ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

35 VJETORI I MESHTARISË SË IMZOT ANGELO MASSAFRËS

 

 

 

Emocione të thella ka pasur Atë Angelo Massafra, kur më 21 shtator 1974 është shuguruar meshtar në Leçe të Italisë. Është arbëresh e ka edhe nënshtetësi shqiptare. Ka mësuar bukur shqipen dhe me një tingull të veçantë të stilit fetar, si shumë klerikë të huaj, ndër të cilët  Iungu, Cordignano, Cavallini e të tjerë, të cilët jo vetëm që e përdorën shqipen me mjeshtëri, por edhe hartuan gramatika e fjalorë, bënë shumë studime në fusha të ndryshme të historisë, etnografisë dhe arkeologjisë shqiptare.

Jam njohur me këtë frat shumë energjik në gjysmën e parë të vitit 1993. Lezha atëherë kishte vetëm një ipeshkëv me katër meshtarë. Të gjithë klerikët ishin të moshuar, të lodhur e të dërmuar nga burgjet e torturat komuniste. Atë Angelo erdhi si një meshtar i thjeshtë. Qe mësues i novicëve dhe famullitar në Troshan e Fishtë.

Për një periudhë të shkurtër, me punën e tij të gjallë e konkrete, me aktivitetet me rininë, u bë i njohur në të gjithë Lezhën e më gjerë.

Ishte i palodhur në shërbimet fetare, kulturore e artistike, sidomos me të vegjlit e të rinjtë. Është i pari meshtar - i pari dhe i fundit - që të premten e madhe të vitit 1994 ka udhëhequr “Udhën e Kryqit” përmes qytetit të Lezhës. Ishin me qindra besimtarët që po e ndiqnin rrugës këtë meshtar të përvujtë. Edhe ballkonet e apartamenteve ishin të stërmbushura me besimtarë që bënin shenjën e kryqit dhe që e përcillnin me shumë respekt këtë ngjarje të rëndësishme.

Rinia françeskane e Lezhës, e drejtuar nga ky meshtar i zellshëm, në vjeshtën e vitit 1994, zhvilloi një ndeshje futbolli me rezervat e Besëlidhjes së Lezhës.

Nga viti 1993 deri në vitin 1997 ai ka shërbyer në Lezhë. Grupi artistik i kishës ka dhënë për Krishtlindje, për Pashkë dhe për festën e shën Antonit nga një melodramë dhe programe të bukura artistike. Janë dhënë mbi 10 kumtesa për biblën dhe për jetën e shën Antonit. Për çdo verë, pranë kishës françeskane të Lezhës, janë ngritur kampe verore, ku janë aktivizuar qindra e qindra fëmijë.

Atë Angelo, me shoqërinë e tij italiane, arriti të rikonstruktonte kuvendin e Lezhës, të ndërtonte kishën e shën Antonit në malin e Troshanit dhe, në vitin 1998, të kushtonte kishën e re të shën Gjergjit, po në Lezhë.

Një punë të madhe ka bërë edhe në rikonstruksionin e ndërtesës së ipeshkvisë.

Mua më ka dashur shumë. Shpesh ka ardhur me novicët në shtëpinë time e unë si me shaka i thosha: “Atë Angelo, e mbyte veten me punë. Mos kujto se kanë me të ba papë”. Por tani kam përshtypjen se paskam gabuar, mbasi, me datën 06. 01. 1997, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II e shuguroi ipeshkëv dhe e caktoi si ipeshkëv të dioqezës së Rrëshenit dhe si Administrator Apostolik të dioqezës së Lezhës.

Në vitin 1998 u emërua Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i dioqezës së Sapës. Në vitin 2000 u emërua anëtar i Këshillit papnor “Cor Unum”. Me datën 17 qershor 2009, Kardinali Ivan Dias, Prefekti i Kongregatës për Ungjillizimin e popujve, i dorëzoi Dekretin me të cilin Papa Benedikti XVI e kishte konfirmuar Arqipeshkvin tonë si këshilltar të kësaj Kongregate edhe për pesë vite të tjera.

Për punën e tij të palodhur dhe për kontributin e shquar që ka dhënë Imzot Angelo Massafra, u shpall qytetar nderi i bashkisë së Lezhës, Rrëshenit dhe Shkodrës.

Në emër të familjes, miqve dhe shokëve, i urojmë Imzot Angelos 35 vjetorin e meshtarisë dhe jetë të gjatë.

 

 

Franc Rodoja

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster