|
|
Ditën e të
Ngjiturit të Zojës në qiell, më 15 gusht 2009, bashkësia e
famullisë Zoja Rruzare, në fshatin Kotërr të Zadrimës, gëzoi në
festën e Shugurimit të Kishës kushtuar Shën Terezës së Avilës.
Në këtë kremtim solemn morën pjesë meshtarët, motrat e
kongregatave të ndryshme që veprojnë në dioqezën tonë, miq
meshtarë nga Spanja, të cilët kontribuan më së mirë për
ndërtimin e kësaj kishe, autoritete civile të pushtetit lokal,
si dhe populli i Zotit.
Mesha dhe
liturgjia e bekimit u udhëhoq nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan
Avgustini, në bashkëkremtim me famullitarin Dom Kastriot Gjoka e
meshtarë të tjerë. Pas marrjes pjesë me zell në ritet e shenjta
të bekimit, në një dëgjim me fe të fjalës së Hyjit, Ipeshkvi në
homelinë e tij e falënderoi Zotin që edhe në këtë fshat tashmë u
ndërtua kisha e re. Është shtëpia ku mblidhemi rreth tryezës
hyjnore që është altari në të cilën kremtohet Mesha e shenjtë,
që na bën t'i shmangim përçarjet, grindjet, armiqësitë dhe
inatet.
Ceremonia e
Shugurimit vazhdoi më pas me ritet e tjera, si lyerja e altarit,
e mureve dhe vendosja e relikeve të Shën Terezës së Avilës. Të
gjithë uruan: “E gëzofshim kishën e re”. Falë bamirësve,
donatorëve, dhe angazhimit personal të Ipeshkvit dhe
famullitarit, Kisha e Shën Terezës së Avilës pati fatin të
ndërtohet brenda një afati të shkurtër, rreth një vit, e në maj
të vitit të kaluar u bë bekimi i gurit të parë. Ashtu si në
fshatrat Dragushë dhe Gjegjan, edhe këtu në Kotërr është hera e
parë që ndërtohet një kishë.
Violeta Marashi
titujt kryesore |
|