ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

PËRVOJË MISIONARE NË DUKAGJIN

 

 

 

Motër Riccarda dhe motër Elisa, me ftesën e fra Antonios, kemi bërë një përvojë misionare në malet e Dukagjinit.

Të gjithë i njohim malet madhështore e të mrekullueshme të Dukagjinit, pikarritje e turizmit në rrugë zhvillimi, por të gjithë e dimë se në ato male ende edhe sot jeton gati e izoluar një pjesë e grigjës së Hyjit. Me angazhim dhe entuziazëm, së bashku me fra Antonion, e filluam këtë mision duke i marrë përzemër nevojat e njerëzve që e jetojnë me dinjitet jetën e përditshme të vështirë.

Prania jonë u organizua në bashkëpunimin me fretërit kapuçinë të provincës së Barit dhe grupet vullnetare të ardhura nga Italia, si dhe me praninë e disa vajzave shqiptare që dëshiruan të merrnin pjesë në veprimtaritë e organizuara duke dhënë ndihmesën e tyre të vyer. Në këta dy vjet janë organizuar kurse të ndryshme të italishtes, anglishtes, higjenës dhe ndihmës së shpejtë, si dhe një katekezë intensive për të gjithë, si përgatitje për sakramentet e Pagëzimit, të Krezmimit e të Martesës. Çdo vit ka përfunduar me festën e mbylljes së veprimtarive duke u dorëzuar të gjithëve materialin didaktik.

Në këta dy vjet përvoje misionare jemi gëzuar prej pranisë së pëlqyeshme të Shkëlqesisë së Tij Imzot Angelo Massafra, që në fund të çdo viti ka ardhur për kremtimin e sakramenteve si një bari i mirë që i do dhe i viziton delet e veta e që i mbledh ato të humburat.

Ishte interesante dhe e fortë ndërhyrja e tij gjatë homelisë së këtij viti, sidomos duke theksuar të këqijat që e mundojnë shoqërinë tonë edhe në Dukagjin. Disa janë veçanërisht të dukshme, si ajo të drogës që kultivohet në zona të ndryshme, duke thënë, ndër të tjera, se paratë që vijnë nga shitja e drogës janë “para të mallkuara”.

Shkëlqesia e Tij theksoi se rrënjësia e Ungjillit na bën të heqim dorë prej disa gjërave që janë në kundërshtim me zgjedhjen për të qenë të krishterë. Jeta e krishterë kërkon që ajo të përputhet me kultin dhe nuk jemi të krishterë nëse nuk i zbatojmë dhjetë urdhërimet.

Lutemi që fara e hedhur në këta vjet të mund të sjellë fryte dhe që personat e Dukagjinit të mund të ndiejnë afër secilin prej nesh, që, edhe pse të pranishëm për një kohë të shkurtër, vazhdojmë t'i mbajmë në zemër, në lutjen tonë, për gjithçka që na kanë dhuruar me mikpritjen e tyre dhe me dashurinë e tyre të madhe.

Sigurisht, nuk mund të mungojnë falënderimet, para së gjithash drejtuar Zotit, që i drejtoi hapat tanë në rrugët e Dukagjinit, duke e pasuruar bagazhin tonë me njohje dhe ndjenja të reja; një falënderim i ndier për Imzot A. Massafra që me dashuri atërore na ka mbështetur me praninë e vet; një falënderim plot me mirënjohje për fra Antonio Imperato, françeskan kapuçin, që i pranoi të gjithë me shpirt vëllazëror duke dhënë rastin të shpreheshin dhuratat e Shpirtit Shenjt.

Popullin e Dukagjinit dhe ata që kanë punuar aty me dashuri i vëmë nën mbrojtjen e Bariut të Madh që me dorë të aftë është pikturuar në faqen e Santo Santorum.

 

Motër Riccarda Alduino

Motër Elisa Gervasi

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster