|
|
NDËRROI JETË MONS. INJAC DEMA
Pas dy vjet vuajtjeje nga ana shëndetësore, me datën 19 shkurt 2007, në
moshën 82 vjeçare, ndërroi jetë meshtari më i vjetër i Dioqezës së
Sapës, Mons. Injac Dema.
Trupi i pajetë i të ndjerit Mons. Injacit u shoqërua nëpërmjet kortezhit
mortor nga famullia e Dajçit - Zadrimë, vendi ku jetoi e shërbeu 13
vitet e fundit, për t’u vendosur në Kishën Katedrale në Vau-Dejës, ku u
kremtua Mesha e Dritës, udhëhequr nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore
të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita.
Në këtë përcjellje morën pjesë të gjithë Ipeshkvijtë e Shqipërisë, ish -
Ipeshkvi i Sapës, Imzot Dodë Gjergji, meshtarë, rregulltarë e
rregulltare, të afërmit e tij si dhe besimtarë të dioqezës sonë dhe asaj
të Shkodrës.
“Jemi mbledhur sot për të kremtuar Meshën e Dritës të Mons. Injacit”,
tha në fillim Imzot Mirdita. “Ai nuk u shua, nuk iku nga ne, por lindi
në dritën e Jezusit! Dhe ne lutemi sot që, Krishti - Meshtari i amshuar
ta pranojë në Mbretërinë e tij.
Homelinë e rastit e mbajti Imzot Dodë Gjergji, ku veçoi se, “edhe pse
jemi pak të trishtuar me vdekjen e Mons.Injacit, forcohemi që jemi të
bashkuar për ta përcjellë nga kjo Meshë në pushimin e përjetshëm.
Ëngjëjt kanë zbritur për ta marrë shpirtin e tij, dhe ai është i
pranishëm në sofrën e Eukaristisë, në Mbretërinë e qiellit.”
Fjalë ngushëlluese përcolli edhe Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan
Avgustini. Mes të tjerash, ai e vlerësoi shumë shërbimin e tij në
misionin e ungjillëzimit. “Me këtë ndarje të përkohshme, tha Imzot
Lucjani, po të njohim si meshtar i Krishtit. Edhe pse Dioqeza jonë është
e varfër, ne jemi të pasur me dashurinë e Zotit dhe emri yt është i
shkruar në zemrat tona, dhe i përjetshëm qoftë kujtimi yt!”
Pas Meshës së salikimit, kortezhi mortor u drejtua drej varrezave
katolike të qytetit të Shkodrës, vendi ku do të prehet i qetë Mons.
Injaci, për t’u vendosur përjetësisht në bashkim me Jezusin, të cilit i
shërbeu për 49 vite, si dhe për të pritur ringjalljen e lavdishme në
Mbretërinë e Qiellit. Pushoftë në Paqe!
titujt kryesore |
|