|
|
NGJALLJA E
JEZUSIT
“Ju mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin prej
Nazaretit, të Kryqëzuarin. Ai u ngjall, nuk është këtu! Qe vendi ku e
patën vënë” (Mk 16, 6).
Kështu u foli grave “djaloshi ndjenjur në
anë të djathtë, veshur me petk të bardhë” (Mk 16, 5).
Ky kumtim ia ka hapur zemrën time sigurisë së
kësaj të vërtete, kur, më 6 mars, kam shkuar “në mëngjes, ende pa
dalë drita” (Gjn 20, 1), në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, së bashku
me shtegtarë të tjerë në Tokën e Shenjtë, për të kremtuar Meshën e
Shenjtë në një vend, ku një varr, tashmë bosh, është bërë dëshmia më e
fortë e Krishtit të Ngjallur.
Edhe unë, së bashku me Shën Gjonin, mund dhe
dua t’ju dëshmoj juve atë që sytë e mi kanë parë, atë që duart e mia
kanë prekur, pasi kemi puthur vendin e Gjetsemanit ku vuajtja e Krishtit
qe shëlbuese; pasi kemi bërë “Udhën e Dhimbshme”, që e çon çdo besimtar
në shpëtim; pasi kam vënë dorën time dhe pasi kam puthur vendin ku është
kryqëzuar Ai, drejt të cilit të gjithë duhet ta drejtojmë shikimin; pasi
kam medituar në vendin ku trupi i shenjtë i Jezusit u vendos për t’u
përeruar me erëra të mira... pasi kam ndier brenda meje gëzimin e
ngjalljes, dëshiroj që edhe ju të bëheni pjesëmarrës të kësaj të vërtete
të madhe: Jezu Krishti me të vërtetë është ngjallur dhe është i gjallë
në mesin tonë!
Shumë të dashur besimtarë, ky është urimi im
për ju, urim që nuk niset nga një teori, por niset nga një përvojë e
fortë besimi, që Zoti më ka mundësuar ta përjetoj, me qëllim që unë i
pari të mund ta provoj gëzimin që provoi Maria Magdalenë kur nga varri
vrapoi tek nxënësit për t’ua kumtuar aventurën e premtuar nga Jezusi:
“pas tri ditësh do të ngjallem” (krh. Mk 10, 34).
Të katër ungjilltarët paraqesin ditën, datën e
saktë kur ka ndodhur rrokullisja e gurit të varrit nga Hyji: “të
parën ditë të javës”. Duke pasur në dorë tekstin e Lukës më pëlqen
të kujtoj se për këtë ungjilltar përcaktimi i ditës ka një domethënie
krejt të veçantë. Është fillimi i një krijimi të ri. Errësira, nata,
vdekja kanë lindur me forcën e Hyjit një fakt krejt të ri: një njeri të
ri.
Gjithçka fillon për së pari, në mënyrë të re,
në Ngjalljen e Jezusit jeta lind për jetën. Guri është rrokullisur,
trupi i Jezusit nuk gjendet më brenda varrit. Nga ana njerëzore mendimi
nuk arrin të shkojë përtej vdekjes, nuk ekziston një derë, një rrugë që
të shpie përtej varrit. Gratë e dinë se duhet të ndalen aty. Nuk ka
asnjë vlerë gjetja tek varri e pëlhurave dhe e rizës me të cilat u
mbështoll trupi i vdekur i Jezusit, deri në atë moment kur vetë i
Ngjalluri do t’i bindë zemrat e njerëzve se dera përtej vdekjes, me Të
dhe për ne, është hapur me të vërtetë. Sa herë edhe ne e jetojmë jetën
tonë sikur në zemër të kishim gurin që mbyll varrin! E megjithatë
Pashka, shumë të dashur besimtarë, na nxit ta shpërthejmë varrin e
zemrës sonë! Është Pashka që na vë përballë kryqit, përballë vdekjes së
Jezusit dhe si rrjedhojë na vë edhe përballë asaj që ne jetojmë çdo
ditë, na vë përballë kryqeve tona, përballë vdekjes sonë, përballë
vdekjes së atyre që duam.
Duke dëgjuar dhe medituar Ungjillin e
Ngjalljes së Zotit tonë mund të përjetojmë ndjenja të shumta, të cilat
mund të na shtyjnë të pyesim: Kush ka krahë aq të fuqishëm sa të na e
heqë gurin kaba që vulos në mënyrë përfundimtare fitoren e vdekjes, të
dhunës, të egoizmit, të hipokrizisë dhe të dëshpërimit mbi sipërfaqen e
tokës? Kush, o Zoti im?
Të gjithë e dimë mirë se ka dhe do të ketë
“netë” në historinë e secilit prej nesh: nata e dhimbjes, nata e shumë
pyetjeve pa përgjigje. E megjithatë do të ketë “agime” edhe në historinë
e secilit prej nesh. Jezusi është Ngjallur. Është një ngjarje, një
premtim që tejkalon çdo imagjinatë tonën. Kjo është e fshehta jonë.
Të lutemi që, çdo ditë të jetës sonë, cilado
qoftë situata jonë, të dimë t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, të cilat i ka
shqiptuar tek koka e një vajze të vogël: “Talitha kum!”, “Çohu!”
(Mk 5, 41), ngrije shikimin drejt meje, vëri sytë e tu tek të mitë,
duart e tua mbi të miat, pushoje kokën tënde në zemrën time, më beso,
çohu dhe ec... i thotë Jezusi i Nazaretit secilit prej nesh.
Vetëm kështu edhe ne, mes lotëve dhe habisë
mund të ëndërrojmë një mëngjes të shkëlqyeshëm Pashke, që ta jetojmë në
zemër çdo ditë.
“Bëj, o Zot, që të fillojmë një jetë të re
në shenjën e Ngjalljes së Birit Tënd. Bëj që mos të dëgjojmë vetveten,
ndjenjat tona, zakonet tona, frikat tona, që na bëjnë të biem në atë që
është e përdorur, në atë që është bajate, në atë që është banale dhe me
pak vlerë. Bëj, që, duke harruar ndjenjat tona, ta lëmë veten të
pushtohemi nga ajo plotësi e Shpirtit Shenjt, që Ti, o Zot, Hyji me ne,
Hyji për ne, përhap me Ngjalljen e Birit Tënd” (C. M. Martini).
Për shumë vjet Pashkën!
Arqipeshkvi Juaj
† Angelo
Massafra
titujt kryesore |
|