|
Më 9-10 shtator 2009 u zhvillua
ASAMBLEJA V DIOQEZANE “Mbi famullinë” për një Baritore
famullitare të përtërirë, në Fshatin e Paqes. Kumtuesi qe Dom
Antonio Ruccia, i cili është Drejtori i Karitasit Bari-Bitonto,
Profesor i Teologjisë Baritore pranë Universitetit Papnor
Urbanian të Romës dhe pranë fakultetit teologjik Puljez të Barit.
Vijon një pjesë e rëndësishme e kumtesës:
“Mund të pohojmë se famullia është
një bashkësi e formuar nga meshtarë, laikë, rregulltarë/e, të
thirrur për të kumtuar Ungjillin, në virtyt të pagëzimit të
marrë dhe të Urdhrit të Shenjtë. Ajo është një bashkësi
besimtarësh në ecje me Ungjillin, me gjunjët e përkulur në
adhurim, me këmbët plot kallo nga udhëtimet që duhen bërë...
Çfarë famullie nevojitet për
Shqipërinë?
Prej këtu lind nevoja e
përcaktimit të karakteristikave specifike të famullisë shqiptare.
Ajo duhet të
ketë tri karakteristika themelore. Të jetë: 1. ungjillëzuese; 2.
misionare; 3. ekumenike dhe ndërfetare.
Në fakt, nëse
nisemi nga ideja se është e mundur ta formojmë bashkësinë e
krishterë ashtu siç ka qenë në fillim të historisë së krishterë,
edhe më shumë duhet të jemi të sigurt se Shqipëria është në
gjendje ta rivlerësojë rolin dhe detyrën e famullisë deri në atë
pikë sa ajo të mund të bëhet një bashkësi e vërtetë e krishterë.
Modelet e bashkësive të para të
krishtera
Libri i Veprave të Apostujve
dëshiron të ofrojë kryesisht një dëshmi të jetës së Kishës së
parë. Për këtë arsye le të marrim si model krahasues, për të
treguar se si famullia mund të bëhet një bashkësi, tri
përmbledhjet që gjithmonë kanë shënuar zgjedhjet përgjatë
historisë së Kishës: 1. Vap 2,42-47; 2. Vap 4,32-35; 3. Vap
5,12-16
Përmbledhjet e Veprave të
Apostujve, në fakt, janë përshkrime të shkurtra që, pa treguar
një episod të veçantë, paraqesin karakteristika konstante dhe
tipike të situatës së bashkësisë. Në realitet, këto përmbledhje
janë udhëzues autentikë për ngjarje për të cilat bashkësia është
thirrur të japë përgjigje. Kjo vlen edhe për pikëpyetjet e bëra
nga çdo bashkësi famullitare.
Tre përmbledhjet, që janë themeli
i vërtetë biblik për të treguar se çfarë është një bashkësi e
krishterë, bëhet pika e referimit për të përcaktuar rolin e
bashkësisë famullitare në realitetin bashkëkohor dhe mund të
përmblidhen në këto tematika: dëgjimi i Fjalës, katekeza,
kremtimi liturgjik dhe bashkëndarja vëllazërore, bashkëndarja e
të mirave siç ishte në atë kohë dhe ashtu si sot duhet të vihet
në praktikë, veprimtaria baritore në lidhje me të sëmurët dhe
veprimi ungjillëzues i apostujve siç ishte dhe si sot mund të
realizohet.
Kështu dalin në pah disa elemente
të përbashkët si: prirja për t'u mbledhur që të bëhen Kishë,
frekuentimi i rregullt dhe unanimiteti në lutje, angazhimi në
vepra të ungjillëzimit dhe i mësimit, dëshmia (deri në derdhjen
e gjakut) nga ana e apostujve, vazhdimësia në kumtimin e
kerygma-s (të Krishtit të vdekur dhe të ngjallur)…
Karakteristikat tipike për
Shqipërinë
1. Karakteristika e parë e
nevojshme është ajo e ungjillëzimit. Një ungjillëzim që bazohet
thelbësisht në formimin biblik dhe në atë të dokumenteve
konciliarë dhe të Katekizmit të Kishës Katolike.
Ungjillëzimi duhet të bëhet
nëpërmjet një ballafaqimi me problemet dhe situatat reale, deri
në atë pikë sa të shoshitet mënyra dhe vendi i kumtimit të
Ungjillit. Duke marrë pjesë në një evolucion që mjaft shpesh
është rrjedhojë e një pasurimi që vjen nga vendet e
industrializuara të emigrimit evropian, popullata shqiptare
paraqitet e ndarë në tre blloqe të mëdha:
· të pasuruarit që largohen nga
feja (edhe pse në Perëndim ajo ka qenë një pikë referimi për ta);
· qytetarët e rinj që kanë zbritur
nga malësia dhe janë ngulur në qytete me perspektivën e një
përmirësimi ekonomik dhe që e shohin famullinë si një pikë
referimi, por që jo gjithmonë kjo famulli ka për qëllim të
kumtojë Krishtin dhe Ungjillin;
· familjet e malësisë (do të bënim
mirë të flisnim për fise), që shpesh në varfërinë e tyre e
ndiejnë nevojën e një feje tek e cila të kapen.
