|
|
RREGULLTARË DHE LAIKË
SË
BASHKU THARM PËR MBRETËRINË E ZOTIT
Kjo ishte tema e
asamblesë III kombëtare që u zhvillua në Fshatin e Paqes nga
datat 7-9 shtator. Temë e përzgjedhur me mjaft finesë nga
organizatorët dhe që ka ngjallur një interesim të madh, për nga
numri i pjesëmarrësve, qoftë meshtarë, rregulltarë e rregulltare
por edhe të laikëve. Rregulltarë e laikë nga e gjithë Shqipëria
për 3 ditë me radhë në praninë e ipeshkvijve të tyre, diskutuan
dhe shkëmbyen përvojat e tyre së bashku.
Fjalën e hapjes së
asamblesë e mbajti Imz. Ottavio Vitale, i cili bëri një
përmbledhje historike të jetës fetare në Shqipëri. Nuk mund të
mungonte edhe përshëndetja e Arqipeshkvit tonë Imz. Angelo
Massafra, i cili e përgëzoi asamblenë dhe tërhoqi vëmendjen në
formimin dhe angazhimin e sa më shumë laikëve në dobi të mbarë
shoqërisë. Në ditën në vijim Atë Gazmend Tinaj, në relacionin e
tij të mbajtur me këtë rast, foli mbi situatën politike dhe
shoqërore në Shqipëri, gjendjen rregulltare dhe të Kishës, për
besimtarët e krishterë laikë, bashkëpunimin
rregulltarë-besimtarë të krishterë laikë dhe përfundoi mbi disa
mundësi konkrete se çfarë po bën Kisha për edukimin e brezave të
ardhshëm, mbi formimin e klasës drejtuese të krishterë me vlera
të krishtera.
Meqë asambleja i
kushtohej rregulltarëve dhe laikëve, marrëdhënies dhe
bashkëpunimit midis tyre, kanë qenë disa laikë nga zona të
ndryshme të Shqipërisë të cilët kanë folur mbi përvojat e tyre
me rregulltarë, mbi mënyrën se si punohen me ta dhe mbi
perspektivat që ata vetë u vënë përpara. Ishte mjaft interesante
të dëgjoje prej vetë atyre se si ata i perceptojnë rregulltarët
dhe se çfarë presin prej tyre. Por, nga ana tjetër, edhe
rregulltarët kanë folur dhe diskutuar për laikët, bashkëpunëtorë
të cilët ata i takojnë në angazhimet e ndryshme, dhe si
konkluzion mund të themi që aktualisht laikët në Shqipëri kanë
nevojë për një formim më të gjatë, më konstant sepse nuk janë të
guximshëm të veprojnë e të shfaqin vlerat e krishtera në
shoqërinë e sotme moderne, e cila i ka nxjerrë jashtë mode
vlerat e vërteta. Laikët duhet të jenë më kërkues në procesin e
formimit, të kërkojnë prej meshtarëve e motrave, të këshillohen
për situata apo probleme të cilat ata mund të gjenden në jetë,
kështu që ata të jenë një tharm për shenjtërinë e botës.
Shqipëria ka nevojë për këtë tharm të vërtetë që me sa duket i
mungon akoma. Akoma gjenden mes nesh besimtarë të krishterë, të
cilët janë të mirë për veten e tyre por jo për shoqëri, në
realitet janë të padobishëm. Nga kjo asamble në punët në grupe
kanë dalë shumë sugjerime konkrete të cilat shpresojmë që në të
ardhmen të marrin formë dhe të konkretizohen, mos të mbesin të
shkruara në letër. Por në të vërtetë çfarë pret kisha nga
laikët?
Përgjigjen e
gjejmë në dokumentin e Kishës Besimtarët laikë të Krishtit i
cili thotë “... prandaj me anë të dinjitetit të përbashkët
pagëzimor Besimtarët e krishterë laik janë bashkëpërgjegjës, së
bashku me meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, të misionit
të Kishës, për këtë arsye bota bëhet sfera dhe mjeti i thirrjes
së krishterë të besimtarëve laik sepse ajo vetë është e adresuar
të lavdërojë Hyjin Atë në Krishtin. Ata janë drita e botës dhe
kripa e tokës, sepse të gjithë janë të thirrur të jenë të
shenjtë në saje të pagëzimit.
Motër Luiza Milani
titujt kryesore |
|