ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

VITI I SHËN PALIT

 

Krishterimi nuk është «një filozofi e re apo një moral i ri» por një ngjarje që lind nga takimi personal me Krishtin dhe arsyen e hap ndaj së vërtetës: ka thënë Papa në takimin e përgjithshëm të së mërkurës së datës 3 shtator në Sallën Pali VI.

 

 

Të dashur vëllezër dhe motra,

Katekeza e sotme do t'i kushtohet përvojës që Shën Pali pati në rrugën për Damask, pra asaj që zakonisht quhet si kthimi i tij. Pikërisht në rrugën për Damask, në afër viteve 30 të shekullit të parë dhe pas një periudhe ku kishte përndjekur Kishën, ndodhi ngjarja vendimtare për jetën e Palit. Për të shumë është shkruar dhe natyrisht nga pikëpamje të ndryshme. I sigurt është fakti se që aty filloi një kthim, madje një përmbysje perspektive. Atëherë, ai papritmas, filloi ta quante “humbje” dhe “llom”gjithë atë që më parë përbënte për të idealin më madhor, thuajse arsyen e ekzistencës së tij (krh. Fil 3, 7-8). Ç'kishte ndodhur?

Për këtë kemi dy lloje burimesh. Lloji i parë, më i njohuri, janë tregimet falë shkrimit të Lukës, që për tri herë e tregon këtë ngjarje në Veprat e Apostujve (krh. 9, 1-19; 22, 3-21; 26, 4-23). Lexuesi i mesëm mbase është i tunduar që të ndalet tepër mbi disa detaje, si drita nga qielli, rënia përtokë, zëri që thërret, gjendja e re e verbërisë, shërimi si një rënie pareje peshku prej syve dhe agjërimi. Por të gjitha këto detaje i referohen qendrës së ngjarjes: Krishti i ngjallur shfaqet si një dritë e ndritshme dhe i flet Saulit, e shndërron mendimin e tij dhe vetë jetën e tij. Ndritja e të të Ngjallurit e verbon: kështu bëhet e dukshme ai që ishte edhe realiteti i tij i brendshëm, verbëria e tij përballë së vërtetës, përballë dritës që është Krishi. E pastaj “po”-ja e tij përfundimtare ndaj Krishtit e bërë me anë të pagëzimit i hap sërish sytë e tij, e bën të shohë me të vërtetë.

Në Kishën e hershme pagëzimi quhej edhe “ndritje”, sepse një sakrament i tillë jep dritën, bën të shohësh vërtetë. Ajo që thuhet kështu teologjikisht, në Palin realizohet edhe fizikisht: i shëruar nga verbëria e tij e brendshme, sheh mirë. Shën Pali, pra, është shndërruar jo nga një mendim por nga një ngjarje, nga prania e papërballueshme e të të Ngjallurit, për të cilën kurrë më nuk do të dyshojë, kaq e fortë ka qenë qartësia e ngjarjes, e këtij takimi. Ai e shndërroi që në themel jetën e Palit; në këtë kuptim duhet dhe mund të flasim për një kthim. Ky takim është qendra e tregimit të shën Lukës, i cili ka shumë mundësi që të ketë përdorur një tregim me shumë mundësi të lindur në bashkësinë e Damaskut. Këtë na bën ta mendojmë tregimi i gjallë i dhënë nga prania e Ananisë si dhe emrat e rrugëve, por edhe të pronarit të shtëpisë ku Pali u strehua (krh. Vap 9, 11).

Lloji i dytë i burimeve mbi kthimin e tij përbëhet nga vetë Letrat e shën Pali. Ai kurrë nuk ka folur në detaje për këtë ngjarje, them se këtë e bënte ngaqë supozonte se të gjithë tashmë e njihnin thelbin e kësaj historie, të gjithë e dinin se nga përndjekës ishte shndërruar në apostull i flaktë i Krishtit. E kjo kishte ndodhur jo si pasojë e ndonjë reflektimi të tij personal, por si pasojë e një ngjarjeje të fortë, e një takimi me të Ngjallurin.  Edhe pse nuk flet në detaje ai e përmend disa herë këtë ndodhi shumë të rëndësishme, pra faktin se edhe ai është dëshmitar i ngjalljes së Jezusit, se e ka marrë direkt nga vetë Jezusi zbulimin si edhe misionin e apostullit.

Teksti më i qartë mbi këtë pikë gjendet në tregimin e tij rreth asaj që përbën qendrën e historisë së shëlbimit: vdekja dhe ngjallja e Jezusit dhe të shfaqurat e tija dëshmitarëve (krh. 1 Kor 15). Me fjalë të traditës shumë të hershme, që edhe ai i ka marrë nga Kisha e Jerusalemit, thotë se Jezusi i vdekur në kryq, i varrosur, i ngjallur iu shfaq, pas ngjalljes, më parë Kefës, domethënë Pjetrit, dhe pastaj të Dymbëdhjetëve, pastaj pesëqind vëllezërve pjesa më e madhe në atë kohë ishin akoma gjallë, pastaj Jakobit, pastaj të gjithë Apostujve. E këtij tregimi të marrë nga tradita i shton: «Më së fundi m'u dëftua edhe mua» (1 Kor 15, 8). Kështu bën të kuptohet se ky është themeli i apostullimit të tij dhe i jetës së tij të re. Ka edhe tekste të tjera në të cilat duket po kjo gjë: «Nëpër Jezu Krishti ne morëm hirin të jemi apostuj» (Rm 1, 5); e përsëri «A nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë?» (1 Kor 9, 1), fjalë me anë të të cilave aludon për një gjë që të gjithë e dinë. E më në fund tekstin më të njohur e lexojmë në Gal 1, 15-17: «Porse, kur Atij që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë, unë menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask». Në këtë “autoapologji” nënvizon fort se edhe ai është dëshmitar i të Ngjallurit, ka një mision të vetin që e ka marrë direkt nga i Ngjalluri.

