ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

KAMPI VEROR NË STAJKË

 

 

 

Në famullinë e Naltimit të Kryqit në Stakja, është organizuar kampi veror 2009, me mbështetjen e Dom Nikolin Tomës së bashku me animatorët e  famullisë. Tema këtë vit ishte: “Shko tek vëllezërit e mi”. Nga data 6-13 korrik janë bërë regjistrimet e më pas kanë filluar veprimtaritë.

Vera e nxehtë na dhuroi pushime të këndshme, të cilat i kaluam në plazh, duke bërë për 15 ditë një përvojë disi më të veçantë nga përvojat e mëparshme me praninë e 15 familjeve, me të cilat shkëmbyem mendime dhe projekte për të ardhmen e famullisë.

Më 2 gusht filluam udhëtimin për një javë qëndrimi në Razëm, ku bashkëpunuam në grupe, luajtëm, kërcyem, qeshëm, bashkëbiseduam dhe bëmë shëtitje. Përvoja në Razëm na shërbeu që të bashkëpunojmë në grupe për t'u përgatitur për kampin e fëmijëve.

Ditët kaluan shumë shpejt duke ia lënë vendin kampit veror që filloi me 10 gusht, me praninë e fëmijëve të moshës shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.  Në krye të çdo klase ishin 3-4 animatorë, të cilët mbikqyrnin fëmijët dhe organizonin lojëra për ta. Fëmijët argëtoheshin çdo ditë duke kërcyer, qeshur, luajtur etj. Grupimi bëhej në orën 9.00 dhe dita fillonte me lutjen “Ati ynë”, pastaj këndoheshin këngë të shoqëruara me gjeste. Pasditeve, në ora 18.00, animatorët kishin takimin e tyre me famullitarin, për të diskutuar mbi mbarëvajtjen e ditës dhe organizimin e ditës së nesërme.

Të premte pasdite, më 14 gusht, në mesin tonë patëm praninë e Imzot Angelo Massafra për të kremtuar Meshën e shenjtë e për të dhënë sakramentin e Krezmimit.

Pas kampit veror, Dom Nikolini, së bashku me ne animatorët,  ndërmorëm një udhëtim të paharrueshëm 3 ditor në Sarandë, duke përshkuar Gjirokastrën, qytetin e ndërtuar në mal me arkitekturë dhe pamje befasuese. Një fortesë malore me një madhështi të ashpër dhe me histori të ngjeshur me ngjarje të shumta, të sjell ndër mend thelbin e mirëfilltë të shqiptarëve të rreptë, të bukur dhe me shpirt të papërkulur. Bëmë një vizitë edhe në kalanë madhështore që dëshmon për traditat e hershme dhe historinë shumëvjeçare të këtij qyteti. Hymë në muze ku u njohëm me armët me të cilat kishin luftuar populli ynë kundër pushtuesve.

Në Delvinë na pranuan motrat Françeskane. Na u bë qejfi shumë nga pritja e tyre, por edhe ato ishin të lumtura sepse do të takonin Jezusin në Meshën e Shenjtë, pasi na treguan se në këtë qytet kishte pak katolikë, një bashkësi rreth 30-vetësh, prandaj Mesha e shenjtë kremtohej rrallë për mungesë priftërinjsh. Të nesërmen e filluam ditën me kremtimin e Meshës nga Dom Nikolini.

Pastaj rivazhduam udhëtimin për në Sarandë. Shkuam tek Syri i Kaltër, një burim uji që buronte nga toka me një thellësi me shumë se 30 metra, një vend i mrekullueshëm. Butrinti, vendi tjetër që vizituam, përbën një dëshmi të pashoqe dhe të jashtëzakonshme të një qytetërimi dhe tradite kulturore të zhdukur.

Çdo cep e çdo  gur dëshmonte për lashtësinë e këtij qyteti si dhe për rrënjët e krishterimit në Shqipëri. Kështu u ndeshëm me të veçantat e Tij, me amfiteatrin,  pagëzimoren, bazilikën etj. Udhëtimit tonë i erdhi fundi, por po ktheheshim në shtëpi të vetëdijshëm për një udhëtim të gjatë. E bukura e përvojës sonë ishte se u nisën duke iu dhuruar të tjerëve buzëqeshjen dhe u kthyem duke u mbushur me gëzimin që buron prej Fjalës së Zotit.

 

Marielena Gjeçi

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster