisha universale feston shën Gjon Gojartin, njërin prej Mësuesve të vet më të mëdhenj, që, me dëshminë e tij të jetës dhe mësimin e tij, u ka treguar me efikasitet të krishterëve rrugën që duhet të ndjekin…

Letra e parë e shën Palit, e drejtuar Korintianëve, na bën të zbulojmë, në këtë vit të Shën Palit, të hapur 28 qershorin që kaloi, se sa aktuale mbeten këshillat e dhëna prej Apostullit. “Ikni nga idhujtaria” (1 Kor 10,14), i shkruan një bashkësie shumë të karakterizuar prej paganizmit dhe të ndarë mes bashkimit me risinë e Ungjillit dhe zbatimit të praktikave të lashta të trashëguara prej të parëve. Ikni prej idhujve, në atë kohë donte të thoshte reshtni së nderuari hyjnitë e Olimpit, reshtni së kushtuari atyre fli të përgjakshme. T'u ikje idhujve donte të thoshte të viheshe në shkollën e profetëve të Besëlidhjes së Vjetër, që denonconin prirjen e shpirtit njerëzor për t'u modeluar me paraqitjet e rreme të Hyjit…

Kjo ftesë për t'u ikur idhujve mbetet e vlefshme edhe sot. A nuk i ka krijuar bota bashkëkohore idhujt e vet? A nuk i ka imituar, ndoshta pa e ditur as vetë, paganët e lashtësisë, duke e larguar njeriun prej qëllimit të vet të vërtetë, prej lumturisë për të jetuar përjetësisht me Hyjin? Kjo është një pyetje që çdo njeri, i ndershëm me vetveten, nuk mund të mos ia bëjë vetvetes. Çfarë është e rëndësishme në jetën time? Çfarë vë unë në vendin e parë? Fjala “idhull” rrjedh prej greqishtes dhe do të thotë “shëmbëlltyrë”, “figurë”, “paraqitje”, por edhe “spektër”, “fantazëm”, “dukje e kotë”. Idhulli është një mashtrim, sepse e largon prej realitetit atë që i shërben për ta futur në mbretërinë e dukjes. Kështu, a nuk është ky një tundim karakteristik i epokës sonë, që është i vetmi mbi të cilin ne mund të veprojmë me efikasitet? Tundim idhujtarie një e kaluar që nuk ekziston më, duke i harruar mangësitë e saj; tundim idhujtarie një e ardhme që nuk ekziston ende, duke besuar se njeriu, vetëm me forcat e veta, mund të realizojë lumturinë e amshuar në tokë! Shën Pali u shpjegon Kolosianëve se lakmimi i tepruar është idhujtari (krh. 3,5), dhe i kujton nxënësit të vet Timote se lakmia e të hollave është rrënja e të gjitha të këqijave…Të hollat, etja për të pasur, për pushtet dhe madje edhe për dije, a nuk e kanë larguar njeriun prej Qëllimit të vet të vërtetë, prej të vërtetës së vet?...

Së fundi, nëse marrim fjalët që Krishti na ka lënë në Ungjillin e vet, do të thoshim se Ai vetë na ka mësuar t'i ikim idhujtarisë, duke na ftuar ta ndërtojmë shtëpinë tonë “mbi shkëmb” (Lk 6,48). Kush tjetër është ky shkëmb përveçse Ai vetë? Mendimet tona, fjalët tona dhe veprimet tona nuk e fitojnë përmasën e tyre të vërtetë përveçse kur ia referojmë porosisë së Ungjillit: “Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet” (Lk 6,45).

Shpresa do të mbetet gjithmonë më e forta! Kisha, e ndërtuar mbi shkëmbin e Krishtit, zotëron premtimet e jetës së amshuar jo sepse anëtarët e saj janë më të shenjtë se njerëzit e tjerë, por sepse Krishti ia ka bërë këtë premtim Pjetrit: “Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s'do të ngadhënjejnë kundër saj!” (Mt 16,18). Në këtë shpresë të pashterrshme në praninë e amshueshme të Hyjit në secilin prej shpirtrave tanë, në këtë gëzim të të diturit se Krishti është me ne deri në fund të kohëve, në këtë forcë që Shpirti u dhuron të gjithë burrave dhe të gjitha grave që pranojnë ta lënë veten të përfshihen prej Tij, unë po ju besoj, të dashur të krishterë të Parisit e të Francës, veprimit të fuqishëm e të mëshirshëm të Hyjit të dashurisë që ka vdekur për ne në Kryq dhe është ngjallur lavdishëm mëngjesin e Pashkëve. Të gjithë njerëzve vullnetmirë që po më dëgjojnë, unë u kujtoj së bashku me shën Palin: Ikini kultit të idhujve, mos reshtni së bëri të mirën!

Hyji, Ati ynë, ju tërheqtë nga vetja dhe bëftë që të ndrisë mbi ju shkëlqimi i lavdisë së tij! Biri i vetëm i Hyjit, Mësuesi ynë dhe Vëllai ynë, ju zbuloftë bukurinë e fytyrës së vet prej të Ngjalluri! Shpirti Shenjt ju mbushtë me dhuratat e veta dhe ju dhashtë gëzimin e njohjes së paqes dhe dritës së të Shenjtërueshmes Trini, tani e në shekuj të shekujve! Amen.

                                                                                 

 Nga Osservatore Romano

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster