|
DEKLARATË
KU JANË KUFINJTË E
SOLIDARITETIT PËR EUROPËN?
Nga data 18
deri me 22 shtator 2009, u mbajt në Sevilje të Spanjës workshopi
ndërkombëtar me temë “Ku janë kufijtë e solidaritetit për
Europën?” si dhe Asambleja e Përgjithshme e Komisioneve
Europiane Drejtësi e Paqe. Më poshtë vijon deklarata:
Ne,
pjesëmarrësit e Konferencës së Komisioneve Europiane Drejtësi e
paqe, përfaqësues të 25 vendeve të Europës, pranuam ftesën e
Komisionit spanjoll Drejtësi e Paqe dhe të Eminencës së tij
Kardinal Carlos Amigo Vallejo të Seviljes, për tu mbledhur në
Sevilje nga data 18 deri më 22 shtator 2009, për të mbajtur
Asamblenë e Përgjithshme si dhe për të zhvilluar një diskutim në
shkallë ndërkombëtare me temë “Ku janë kufinjtë e solidaritetit
për Europën ?”
Tema e
solidaritetit merr rëndësi të veçantë në kushtet e globalizimit
botëror që sa vjen e rritet. Nuk duhet të na habisë fakti që
globalizimi, bashkë me të gjitha problemet shoqërore që ai sjell,
përmenden në Enciklikën e fundit të Papës Benedikti XVI Caritas
in Veritate në të cilën ai thekson: “ Një shoqëri gjithnjë e më
e globalizuar na bën të jemi fqinjë por jo vëllezër.” (No.19).
Në Sevilje na u
dha mundësia të analizojmë sfidat e solidaritetit, qofshin ato
politike, shoqërore, kulturore apo ekonomike, në shkallë
kombëtare e ndërkombëtare. Kjo përvojë na bëri t’i kuptojmë më
mirë përgjegjësitë tona si individë, si europianë dhe si Kishë,
për t’u përballur me sfidat e kohës dhe për të shembur pengesat
që bllokojnë solidaritetin.
Papa Gjon
Pali II na mëson se “ Çelësi i gjithë problematikave shoqërore
është puna e njeriut” (Laborem Exercens).
Caritas in
Veritate gjithashtu thekson se kjo punë duhet të jetë “e
ndershme”. (No.63). Përfundimet e diskutimit na bindën për
vërtetësinë e kësaj thënjeje. Një takim me stafin e Forja 21,
një OJQ që ndihmon të rinjtë që kërkojnë punë, na dha të
kuptojmë se sa shqetësuese është papunësia e të rinjve. Një
problem mjaft serioz dhe aktual në shumë vende të Europës.
Duhet të investojmë tek të rinjtë duke ua lehtësuar rrugën
drejt punësimit, sepse të rinjtë janë e ardhmja jonë. Vetëm
kështu ata mund të arrijnë potencialin e plotë dhe të bëhen
pjesë e vlefshme e shoqërisë. Na duket me vend të theksojmë
rëndësinë e papunësisë si pengesë e integrimit në shoqëri.
Në një vizitë
në kampin spanjoll të Ceutas në bregun e Marokut, na u dha
mundësia të mësojmë diçka më shumë rreth dimensionit njerëzor të
sfidave që burojnë nga emigracioni, një fenomen ky shumë i
lidhur me globalizimin dhe sidomos me problemin e papunësisë.
600 emigrantët e strehuar në Ceuta presin për një zgjidhje
ligjore të lejes së qëndrimit. Ky proces mund të zgjasë deri në
tre vjet dhe gjithmonë është i pranishëm rreziku i riatdhesimit.
