ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

KOMISIONET DREJTËSI DHE PAQE TË EUROPËS NË BEOGRAD

 

 

Nga data 26-30 shtator 2008 në Beograd u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Europës. Në këtë Asamble morën pjesë përfaqësues të komisioneve të 31 vendeve të Europës. Gjithashtu morën pjesë edhe përfaqësues nga Shqipëria dhe konkretisht Shkëlqësia e Tij Imzot Angelo Massafra, President i Komisionit shqiptar Drejtësi dhe Paqe dhe zoti Luigj Mila sekretar i këtij komisioni.

Ky komision ka mbushur tashmë 6 vjetorin e tij që është anëtar me të drejta të plota në Asambenë Europiane.

Nuk ishte i rastësishëm vendi i zgjedhur për të mbajtur këtë Asamble. Është në filozofinë e komisioneve Drejtësi dhe Paqe organizimi i takimeve dhe work shop-eve në vende të ndryshme të cilat gjatë dekadave të fundit kanë përjetuar dhunë sistematike dhe cënim të vazhdueshëm të të drejtave të njeriut. E njëjta gjë vlen edhe për Republikën Serbe dhe historinë e marrëdhëniet e saj me fqinjët.

Aktiviteti kishte si leitmotiv “Shërimi i plagëve dhe kujtimeve të luftës. Serbia përballë peshës së të kaluarës”dhe ishte konceptuar i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë grupe të ndryshme pjesëmarrësish u shpërndanë në vende të ndryshme të cilat gjatë luftërave etnike të fundit  kishin qenë të ekspozuara në mënyrë të veçantë kundrejt dhunës. Një grup udhëtoi për në Vukovar të Kroacisë, një tjetër në fshatin e quajtur Herckov të Beogradit dhe dy grupe të tjera udhëtuan në Kosovë dhe konkretisht në kryeqytetin e saj Prishtinën dhe në qytetin e Mitrovicës. Të katërtat grupe u pritën nga përfaqësues të komuniteteve lokale të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për vizitën dhe informuan ata për problemet e shumta në drejtim të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare. Përfaqësuesit shqiptarë ishin të ndarë në dy grupe të ndryshme. imzot Angelo Massafra udhëtoi me një avion të veçantë për në Prishtinë, ku u takua me Myftiun e Kosovës,  Kryetarin e Parlamentit të Kosovës si dhe me ortodoksë në manastirin e Deçanit. Kurse Z. Luigj Mila ishte në grupin që vizitoi fshatin e Herckovit, fshat ky i njohur për nga dhuna që pësoi gjatë luftës serbo-kroate dhe që banohej nga minoritete shqiptare, kroate dhe hungareze.

Pas këtyre vizitave grupet u kthyen në Beograd, duke paraqitur dëshmitë e tyre në seancë plenare. Në këtë seancë u propozua dhe u miratua një deklaratë e cila do të shpërndahet enteve dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare.

Pjesa e dytë e asamblesë u fokusua në zgjedhjet e reja. Presidenca e këtyre komisioneve, siç ishte paralajmëruar 1 vit më parë iu besua komisionit francez, ndërsa komiteti ekzekutiv u zgjodh nga Asambleja me votim të fshehtë me përfaqësues nga vende të Europës Perëndimore dhe Lindore. Për 3 vitet e ardhshme kryesia e Asamblesë së komisioneve Drejtësi dhe Paqe  Europës do të jetë si vijon: Imzot Gerard Defois, President (Francë); Dr. Lesia Kovalenko, Zv/presidente (Ukrainë); Motër Marie-Laure Denes, Sekretare e Pergjithshme(Francë); Jörg Lüer, Ish Sekretar i Përgjithshëm, (Germani). Anëtarë: Cecilia Dall'Oglio, (Itali); Victor Scheffers (Holandë). Dr. Darko Tomasevic (Bosnia dhe Hercegovina); Nicola Rooney (Irlanda/BM); Luigj Mila (Shqipëri).

 

Luigj Mila

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster