|
IMZOT ANGELO MASSAFRA NË SHALË-SHOSH-PULT
Ditët 20-24 gusht
kanë qenë ditë të veçanta për vizitën e Ipeshkvit tonë Imzot
Angelo Massafra bashkësive të krishtera të Dukagjinit dhe të
Pultit. Duke i takuar këto bashkësi, Bariu ynë ka pranuar
situata të ndryshme të vështirësive, por edhe shpresat dhe
dëshirat e mira e këtij populli.
Vizita, me
kremtimin e Meshës dhe me krezmime, ka interesuar fshatrat e
Shalës dhe e Shoshit si: Thethi, Bregu i Lumit dhe Palaj me Atë
Antonio Imperato, përgjegjësi baritor i tyre i cili ka qenë
ndihmuar nga motrat Kapuçine të Zojës së Papërlyer të Lurdit që
jetojnë në Obot . Pas fshatrat e Pultit: Plan, Kiri, Xhan e
Prekali.
Gjatë Meshës së
Shenjtë janë Kremtuar sakramente të ndryshme: Pagëzimi, Rrëfimi,
Kungimi, Krezmimi dhe Martesa. Krezmimin e kanë marrë tri grupe
adoleshentësh, të cilët duke hyrë në Kishë me qirinj të ndezur i
kanë dhënë një solemnitet të veçantë kremtimit Eukaristik. Në
predikim, duke u nisur nga pjesa e Ungjillit në të cilën Jezusi
pyet apostujt e vet: “Kush mendojnë njerëzit se jam unë”,
Ipeshkvi iu drejtua të rinjve duke i pyetur: “Për ju, kush është
Jezusi? Çfarë njohjeje keni për Jezusin? Cilin vend ka Fjala e
Tij në jetën tuaj? Pastaj vazhdoi: Ju të rinj keni hyrë në kishë
me qirinj të ndezur: çfarë domethënieje kanë ata? Sot Jezusi ju
thotë: Ju jeni drita e botës, ju jeni sot dëshmitarët e mi.
Gjatë periudhës komuniste të rinjtë e tjerë kanë e dëshmuar me
gjak se i përkasin Krishtit dhe Kishës, tani kjo dëshmi ju takon
juve”.
Në fund të çdo
kremtimi Shkëlqesia u drejtohej prindërve me qartësi e me
shembuj të shumtë, duke u bërë thirrje që të kremtojnë
sakramentin e martesës sipas ligjit të Zotit, duke respektuar
dëshirën e vajzave, pra me lirinë e tyre. I ftonte që të kenë
kujdes moshën, që mos të jetë tepër e ndryshme mes të fejuarve
dhe sidomos jo minorene. Ipeshkvi i ka porositur: “Mos e shitni
fenë tuaj duke i martuar vajzat me këdo që prezantohet”. Vazhdoi
duke u dhënë edhe këshilla të tjera për sa i përket jetës
shpirtërore.
Në fund, si kujtim
i kësaj vizite, në dy famulli, të rinjtë, në emër të të gjithë
popullit, i kanë ofruar Ipeshkvit një shqiponjë druri të
gdhendur nga një i ri prej vendit, një kavanoz me mjaltë duke e
shoqëruar me fjalët “Jeta juaj me Krishtin qoftë gjithmonë e
ëmbël si dhurata e bletëve tona”. Jashtë kishave ka vazhduar
dialogu dhe përshëndetja e ipeshkvit me popull, i cili ishte
shumë i kënaqur dhe mirënjohës për vizitën e Tij në emër të
Zotit.
Edhe ne motrat, me
shumë mirënjohje, e falënderojmë Shkëlqesinë për inkurajimin dhe
vlerësimin që na ka treguar, si edhe për interesimin dhe
kujdesin që vazhdimisht ai e tregon drejt popullit të Pultit.
I premtojmë lutjet
tona dhe i kërkojmë që edhe Ai të na shoqërojë me bekimin dhe
lutjet e veta për të marrë forcë prej Zotit në shërbimin tonë
baritor në këtë zonë të dioqezës.
O Zot, ardhtë
Mbretëria Jote!
Motrat Françeskane të Krishtit Mbret
titujt kryesore |