Prej këtu rrjedh urgjenca e një
ungjillëzimi kapilar dhe të larmishëm për famullitë me
karakteristika të ndryshme për qytetet dhe për malësinë.
2. Karakteristika e dytë është
ajo misionare.
Në fakt, nuk është e mendueshme
një famulli që nuk ka dëshirë për t'u futur në ato mjedise ku
sipas gjasave mungon. Misioni nuk është prozelitizëm, por është
forma thelbësore për t'i shprehur përmbajtjet e fesë. Mjedis i
privilegjuara duhet të jetë shkolla dhe krijimi i organizatave
katolike në fushën shoqërore dhe të punës, të cilat duhet të
jenë në gjendje të gjejnë mënyra dhe situata në të cilat ta
propozojnë Ungjillin.
E gjithë kjo nuk mund dhe nuk
duhet të jetë në dorë të një bërthame të vogël njerëzish, por në
dorë të bashkësisë së thirrur për t'u projektuar në një
botëkuptim global dhe jo të kufizuar të kumtimit.
3. Karakteristika e tretë është
ajo ekumenike dhe ndërfetare.
Thuhet se Shqipëria është një
laborator i vërtetë i bashkëjetesës fetare. Dialogu që ekziston
mes katolikëve dhe ortodoksëve dhe ai me Islamin duhet të
intensifikohet.
Kështu na fton ta jetojmë
ekumenizmin vetë Koncili II i Vatikanit: “Besimtarët katolikë në
veprimin ekumenik do të tregohen pa hezitim plot me zell për
vëllezërit e tyre të ndarë, duke u lutur për ta, duke folur me
ta për gjërat e Kishës, duke bërë hapat e parë drejt tyre. Dhe
para së gjithash duhet të jetë ata vetë me sinqeritet dhe zell
ta shqyrtojnë atë që duhet të ripërtërihet dhe të realizohet në
vetë familjen katolike, me qëllim që jeta e saj të jetë një
dëshmi më besnike dhe më e qartë e doktrinës dhe e
institucioneve të trashëguara nga Krishti nëpërmjet apostujve.
Në fakt, edhe pse Kisha katolike
është pasuruar me krejt pasurinë e zbuluar nga Hyji dhe me krejt
mjetet e hirit, gjymtyrët e saj nuk e përdorin këtë pasuri për
të jetuar me gjithë zellin e duhur. Rezulton se fytyra e Kishës
shkëlqen më pak përpara vëllezërve të ndarë prej nesh dhe
përpara mbarë botës, dhe rritja e mbretërisë së Hyji është
vonuar. Për këtë arsye të gjithë katolikët duhet të priren drejt
përsosmërisë së krishterë dhe të përpiqen, secili sipas gjendjes
së vet, që Kisha, duke mbartur në trupin e saj përvujtërinë dhe
vuajtjet e Jezusit, të shkojë ditë për ditë të pastrohet dhe të
ripërtërihet, derisa Krishti të na shfaqet përpara plot lavdi,
pa njolla dhe rrudha. Në Kishë të gjithë, sipas detyrës së
besuar secilit si në forma të ndryshme të jetës shpirtërore dhe
të disiplinës, si në ndryshueshmërinë e riteve liturgjike, madje,
edhe në përpunimin teologjik të të vërtetave të zbuluara, duke
ruajtur njësinë në gjërat e nevojshme, të ruajnë lirinë e duhur;
në çdo gjë pastaj të praktikojnë dashurinë. Dhe duke vepruar
kështu do të tregojnë çdo ditë e më mirë katolicitetin e vërtetë
dhe njëherazi edhe apostolicitetin e Kishës.
Nga ana tjetër është e nevojshme
që katolikët me gëzim të njohin dhe të çmojnë vlerat me të
vërtetë të krishtera, që vijnë nga trashëgimia e përbashkët,
trashëgimi kjo që gjendet tek vëllezërit e ndarë prej nesh.
Megjithatë ndarjet e të krishterëve pengojnë që Kisha të
realizojë plotësinë e katolicitetin tipik të saj në ato bij që
me siguri i janë bashkuar me pagëzim, por janë ndarë nga
bashkësia e plotë me të”. Është e nevojshme që famullia
shqiptare të ketë momente të veçanta dialogu ekumenik dhe të
ballafaqimit teologjik duke respektuar fetë e ndryshme dhe
konfesionet fetare që nuk kanë për qëllim prozelitizmin, por
ndërtimin e një shoqërie paqeje dhe drejtësie në shpirtin e
Asizit të dashur nga Gjon Pali II.
titujt kryesore |