|
|
Dhjetë vjet më parë, në shtatorin
e vitit 1999, shtypit katolik shqiptar iu shtua një organ i ri:
“Fjala e Paqes”, lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë
Metropolitane të Shkodrës.
Arsyen e botimit të këtij organi
na e bën të qartë artikulli i editorialit, i përgatitur nga Sh.
T. Imzot Angelo Massafra, që në atë kohë ishte Arqipeshkëv
Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Sapës: «...Krijimi
i këtij buletini koincidon me fundin e mijëvjeçarit të dytë dhe
me kremtimin e Jubileut të madh, të shpallur nga Papa Gjon Pali
II në kremtim të dymijëvjetorit të lindjes së Jezu Krishtit». E
më poshtë vazhdon: «“Fjala e Paqes” është titulli i zgjedhur për
botim». Dhe e mbyll artikullin me fjalët: «Me gëzim të madh po e
fillojmë këtë shërbim me shpresë se do të ngjallë interes më të
madh për sa i përket jetës së Kishës dhe i uroj redaksisë e të
gjithë bashkëpunëtorëve “Punë të mbarë”...».
Po cila është rruga e një
dekade të kësaj reviste?
Për mbarëvajtjen e punës u ngarkua
një redaksi e drejtuar nga Imzot Angelo Massafra, duke patur në
fillim si kryeredaktor Dom Nikë Ukgjinin dhe një redaksi, në
përbërjen e së cilës ishin katër meshtarë. Në fillim ishte
korrektor Z. Kolec Çefa, pastaj Z. Luigjino Gajtani dhe
aktualisht është Znj. Teola Shkodra. Pas datës 01. 09. 2000,
deri në nëntor të vitit 2004, si kryeredaktor u caktua Dom
Lucian Avgustini (sot ipeshkëv i Sapës), dhe Dom Nikë Ukgjini
kaloi si kryeredaktor i revistës“Kumbona e së Diellës”. Nga
dhjetor 2004 kryeredaktor është Imzot Angelo Massafra.
Tek “Fjala e Paqes” kanë pasqyruar
veprimtaritë e tyre kronistë, bashkëpunëtorë të jashtëm,
ipeshkvij, meshtarë, motra rregulltare etj., të dioqezës së
Shkodrës, Pultit, Sapës, Lezhës dhe Mirditës, deri pas shkrirjes
së dioqezës së Pultit me atë të Shkodrës, dioqeza e Mirditës në
varësinë e Arqipeshkvisë së Tiranë-Durrësit. Tani për tani në të
botohen lajme nga dioqeza Shkodër-Pult dhe një faqe e kushtuar
dioqezës së Sapës.
Nga fillimi i botimit deri në
shkurt-mars 2003, lajmëtari ka dalë një herë në muaj, ndërsa nga
kjo datë e deri tani del një herë në dy muaj, duke u alternuar
me “Kumbonën e së Diellës”.
Që nga fillimi e deri në muajin
jubilar të botimit kanë dalë nga shtypi dhe janë marrë për lexim
nga besimtarët 88-89 numra. Tirazhi i botimit në 3000 kopje.
Është një fat i madh fakti që revista nuk e ndërpreu asnjëherë
botimin e saj, duke trajtuar për dhjetë vjet ngjarjet më të
rëndësishme të dioqezës, shugurimin e Ipeshkvijve, meshtarëve
dhe diakonëve, kushtet e bëra nga shumë motra, kushtimin e shumë
kishave, vizitat baritore, festimet e ndryshme jubilare, takimet
e rinisë me Atin e Shenjtë, veprimtaritë e ndryshme
fetaro-kulturore nga tri dioqezat etj. Edhe fotot e shumta e
zbukurojnë përmbajtjen e kësaj gazete.
Nga takimet me lexues të ndryshëm,
vërehet se gazeta lexohet me ëndje dhe mirëpritet sa herë
botohet numri i ri. Kjo gazetë, së bashku me lajmëtarin e Radio
Marisë Shqiprare (që e ka filluar botimin e vet këtë vit) kanë
kërkuar që t'i kenë në duart e tyre. Kështu ata mund të vihen në
dijeni për veprimtaritë e shumta që zhvillohen në dioqezë, por
jo vetëm.
Puna e mirë e bërë nga punonjësit
e shtypshkronjës “Atë Gjergj Fishta”-Lezhë, ia shton bukurinë
dhe rëndësinë e saj. Shpresojmë që botimi i saj të jetë edhe në
të ardhmen një ndihmesë e mirë që besimtarët ta kenë më të qartë
atë që bëhet në dioqezë, për t'u ndjerë gjithnjë e më shumë
Kishë, pra një trup i vetëm që vepron për Lavdinë e Zotit dhe
për të mirën e shoqërisë.
Lec Zadeja
titujt kryesore |
|