|
|
Gjatë ditëve të
fundit kemi dëgjuar për mundësinë që Kuvendi të diskutojë dhe
ndoshta ta miratojë ligjin për të ashtuquajturën “martesë” mes
homoseksualëve. E dimë se shumë njerëz, që u përkasin besimeve
të ndryshme, janë shprehur kundër kësaj ideje. Ne ipeshkvijtë e
Kishës Katolike në Shqipëri, nuk mund të heshtim përpara një
diskutimi të tillë, të shtyrë jo vetëm nga besimi ynë i
krishterë, por edhe nga angazhimi ynë për një shoqëri të fortë e
të shëndoshë.
Në të kaluarën
familja shqiptare ka qenë model për familjet në shumë vende të
tjera. Fatkeqësisht, në këto njëzet vite të fundit është rritur
numri i divorceve dhe i mosbesnikërisë martesore. Ky ishte një
nga shqetësimet tona që na detyruan t'ju shkruajmë Letrën
drejtuar Familjes, në shkurt të këtij viti. Kisha, ashtu si edhe
Shteti, e ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e jetës martesore
dhe të familjes.
Pikërisht për
këtë arsye u shqetësuam shumë kur dëgjuam në lajme për një
projekt ligj për miratim në Kuvend, që do të pranojë “martesë”
mes homoseksualëve. Respekti ynë ndaj dinjitetit të martesës na
detyron të flasim qartë kundër një propozimi të tillë.
Ne nuk duam të
flasim për pasojat sociale që një vendim i tillë mund të ketë në
vendin tonë – pasoja që do të dalin më shumë në pah pas një kohe
të gjatë, veçanërisht kur u jepet këtyre bashkimeve, të të
njëjtës gjini e drejta për të birësuar fëmijë. Duam vetëm, këtu,
të shtjellojmë shkurtimisht çka na mëson Fjala e Zotit, për sa i
përket krijimit të njeriut.
Në faqet
e para të Biblës ku flitet për krijimin, lexojmë se Zoti “e
krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e
Hyjit, i krijoi mashkull e femër”, dhe pastaj i bekoi duke thënë:
“Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën” (Zan 1, 27-28). Lexojmë
gjithashtu (Zan 2, 18.22-24) se, pasi Zoti e krijoi burrin,
tha: “Nuk është mirë që burri të jetë vetëm: do t'ia bëj një
ndihmë që t'i përngjajë”. Dhe pastaj, në një mënyrë metaforike,
flitet për krijimin e gruas: “Zoti Hyj i lëshoi njeriut një
gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi,
ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish”. Në këtë
mënyrë tregohet se gruaja është e së njëjtës natyre si burri.
Prandaj burri klithi: “Kjo tash është ashti i eshtrave të mi dhe
mishi i mishit tim! Le të quhet grua sepse kjo u mor nga burri”.
Pas kësaj kemi edhe përkufizimin e martesës me këto fjalë:
“Burri do ta lërë të atin dhe t'ëmën e vet dhe do të jetojë
bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm”.
Mjaftojnë këto fjalë për të
kuptuar çfarë domethënie kishte, dhe ende ka, martesa në planin
e Hyjit. Njeriu, i krijuar “në përngjasimin e Hyjit”, është
“mashkull e femër”. Gruaja është e të njëjtit dinjitet si burri.
Të dy, si dy persona të barabartë, bashkohen në martesë, duke
formuar “një trup të vetëm”. Prandaj dallimi gjinor është sipas
planit të Krijuesit, duke marrë parasysh bashkimin e tyre në
martesë, që përfshin edhe mundësinë për lindjen e fëmijëve (që,
natyrisht, përjashtohet në rast të “martesës” mes
homoseksualëve).
Në çdo kohë, në
çdo kulturë, dhe në çdo besim martesa ka qenë përkufizuar si
bashkimi plotë mes burrit dhe gruas. Asnjë parlament nuk ka
kompetencë të ndryshojë këtë përkufizim. Atëherë, në saje të së
vërtetës, të mos guxojmë ta quajmë “martesë” një bashkim mes dy
personave të së njëjtës gjinie as të themi se kjo është një e
drejtë. Nuk mund të jetë një e drejtë një sjellje që nuk i
përket natyrës së vërtetë të njeriut dhe që nuk është për të
mirën e tij dhe të shoqërisë.
E mbështetur në
Fjalën e Zotit, Kisha mëson se veprimet homoseksuale janë
thelbësisht të çrregullta. Megjithatë homoseksualët duhet të
pranohen me respekt, dhemshuri dhe ndjeshmëri; çdo shenjë
diskriminuese ndaj tyre duhet të evitohet. (Katekizmi i Kishës
Katolike, nn. 2357-2358).
Ne u bëjmë
thirrje përfaqësuesve tanë në Parlament, pavarësisht nga besimi
dhe nga përkatësia partiake, mbi të gjitha të kenë parasysh të
mirën e shoqërisë sonë. Sepse bërthama që e përbën shoqërinë nuk
është individi, por bashkësia familjare. Jo çdo risi është një
përparim. Mos të gabojmë duke menduar se, me miratimin e një
ligji në favor të “martesës” mes të njëjtës gjini, do të dalim
para botës si një vend i përparuar. Prandaj le të mbrojmë vlerat
etike që garantojnë një familje të fortë, dhe atëherë do të kemi
edhe një shoqëri të shëndoshë.
Lusim Zotin që
të ndriçojë mendjet e të gjithë atyre që kanë përgjegjësinë e
miratimit të ligjeve, që ato mos të bien në kundërshtim me
Ligjet e Zotit dhe as me traditën e shëndoshë famljare në vendin
tonë.
Tiranë, e dhënë sot më 6 gusht 2009
Ipeshkvijtë e Kishës Katolikë në Shqipëri
titujt kryesore |
|