|
|
Për zonë tonë
baritore aktivitetet verore kanë filluar në javën e parë të
muajit korrik. Në fillim duam të falënderojmë Zotin Jezus për
ndihmën dhe kurajon e derdhur në zemrat tona për kryerjen e
këtyre aktiviteteve.
Si çdo vit së
bashku me ministrantët e fshatrave Bardhaj, Bardhanjor e Oblikë
shkuam në Razëm për një kamp formimi tre ditor. Në këto dy
treditësha, të ndarë në dy grupmosha, ministrantët e lanë veten
të udhëhiqen nga figura dhe shembulli i shën Palit. Atë Giuseppe
e Atë Rolando, së bashku me disa animatorë të Bardhajve dhe të
Oblikës udhëhoqën dhe shoqëruan ministrantët e vegjël e të
mëdhenj në këtë javë formimi nga data 6 deri me 12 korrik.
Në javën e dytë,
nga data 13 deri 18 korrik, u zhvillua kampi tjetër i formimit
në Razëm për katekistët e animatorët e fshatrave të Bardhajve,
të Oblikës e të Obotit. Tema kryesore që u trajtua ishte: “Të
krishterë me stil”. Nëntemat që e ndiqnin shtjellonin rëndësinë
e të krishterit të sotëm për të qenë dëshmitar koherent dhe
besnik thirrjes së marrë me pagëzim. Edhe në këtë javë
dëshmitari që na përcolli ishte shën Pali Apostull, ekspert
dëshmie e besnikërie. Në këtë kamp morën pjesë 30 të rinj e pesë
animatorë. Kampi u drejtua nga Atë Dorian Mjeshtri, Motër Elisa
Gevasi e animatorët Nikolin Alia e Ana Marku. Duhet të themi se
kjo përvojë solli shumë fryte vëllazërie, qetësie, bashkëpunimi
dhe gëzimi. Me ndihmën e Zotit Jezus, shpresojmë t'i kultivojmë
dhe t'i ruajmë këto fryte që e zbukurojnë jetën tonë të
krishterë.
Nga data 3 deri
më 14 gusht në fshatin Bardhaj u zhvillua kampi veror për fëmijë
nga mosha 7 deri në 14 vjeç. Fëmijët e regjistruar, 130 vetë,
vinin për të marrë pjesë për dy javë rresht nga e hëna e deri të
premten me këtë orar 8.30 - 12.30. Tema që na udhëhoqi ishte:
“Si vëllezër, në kërkim të Jezusit”. Animatorët, rreth 30 vetë,
ishin të gjithë nga fshati Bardhaj. Në javën e dytë kampi u
pasurua akoma më shumë me praninë e miqve tanë nga Milano. Janë
me të vërtetë miq, sepse është i dhjeti vjet rresht që
bashkëndajnë me fëmijët dhe të rinjtë e Bardhajve gëzim, qetësi
dhe vëllazëri. Këtu vlen për t'u theksuar puna e madhe
parapërgatitore e animatorëve të Bardhajve për zhvillimin e
këtij kampi sa angazhues aq edhe argëtues. Kampi u mbyll, me
festën e datës 14 gusht. Në këtë pasdite u kremtua Mesha e
Shenjtë me pjesëmarrësit e familjarët e tyre. Pas Meshës fëmijët
pjesëmarrës, me në krye animatorët, i paraqitën – në një moment
gëzimi dhe hareje – prindërve të tyre të gjitha momentet e
jetuara gjatë kampit.
Edhe fëmijët e
Oblikës patën mundësinë të përjetonin disa ditë gëzimi dhe
vëllazërie në Shirokë, nën drejtimin e Atë Rolandos, motrave
Vinçenciane. Këta të fundit, së bashku me animatorët e Oblikës,
zhvilluan një kamp një javor.
Pas këtyre
aktiviteteve vëmendja e etërve orioninë u përqendrua në Shirokë.
Atë Rolando Reda udhëhoqi bashkësinë e krishterë të Shirokës në
treditëshin e përgatitjes së Festës së Shën Rrokut. Me datën 15
gusht, ditën e të Ngjiturit e Zojës në Qiell, në vigjiljen e
festës së shën Rrokut, mbas meshë u shfaq recitali muzikor e
teatral: “Shën Pali, Apostulli i njerëzve”. Në ditën e festës së
shën Rrokut u zhvillua procesioni tradicional i shenjtit, i
udhëhequr nga Dom Gjovalin Simoni. Më pas, në orën 11.00 u
kremtua Mesha e Shenjtë e drejtuar nga Imzot Angelo Massafra,
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult dhe e gjallëruar nga
Motrat Stigmatine dhe besimtarët e Shirokës.
Etërit Orioninë
titujt kryesore |
|