Kështu mund të shohim se dy burimet, Veprat e Apostujve dhe Letrat e shën Palit, përputhen e përputhen tek pika themelore: i Ngjalluri i ka folur Palit e ka thirrur në apostullim, e ka bërë atë një apostull të vërtetë, dëshmitar të Ngjalljes, me detyrën e veçantë që t'ua shpallë Ungjillin paganëve, botës greko-romake. E në të njëjtën kohë Pali ka mësuar se, pavarësisht nga lidhja e drejtpërdrejtë e tij me të Ngjallurin, ai duhet të hyjë në bashkimin e Kishës, i duhet të pagëzohet, i duhet të jetojë në sintoni me apostujt e tjerë. Vetëm në këtë bashkim me të gjithë ai do të mund të jetë një apostull i vërtetë, siç shkruan qartë në Letrën e parë drejtuar Korintianëve: «Si unë ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat» (15, 11). Ka vetëm një shpallje të të Ngjallurit, sepse Krishti është një i vetëm.

Siç shihet, në të gjitha këto tekste Pali nuk e interpreton kurrë këtë moment si një ngjarje kthimi. Përse? Ka shumë hipoteza, por për mua arsyeja është shumë e qartë. Kjo kthesë e madhe në jetën e tij, ky shndërrim i krejt qenies së tij, nuk ishte fryt i një procesi psikologjik, i pjekurie apo evoluimi intelektual dhe moral, por erdhi nga jashtë: nuk qe fryti i mendimit të tij, por i takimit me Krishtin Jezus. Në këtë kuptim nuk ishte thjesht një kthim, një pjekuri e “unit” të tij, por qe një vdekje dhe ringjallje për vetë atë: vdiq një ekzistencë e tij dhe një tjetër lindi së bashku me Krishtin e Ngjallur. Në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të shpjegohet ko risi në Palin. Asnjë lloj analize psikologjike nuk mund ta qartësojë apo ta zgjidhë problemin. Vetëm ngjarja, takimi i fortë me Krishtin, është çelësi për të kuptuar se ç'ndodhi: vdekje dhe ringjallje, ripërtëritje nga ana e Atij që i ishte dukur dhe që kishte folur me të. Në këtë kuptim më të thellë mundemi dhe duhet të flasim për një kthim. Ky takim është një ripërtëritje reale që ia ka ndryshuar të gjithë parametrat. Tani mund të thotë se ajo që për të më parë ishte thelbësore dhe themelore, është bërë për të një “llom”; nuk është më “fitesë”, por humbje, sepse tashmë vlen vetëm jeta në Krishtin.

Gjithsesi nuk duhet të mendojmë se Pali kështu është mbyllur në një ngjarje të verbër. E kundërta është e vërtetë, sepse Krishti i Ngjallur është drita e së vërtetës, drita e vetë Hyjit. Kjo ia ka zgjeruar zemrën, e ka bërë të hapur ndaj të gjithëve. Në këtë moment nuk e ka humbur atë që ishte e mirë dhe e vërtetë në jetën e tij, në trashëgiminë e tij, por e ka kuptuar në një mënyrë të re urtinë, të vërtetën, thellësinë e ligjit dhe të profetëve, i ka përvetësuar ato në një mënyrë të re. Në të njëjtën kohë arsyeja e tij i është hapur urtisë së paganëve; meqë i është hapur Krishit me gjithë zemër, është bërë i aftë për një dialog të gjerë me të gjithë, është bërë i aftë të bëhet gjithçka për të gjithë. Kështu mund të ishte realisht apostulli i paganëve. Duke ardhur tek ne tani, e pyesim veten se ç'do të thotë kjo për ne? Do të thotë se edhe për ne krishterimi nuk është një filozofi e re apo një moral i ri. Të krishterë jemi vetëm nëse takojmë Krishtin. Sigurisht se ai nuk na shfaqet ne në këtë mënyrë të papërballueshme, të ndritshme, siç ka bërë me Palin për ta bërë apostullin e të gjithë popujve. Por edhe mund ta takojmë Krishtin, në leximin e Shkrimit të  Shenjtë, në lutje, në jetën liturgjike të Kishës. Mund ta prekim zemrën e Krishtin dhe të ndjejmë se ai na prek zemrën tonë. Vetëm në këtë marrëdhënie personale më Krishtin, vetëm në këtë takim me të Ngjallurin bëhemi realisht të krishterë. E kështu arsyeja jonë hapet, hapet e tërë urtia e Krishtit dhe e tërë pasuria e së vërtetës. Pra t'i lutej Zotit që të na shndrisë, që në botën tonë të na dhurojë takimin me praninë e tij: e kështu të na japë një fe të gjallë, një zemër të re, një dashuri të madhe për të gjithë, të aftë që ta ripërtërijë botën.

                                 

  Nga Osservatore Romano

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster