|
|
LAJME NGA DIOQEZA E SAPËS
KUSHTIMI I KISHËS KATEDRALE NË LAÇ VAU-DEJËS
Ngjarje e madhe
historike është shënuar me 6 shtator 2008, për Dioqezën e Sapës,
e cila gëzoi në shugurimin e Kishës nënë, Katedrales së re,
kushtuar bijës së popullit shqiptar, të Lumes Nënë Tereza.
Qindra besimtarë shtegtuan drejt Katedrales për të marrë pjesë
në kremtimin e kësaj dite, që na e dhuroi Zoti, duke kënduar e
galduar së bashku. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre e gjithë
hierarkia e Kishës Katolike në Shqipëri, meshtarë e motra,
përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues të Ambasadave
diplomatike, Deputetë, autoritetet e larta civile vendore dhe
lokale, si dhe miq të ardhur nga Italia, Kosova, Mali i Zi etj.
Mesha e Shenjtë u
udhëhoq nga ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ish-ipeshkëv
i Sapës, në bashkëkremtim me gjithë vëllezërit meshtarë të
pranishëm. Në fillim të meshës, ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan
Avgustini iu uroj mirëseardhjen të gjithëve dhe e falenderoi
Zotin për këtë tempull të ri që për ndërmjetësuese ka zgjedhur
të Lumen Nënë Tereza.
Duke iu drejtuar
Imzot Dodës, ai tha “ Veprën të cilën ti vetë e fillove vite më
parë për ndërtimin e kësaj katedrale ne mbi të mbimuruam, sot
arritëm ta përfundojmë, ju lutem që ta shuguroni. E menjëherë
Imzot Doda bekoi ujin me të cilin bekoi muret e Katedrales.
Ndërsa në homelinë e rastit imzot Dodë Gjergji falenderoi Zotin
që u arrit të ndërtohet kjo vepër. “Është vullnesa e tij,
dashuria dhe kujdesi i bamirësve që kanë ndihmuar në realizimin
e këtij tempulli madhështor në të cilin jemi mbledhur, dhe
marrshim nga ky vend i shenjtë bekime të shumta e mbi të gjitha
e bartshim dhe e zbatofshim në jetë porosinë dhe shembullin e
dashurisë së Nënë Terezës”. Riti i shugurimit vazhdoi me lyerjen
e elterit dhe kushtimin e tij, i cili mbi të gjitha është shenjë
e atij elteri të gjallë që është Krishti.
Ndërkohë, po në
këtë elter Ipeshkvi i Sapës, vendosi me duart e tij reliket e së
Lumes Nënë Tereza, Shën Crisante e Daria, Shën Paola Frasineti,
e Lumtura Giovana Scopelli, e në bazë të dëshmive që i kemi tha
Ipeshkvi, dëshmoi se janë autentike. Reliket u vendosën në
krahun e majtë të elterit.
Historia e kësaj
dioqeze është e lashtë dhe me plot vuajtje. Kur kujtojmë se kjo
dioqezë është toka e katedraleve, siç janë ajo e Sapës që dikur
kishte katedralen e Shën Mëhillit, sot e rrënuar në majen e
malit të Shën Mëhillit; Katedralja e Shën Gjergjit, e cila
qëndron si një bukuroshe në majen e malit të Nënshatit, ku kanë
shërbyer të mëdhenjtë e këtij kombi si Imzot Pjetër Budi, Imzot
Frang Bardhi, Imzot Lazer Mjeda, Imzot Vinçenc Prendushi, Imzot
Gjergj Volaj, këta dy të fundit të pushkatuar nga regjimi
komunist; katedralja e Dioqezës së Dagnum (Deja), katedralja e
Shën Markut dhe Sarda, katedralja Të Ngjiturit e Virgjëres Mari
në qiell në ishullin e Shurdhahut.
Është e
rëndësishme se tashmë në Katedralen e Lumja Nënë Tereza në
Vau-Dejës, pajtorët e këtyre katedraleve janë të paraqitura në
vetratat shumëngjyrëshe të punuar me mjeshtëri nga dora e
njeriut.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|