|
“Viti 2009 përkujton
tetëqindvjetorin e themelimit të Urdhrit të Parë Françeskan dhe
hap kohën e përgatitjes për vitin 2012, përvjetori i themelimit
të Urdhrit të Motrave të Varfra të Shenjtes Kjarë.
Që ky përvjetor të jetë me të
vërtetë një moment hiri për të gjithë ne dhe në mënyrë të
veçantë për ju, ju ftoj që ta lini veten sërish të vizitoheni
nga hiri i origjinës, me qëllim që të mund të nxirrni nga kjo
ngjarje freskinë ungjillore dhe të jeni në histori banesë dhe
seli, shenjë e besueshme e Hyjit që e kërkon njerëzimin me një
dashuri plot pasion”.
Me këto fjalë, në letrën e tij të
fundit Ministri i Përgjithshëm O.F.M., Atë Josè Carballo, u
drejtohet Motrave Klarise të shpërndara kudo në botë me rastin e
festës së Shenjtes Kjarë 2009.
Edhe në Shkodër, Motrat Klarise
kanë pasur gëzimin ta kujtojnë Nënën e tyre Shenjten Kjarë dhe
t'i japin fillesë ecjes së tyre drejt tetëqindvjetorit.
Në kremtimin solemn të drejtuar
nga Arqipeshkvi Imzot Angelo Massafra, ishin të pranishëm
Ministri Provincial i O.F.M.-ve të Shqipërisë, Atë Gazmand Tinaj,
së bashku me fretërit e Provincës dhe me disa meshtarë dioqezanë.
Shumë besimtarë dhe rregulltare
janë përqendruar në lutje në oborrin e manastirit që – siç ka
kujtuar Arqipeshkvi – puna dhe përkujdesi i Motrave, ndihma e
bamirësve, por sidomos mirësia e Hyjit që bën mrekulli, e kanë
bërë kaq të bukur, duke na sjellë ndër mend bukurinë e Krijuesit
që ka bërë mirë gjithçka.
Të thirrura për ta jetuar
Ungjillin si soditëse në qendër të qytetit, në një vend historik
ku shumë vëllezër e motra kanë ofruar jetën e tyre për të
dëshmuar besimin, Motrat Klarise vazhdojnë të jenë për të gjithë
shenjë e një Hyji që mbjell në histori, të një Hyji që nuk
lodhet kurrë duke e kërkuar njeriun dhe duke i qëndruar afër
atij, sepse e do me një dashuri të pakufi.
“Duke qenë se Zoti ka na
thirrur
për gjëra kaq të mëdha,
duhet ta bekojmë shumë
dhe ta lavdërojmë Hyjin,
si dhe të forcohemi edhe më
shumë
për të bërë të mirën në Zotin”.
(nga Testamenti i Shenjtes
Kjarë)
titujt kryesore |