ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Le t’i ngushelloje Nena jone Maria, te gjithe te semuret

 

 

Me datë 11 shkurt, në ditën botërore të të sëmurëve, edhe famullia jonë bashkoi në Meshën e Shenjtë, që është forca e vetme për të përballuar çdo vuajtje, të gjithë të sëmurët, që së bashku me ta të mund të vetëdijësohet për kontributin e madh që mund të japë çdo i krishterë, sidomos ata që vuajnë, për të plotësuar ato vuajtje që i mungojnë Trupit Mistik të Kishës, Krishtit.

Pas një organizimi efikas nga famullitari i Katedrales, Dom Gjovalin Sukaj në bashkëpunim me rregulltaret e famullisë, të sëmurët u sollën në Katedralen e Shën Shtjefnit.

Mesha e Shenjtë, e udhëhequr nga Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër - Pult, filloi në orën 16.00. Në homelinë e rastit, Arqipeshkvi, duke komentuar edhe letrën e Papa Benediktit XVI, shprehu kujdesin e tij të veçantë për të gjithë të sëmurët. Ai gjithashtu, nuk la pa përmendur dhe falënderuar secilin person që i kushton rëndësi dhe kujdes të sëmurëve, sepse ky kontribut është një vepër mëshire, që na mundëson të dalim nga vetvetja dhe të shkojmë në drejtim të tjetrit që është në nevojë. Mesha e Shenjtë ishte shumë e veçantë sepse një pjesë e madhe e të sëmurëve u aktivizua me anë të leximit të Fjalës së Zotit, lutjeve të besimtarëve dhe lutjeve të ndryshme nëpërmjet të cilave ata shprehën braktisjen e tyre në duart e Atit Qiellor. Për dhurarta, së bashku me kryqet e tyre të përditshme, ata sollën edhe punën krijuese, të cilën arrijnë ta realizojnë më aktivitetet e ndryshme.

Para bekimit solemn, vijoi procesioni me të Shenjtërueshmin Sakrament i shoqëruar nga të sëmurët me qirinj në dorë, si dëshmi se Jezusi jep shpresën e cila të aftëson ta ndjekësh Krshtin jo vetëm të vuajtur e të vdekur, por edhe të ringjallur.

Përjetimet e këtij takimi ishin aq të forta dhe mbresëlënëse, sa të sëmurët shprehën dëshirën që një takim i tillë të përsëritet disa herë në vit. Pas Meshës së Shenjtë, të mbushur me gëzimin hyjnor, të sëmurët i shoqëruam për në shtëpitë e tyre.

 

Motër Antoneta Demaj, Vinçenciane 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster