|
JUNIORATI NDËRKONGREGACIONAL
Më
9-11 mars 2007 në kuvendin e Motrave të Bijave të Dashurisë Hyjnore në
Shkodër është mbajtur takimi i Junioreve të viteve IV, V, VI, në të
cilin morën pjesë 36 motra nga 12 kongregata të ndryshme.
Në
këtë takim referoi m. Maria Renata Chiossi s.d.c, e cila zhvilloi temën
me titull:
“Jeta shpirtërore dhe karizmat specifike të jetës rregulltare dhe
ndjenja e përkatësisë”
Tema
u zbërthye në disa pika:
Çfarë
kuptojmë me jetën shpirtërore? Çfarë është përshpirtëria?
Jeta
shpirtërore, përshpirtëria është ajo veprimtari e brendshme jetësore që
e bën njeriun të mendojë, të meditojë… është zgjuarsi, aftësi për të
lexuar brenda ngjarjeve që ndodhin. Është vetëdija për të lexuar brenda
vetes me anë të pyetjeve: kush jam unë? Nga e kam prejardhjen? Cili
është kuptimi i jetës sime? Çfarë më mban në shpresë? Me anë të jetës
shpirtërore njeriu kërkon përgjigje si fëmijët që kanë gjithmonë pyetje
për prindërit…Jo më kot Jezusi na fton ta thërrasim Hyjin “Atë” sepse ne
mund të presim përgjigje nga një prind.
Kemi
reflektuar gjithashtu edhe mbi pyetjen: A ka vend sot për jetën
shpirtërore?
Sigurisht! Pasi jeta shpirtërore i përket personit, atë e gjejmë në të
gjitha përmasat, në të gjitha aspektet e jetës njerëzore, pasi siç pohon
edhe psikologu Viktor Frankl, njeriu është i përbërë nga tre dimensione:
trupor, psikik dhe shpirtëror.
Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me dy dimensionet e para, pasi do të
ishte si një aeroplan që gjendet në aeroport me motor të ndezur por që
qëndron në vend pa lëvizur. Aeroplani e ka maksimumin e vet kur fluturon
në qiell, kështu edhe njeriu e përmbush plotësinë e tij kur i ka të tre
dimensionet.
Karizma : çfarë do të thotë fjala karizëm?
“
Karizma është një dhuratë e Shpirtit Shenjt me qëllim që t’i shërbejë
një bashkësie dhe ndërtimit të saj” (1 Kor 12,7.11)
Kemi
diskutuar edhe mbi karizmën si dhuratë e institutit që përfshin dhe çon
përpara përmbajtjen shpirtërore, apostolike dhe strukturore të
frymëzimit që themeluesi(ja) mori prej Shpirtit Shenjt. Pra, karizma
është një dhuratë dhe një identitet i ri për secilën prej nesh.
Çfarë është përkatësia?
Përkatësia është ndjesia e pjesëmarrjes dhe e të qenurit e pranuar nga
një grup në një klimë ndërvarësie, intimiteti, dhe ndërsjelltësie. T’i
përkasësh një bashkësie do të thotë të dish që ajo na përket dhe që ne i
përkasim asaj, pra ndjenja e përkatësisë është e vërtetë kur ajo është e
ndërsjellë....
Në
mbrëmjen e 10 marsit gëzimi ynë u shtua nga prania e Imzot Angelo
Massafra i cili mori pjesë në lutjen e mbrëmësores, dhe ne e
falënderojmë për gatishmërinë dhe kujdesin e tij që tregon për ne.
Në
fund e falënderojmë Zotin që na e dha mundësinë për të qenë të bashkuara
në Emër të Tij, gjithashtu i falënderojmë edhe të gjithë ata që na
ndihmojnë në formimin tonë si edhe m. Renatën Chiossi që pranoi ta
drejtojë këtë takim.
Junioret Shkoder
titujt kryesore |