Shumica janë të rinj, të fortë dhe të gatshëm për punë që
fatkeqësisht nuk kanë mundësi ta kenë. Të detyruar të braktisin
shtëpinë për shkak të dhunës, papunësisë ose varfërisë së
skajshme, ata morën një udhëtim të gjatë e plot rreziqe drejt
Europës në kërkim të një jete më të mirë. Në vend të asaj që
kishin shpresuar, ata u gjendën në zgrip të shoqërisë europiane,
me një liri të kufizuar dhe të pazotët për të kontribuar ose për
të vendosur mbi të ardhmen e tyre. Në fakt disa prej tyre na
thanë shkoqur “ Ne s`kemi të ardhme”. Në emër të solidaritetit
ne duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për t`u dhënë këtyre
njerëzve diçka për të synuar. Gardhet e dyfishta me tela me
gjemba që ndajnë qytetin e Ceutas nga pjesa tjetër e kontinentit
afrikan, janë një simbol konkret i frikës që kërkon t'i mbajë
nevojtarët sa më larg që të jetë e mundur prej dyerve tona. Të
gjithë u ndjemë pak përgjegjës për këtë mur që pjesërisht
ishte financuar nga Bashkimi Europian. Vërtet kemi rrëzuar murin
e Berlinit, por kemi ngritur të tjerë mure gjetkë.
Në bregun e
Algeciras (ana spanjolle e ngushticës së Gjibraltarit)
përfaqësuesit e Komisioneve Drejtësi e Paqe bashkë me
përfaqësues të kishës lokale dhe shoqërisë, bënë një lutje të
përbashkët për të gjithë ata që kishin humbur jetën në
përpjekje për të kapur brigjet e Europës.
Përshtypja e
veçimit shoqëror, frikës dhe pasigurisë ishte shumë e fortë edhe
në vizitën tonë në lagjen Poligono Sur. Kjo vizitë kishte për
qëllim ilustrimin e lidhjes midis varfërisë dhe dhunës.
Përballja me problemin e dhunës në shoqërinë tonë shpesh na
tundon të fshihemi pas mureve më të trasha, gardheve më të lartë
dhe në lagje të veçuara. Kuptohet se kjo nuk është e mirë si
zgjidhje afatgjatë. Për të eliminuar këtë dhunë na duhet që të
solidarizohemi për të zhdukur rrënjën e saj që është papunësia.
Vizita përfundoi me një notë shprese, sepse pamë se kishte
filluar të merrte formë një plan i gjerë integrimi me
pjesëmarrjen aktive të banorëve.
Vizita në
Sevilla Acoge, organizata e parë e themeluar në Spanjë që merret
me integrimin e emigrantëve në shoqërinë vendase, na tregoi një
shembull të fortë të punës së njerëzve që konstatojnë një nevojë
dhe përpiqen me sa kanë mundësi për ta eliminuar. Kjo arrihet
nëpërmjet bashkëpunimit dhe përkushtimit të lartë shoqëror. Puna
e kësaj organizate na kujton se solidariteti i vërtetë kërkon
respekt për diversitetin kulturor sipas frymës së mikpritjes.
Problemet që
analizuam në këtë diskutim ndërkombëtar janë të shumta dhe të
ndërlikuara. Ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme afatshkurtër
për vendet që po përjetojnë varfëri, papunësi dhe veçim shoqëror
si dhe zgjidhje afatgjatë për shkaqet e problemeve të
lartpërmendura. Me këtë nënkuptojmë se ne nuk mund të
distancohemi nga problemet politike, shoqërore dhe ekonomike të
vendeve afrikane. Falë kësaj përvoje neve na u dha mundësia të
kuptojmë më gjerësisht rëndësinë e solidaritetit të vërtetë duke
përfshirë edhe anën etike e shpirtërore si dhe domosdoshmërinë e
përkushtimit vetjak nga ana e të gjithë pjesëmarësve. Kështu,
nëpërmjet solidaritetit, pengesat e sotme do t’i shndërrojmë në
pika takimi ku të gjithë mund të bashkohemi si vëllezër e
motra.Dëshirojmë ta mbyllim duke falenderuar Komisionin Spanjoll
për Drejtësi e Paqe, Eminencën e tij Kardinalin Amigo të
Seviljes, Ipeshkvin Antonio Ceballo të Cadizit dhe Ceutas si dhe
të gjithë ata që na pritën gjatë kësaj pune të përbashkët
ndërkombëtare, e cila na rikujtoi përgjegjësinë e të krishterëve
për t’u kujdesur për më të dobëtin në shkallë kombëtare dhe
ndërkombëtare sepse për Kishën, askush nuk është I huaj.
Sevilje (Spanjë), 22
shtator 2009
titujt kryesore |