ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

BEKIMI I KISHËS SË SAMRISHIT TË VJETËR

 

 

 

Me dt, 29 gusht 2009, ditën e sh. Gjon Pagëzuesit Kryeprerë, katundi i Samrishit të Vjetër që lut këtë Shenjt, pjesë përbërse e famullisë së Krishtit të Ngjitur në Qiell me qendër në Dajç të Bregut të Bunës, pati gëzimin të mirëpresë Arqipeshkvin tonë Imzot Angelo Massafra, i cili në një ceremoni madhështore, në praninë e shumë meshtarëve shuguroi Elterin dhe bekoi kishën e re të rindërtuar nga themelet.

Janë plot 42 vjet, që bashkësia e të krishterëve të Samrishit, ka dëshiruar dhe ka pritur të festojë shën Gjon Kryeprerin kështu, në një vend të denjë për shenjtërinë e Pajtorit të vet, sepse tradita e të parëve të këtij katundi ua patin lënë trashëgimi.

Këtu e treqind vjet më parë, disa familje, për arsye nga më të ndryshmet, filluan të dynden në Samrish, nga Oroshi i Mirditës, nga Temali i Shllakut, nga Alijajt e Kastratit e nga Gjadri i Zadrimës. Ndonëse shumë të ndryshëm mes tyre për nga traditat dhe zakonet, por të gjitha këto fise patën një gjë të përbashkët: fenë në Krishtin. Kjo fe mjaftoi për t'i bërë këta malësorë që të mos shohin ato që mund t'i ndanin, por Krishtin që i bashkonte...

Vlen të theksojmë se shërbyen në famullinë e Krishtit të Ngjitur në Qiell, në Dajç, e për rrjedhojë edhe në Samrish, meshtarë shumë të nderuar dhe të zellshëm në apostullim, të cilët mbollën farën e mirë të besimit dhe të shpresës ndër besimtarë të kësaj zone, si: dom Nikoll Shllaku, dom Pashko Zojsi, dom Kolec Prendushi, dom Pjetër Gruda, si dhe martirë të cilët shpejt kanë për t’u lartësuar në nderimin e elterit, si: dom Ded Malaj e dom Mikel Beltoja. Në të njëjtën kishë ndjeu thirrjen prej Zotit dhe kremtoi Meshën e parë meshtari martir, bir i kësaj famullie, dom Marin Shkurti...

Në Samrish, në kohën e ditaturës, si fillim ndërprenë Meshën dhe rrënuan kompanielin. Kishën e kthyen në magazinë lule dielli, më vonë e trasformuan në magazinë orizi, më vonë do ta kthenin në ambient për rritjen e krimbit të mëndafshit, më vonë e transformojnë në vatër kulture, për ta shkatërruar plotësisht nga themelet në vitin 1986. Mbi të njëjtat themele ndërtojnë një vatër të re kulture...

Populli i Samrishit mori dhe transformoi të ashtuquajturën vatër kulture në një vend të përshtatur për ritet e shenjta. I njëjti ambient u përdor për funksionet e shenjta deri në vitin 2006, vit në të cilin, populli i Samrishit i drejtuar nga famullitari i tyre, dom Gjergj Simoni dhe i mështetur nga Arqipeshkvi, Shkëqësia e tij Imzot Angelo Massafra, ndërmorën iniciativën për të ecur në rrugën e të parëve të tyre për të ringritur tempullin e Zotit në mesin e shtëpiave të tyre. Janë plot tri vjet sakrifica, mundime, rragatje, lypje, përkushtim dhe bashkëpunim, që kanë nxjerrë edhe një herë në dritë këtë kishë të stolisur si nuse e bukur në ditën e saj të dasmës. Familjet e këtij katundi të vogël, arritën të grumbullojnë dhe të investojnë nga njetet e tyre për Shtëpinë e Zotit rreth ¾ e investimit total në këtë vepër. Pjesa tjetër u dha nga Selia e Shenjtë, Dioqeza e Këlnit dhe donatorë lokal, të cilëve u jemi shumë mirënjohës.

Presbiteri u mbush me meshtarë (gjaku i martirëve e dha frytin e vet). Desh na hodhën ujkun në vathë për të shpërndarë grigjen; ja sot më të bashkuar se kurrë. Desh na rrënuan tempujt; ja sa të hijshme dhe madhështore e rindërtuam Kishën e Samrishit.

 

  Nga fjalimi i famullitarit: d. Marian Gega

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster