ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Nje takim mes vellezerish

 

 

Atë çka shumë të tjerë përpara nesh e kanë ëndërruar, tashmë është një realitet praktik, takimi mes studentëve dhe profesorëve të teologjisë, në seminarin “Zoja e Këshillit të Mirë”, dhe studentëve e profesorëve të akademisë ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit.

Nisja për këtë takim, tashmë i radhës, u bë nga seminari në orën 7.00 të datës 23/11/2006 dhe mbërritja në orën 9.00. Mikpritja ishte e ngrohtë dhe e përzemërt, ashtu siç ndodh mes vëllezërish. Mes përshëndetjeve dhe urimeve, duke qenë se ishim në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, kanë qenë edhe përgëzimet për detyrën e re të Hirësisë së Tij Nikolla Hyka si drejtor i sapoemëruar i Akademisë, pasardhës i Hirësisë së Tij, Ilia Katre.

Menjëherë pas, ka rënë në sy një takim i shkurtër “flash” mes stafit të profesorëve të seminarit dhe të akademisë. Prezantimi nuk ka qenë i nevojshëm, pasi të gjithë e njihnim njëri-tjetrin, me përjashtim të ndonjë studenti të ri. Pas këtyre përshëndetjeve jemi drejtuar nga salla e koferencës ku do të mbaheshin edhe disa referate.

Referatin e parë e ka mbajtur prof. i muzikës Spiro Kostoli, me temë: “Spiritualiteti i Mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit në himnologjinë orthodokse”. Në këtë referat, ndër të tjera ai theksoi unitetin e himneve në liturgji dhe gërshetimin e tyre me Teologjinë; qëllimin e mishërimit të Zotit duke e lidhur me premtimet e Perëndisë që në Besëlidhjen e Vjetër; pozicionin e Hyjlindëses në këtë ngjarje; pozitën e Jozefit, të fejuarit të shën Marisë; tronditjen e tij nga njëra anë (për ngjarjen) dhe sqarimin e tij nga ana tjetër. Në përfundim, ilustrimi nëpërmjet himneve për pjesëmarrjen e gjithë krijesës në gëzimin e lindjes së Zotit, duke e lavdëruar atë pa pushim. E gjithë kjo e shprehur me gjuhen e himnologjisë së kënduar pa lënë aspak mënjanë gjuhën e teologjisë, në të cilën: “Madhështia e misterit të Perëndisë së mishëruar qëndron në atë që, Fjala që është Perëndi bëhet njeri pa pushuar së qenuri Perëndi. Në Atë qëndrojnë dhe takohen të gjitha misteret e Hyjit dhe të gjitha misteret e njeriut”. Dhe kështu si pasojë e këtij gërshetimi të thellë poetik dhe teologjik, populli i Zotit merr më së miri mesazhin e shpëtimit nga Shpëtuesi.

Pas këtij referati jemi ndalur për një kokteil, ku diskutimet mes njëri-tjetrit kanë vazhduar në mënyrë spontane.

Më pas është vazhduar me dy referatet e tjera të mbajtura nga dy studentë të akademisë. Në të parin tregohet rëndësia e lindjes së Jezusit dhe ruajtja e zhvillimi i traditë në kishën ortodokse gjatë shekujve dhe kalimi nga festat pagane  të lindjes së diellit në festën e krishterë të lindjes së Krishtit, diellit të të gjithë njerëzimit. Gjithashtu edhe tregimi i etapave të ndryshme në përgatitje për të kremtuar më pas Krishtlindjen.

Në referatin e dytë është bërë shtjellimi i ikonografisë së lindjes së Krishtit ku, rëndësia nuk qëndronte në tregimin e ngjarjeve në mënyrë kronologjike por, në rëndësinë e atyre ngjarjeve që donin të shprehnin. Më pas është vazhduar me pyetje dhe diskutime të lira. Më pas kemi vijuar me drekën e përbashkët, duke vazhduar përsëri me diskutimet tona të cilat arritën drejt përfundimit me mbarimin e drekës, por vetëm për  atë ditë, sepse një takim tjetër tashmë është caktuar të mbahet me datën 3 maj2007, kësaj radhe pranë seminarit ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër.

 

Artan Simoni 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster