ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

SHUGURIMI I  KISHËS ZOJA RRUZARE – GJEGJAN

 

 

 

Me datën 25 korrik 2009, bashkësia famullitare e Gjegjanit të Pukës, gëzoi në ditën e kushtimit të Kishës së saj kushtuar Zojës Rruzare. Bashkë me popullin e Zotit morën pjesë Ipeshkvi i Sapës Imzot Lucjan Avgustini, Vikari i përgjithshëm Dom Carlo Fantini, meshtarë dhe motra të dioqezës sonë, si dhe autoritete të larta civile të pushtetit lokal të rrethit Pukë.

Mesha e Shugurimit u udhëhoq nga Imzot Lucjan Avgustini, i cili  shprehu gëzimin e tij për këtë tempull të ri dhe mirënjohjen ndaj Hyjit, i cili na do e që vendos të jetojë në mesin tonë, mirënjohje ndaj atyre që bënë të mundur ndërtimin e shtëpisë së Zotit.  Në fillim të kremtimit Ipeshkvi  i dorëzoi famullitarit çelësin e Kishës së re dhe të gjithë së bashku hynë me gëzim në shtëpinë e Zotit e vazhduan me ritin e bekimit të tempullit të ri.

Ndërsa në homelinë e rastit Ipeshkvi iu drejtua popullit të bashkuar me besim në Krishtin duke thënë se ne jemi një familje, familja e të pagëzuarve, e cila mblidhet rreth tryezës së Eukaristisë. Prania e tempullit të shenjtë nxit në ne mendimin për Zotin, domethënien e tij në jetën tonë. Duke vazhduar më tej ai tha se Kisha prej gurit na kujton se ne jemi kisha e gjallë, tempulli plot jetë i Zotit të vërtetë.

Edhe administratori i kësaj famullie Dom Genc Tuku, e falënderoi Zotin për këtë dhuratë si dhe bamirësit që ndihmuan në përfundimin e ndërtimit të Kishës prej gurit kushtuar Zojës Rruzare.

Kisha e Zojës Rruzare në Gjegjan të Pukës i pat fillimet e ndërtimit të saj që në vitin 2001, me iniciativën e Ipeshkvit në atë kohë, Imzot Dodë Gjergjit. Pas marrjes së detyrës si Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës nga Imzot Lucjan Avgustini, kjo iniciativë u vazhdua më tej, për të arritur deri në ditët e sotme, ku falë bamirësve u bë i mundur ndërtimi i Kishës, e cila historikisht njihet e para Kishë e ndërtuar në këtë fshat. 

 

 

 titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster