|
Për motrat e Nënë Terezës, edhe
kjo verë solli shumë aktivitete, veçanërisht kampe verore të
organizuara për fëmijë e të rinj në zonat ku ato mbajnë
katekizëm gjatë periudhës së vitit shkollor.
Për rreth një muaj, nga data 17
korrik deri më 13 qershor, ato kanë organizuar kampe verore në
Shtoj të Ri, Kiras dhe Bardhaj. Gjatë kësaj kohe, motrat janë
ndihmuar edhe nga famullitarët: në Shtoj të Ri nga Atë Giovanni
Colombi, në Kiras nga Don Juan Martinez. Ndërsa në Bardhaj ato
kanë marrë fëmijët me autobus për në Gur të Zi, së bashku me Don
Raffaele Gagliardi dhe seminaristë nga Italia e Spanja e Don
Bruno nga Franca me grupin e tij dhe i kanë përfshirë
pjesëmarrësit në aktivitete të ndryshme.
Në Shtoj dhe Kiras, në këtë kamp
veror kanë qenë të pranishëm për të dhënë ndihmesën e tyre edhe
Don Sebastiani së bashku me grupin e tij të të rinjve vullnetarë
nga Malta. Nuk kanë munguar edhe të rinjtë vullnetarë nga zonat
ku motrat veprojnë, të cilët kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e
kampit veror.
Në çdo kamp kanë marrë pjesë një
numër mjaft i mirë i fëmijëve dhe i të rinjve nga zonat e
Shtojit të Ri, Kirasit dhe Bardhajve. Janë zhvilluar shumë
aktivitete të ndryshme si, lojëra, drama me pjesë të marra nga
ungjijtë, gara, vizatime, lojëra sportive etj.
Në mbarim të kampit, çdo grup në
ditë të caktuara ka kaluar disa orë të këndshme në plazhin e
Velipojës.
Në ditën e fundit, në çdo zonë
është organizuar një festë e vogël, në praninë edhe të prindërve
të kampistëve, për të falënderuar çdo të pranishëm për kohën e
kaluar së bashku e për gëzimin e miqësinë që kanë bashkëndarë
gjatë atyre ditëve. Fëmijët kanë shfaqur para të gjithëve punime
të ndryshme të bëra nga vetë ata gjatë aktiviteteve të kampit
veror dhe u kanë dhuruar meshtarëve famullitarë, të rinjve
vullnetarë dhe meshtarit të ardhur nga Malta, punime modeste të
bëra nga dora e tyre.
Gjatë këtij kampi, fëmijët e të
rinjtë, jo vetëm kanë kaluar një pjesë të ditës së tyre në
shoqërinë e njëri-tjetrit, por ata kanë mësuar se si mund të
bashkëndajnë e të mësojnë nga njëri-tjetri.
Motrat e Nënë
Terezës
titujt kryesore |