|
|
PËRKUJTOHET 60
- VJETORI I PUSHKATIMIT
TË IMZOT
GJERGJ VOLAJ
Në
ditën e Shën Vlashit, më 3 shkurt 2007, u përkujtua 60 - vjetori i
pushkatimit të ish - ipeshkvit të Sapës, Imzot Gjergj Volaj.
Me
këtë rast, në kishën Katedrale të Sapës në Vau - Dejës, u kremtua Mesha
e Shenjtë, të cilën e udhëhoqi një nga pasardhësit e tij, ipeshkvi i ri
Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me vëllezërit meshtarë, Dom
Karlo Fantini, Dom Antonio Sciara, Dom Simon Kulli, Dom Mark Shtjefni
dhe Atë Sergio La Fogia. I pranishëm në Meshë ishte edhe populli i Zotit
bashkë me grupet e lutjeve që tashmë janë mirëorganizuar brenda dioqezës
sonë.
Në
fjalën e rastit, Imzot Lucjan Avgustini shpalosi vlerat e Imzot Gjergj
Volajt. “Kur vuajtja dhe sakrifica e një njeriu tha ai, arrijnë që të
kalojnë edhe cakun e jetës, duke e bërë këtë për fe e për Atdhe, atëherë
ai ka arritur të bëjë atë që ndoshta nuk e bëjnë gjenerata të tëra të
një populli. I tillë ishte edhe Imzot Gjergj Volaj, i cili rreshtohet në
Elterin e atdhetarëve të këtij kombi. Nderimi dhe lavdia për të është e
përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal është e merituar dhe e
pakundërshtuar.” Imzot Lucjani theksoi gjithashtu se, “yjet e heronjve
të Atdheut nuk shuhen me ujë e as nuk mbulohen me baltë. Ata qëndrojnë
lart, madje shumë lart, e gjithmonë pas kthjellimit të kohës, ata
shndrisin e vezullojnë duke u bërë udhërrëfyesit e brezave të ardhshëm
për dashuri e flijim ndaj Atdheut.
Kush ishte Imzot Gjergj Volaj? Si u pushkatua ai?
Imzot
Gjergj Volaj, u lind më 21 shtator 1904, në Shirokë të Shkodrës. Që i
vogël e dëgjoi Zërin e Zotit, dhe duke iu përgjigjur, në vitin 1916 hyri
në seminarin e Shkodrës. Më pas, në vitin 1926 vazhdoi studimet e larta
në Padova të Italisë. Dhe në vitin 1930 u shugurua meshtar nga
Arqipeshkvi i Shkodrës në atë kohë, Imzot Lazer Mjeda. U angazhua në
aktivitetet apostolike brenda kësaj arqipeshkvie. Në vitin 1940, në
moshën 36 vjeçare u emërua Ipeshkëv i Sapës, duke u radhitur kështu
Ipeshkvi më i ri në botë. Ndërsa sipas kronologjisë së Ipeshkvijve të
Sapës, ishte pasardhës i Imzot Vinçenc Prendushi.
Kur
Shqipëria ra nën kthetrat e sistemit komunist, Imzot Gjergj Volaj u
arrestua në janar të vitit 1947. Pasi kaloi një periudhë të tmerrshme
torturash, mjerisht u dënua me vdekje dhe u pushkatua në ditën e Shën
Vlashit, më 3 shkurt 1947, duke shënuar kështu fundin e jetës së tij në
moshën 43 - vjeçare. Por një ditë para vdekjes Imzot Gjergjit iu dha
leja që të takohej me nënën e tij. Në momentin e takimit ai u prek shumë
nga lotët e saj, dhe me dinjitet i tha:
“Nënë, mos qaj për çka po sheh tani në mue... por qaj për çka do të vijë
pas”!
Dioqeza e Sapës është krenare që pati një Bari të tillë, i cili sipas
shembullit të Jezu Krishtit e flijoi jetën për grigjën e vet. Le të jetë
Imzot Gjergj Volaj udhërrëfyes për ne si dhe për brezat e ardhshëm në
angazhimin dhe ecjen tonë drejt rrugës së Zotit.
titujt kryesore |
|