|
|
Rruzarja e Papa Benediktit XVI me universitaret e Evropes dhe te Azise
DASHURIA INTELEKTUALE eSHTe URTIA E KRYQIT
“Po jua besoj Kryqin e Krishtit: pranojeni,
përqafojeni, ndiqeni atë”. Me këto fjalë Papa Benedikti XVI shoqëroi
dorëzimin e kryqit studentëve universitarë evropianë dhe aziatikë,
mbrëmjen e datës 10 mars 2007, në Sallën Pali VI. Në lidhje radio -
televizive kanë marrë pjesë në lutjen drejtuar Marisë bashkësitë
universitare të Bolonjës, Kalkutës, Koimbrës, Krakovisë, Hong Kongut,
Mançesterit, Manilës, Pragës, Tiranës, Torinos dhe të Islamabadit. Ati i
Shenjtë ka dashur ta lexojë temën e takimit “Dashuria intelektuale,
rrugë për një bashkëveprim të ri Evropë-Azi” në dritën e Misterit të
Kryqit, sepse - siç ka shpjeguar Ai - “urtia e krishterë është urtia e
Kryqit”.
Ky është teksti i fjalimit të Papa Benediktit
XVI:
Të dashur të rinj
universitarë!
Jam shumë i gëzuar që po
jua drejtoj juve përshëndetjen time të përzemërt në përfundim të Lutjes
drejtuar Marisë, që Vikariati i Romës ka nxitur me rastin e Ditës
Evropiane të Universitarëve. Falënderoj Kardinal Camillo Ruini e Imzot
Lorenzo Leuzzi, si edhe të gjithë ata që kanë bashkëvepruar për këtë
nismë: institucionet akademike, Konservatorët e Muzikës, Ministrinë e
Universitetit dhe të Kërkimeve, Ministrinë e Komunikacionit. Përgëzoj
Maestrot e orkestrës dhe të korit të madh dhe ju, të dashur muzikantë
dhe këngëtarë. Ndërsa ju mirëpres ju, o miq të Romës, mendimi im shkon,
me të njëjtën dashuri, tek bashkëmoshatarët tuaj, të cilët, falë
lidhjeve radio -televizive, kanë pasur mundësi të marrin pjesë në këtë
moment lutjeje dhe reflektimi nga disa qytete të Evropës dhe të Azisë:
nga Praga, Kalkuta, Hong Kongu, Bolonja, Krakovia, Torinoja, Mançesteri,
Manila, Koimbra, Tirana dhe Islamabad-Ravalpindi. Është me të vërtetë
një shenjë e kohëve, një shenjë shprese ky “rrjet”, i realizuar me
bashkëpunimin e Qendrës Televizive të Vatikanit, të Radio Vatikanit dhe
të Telespacios.
Është një rrjet që e
shpreh krejt vlerën e vet nëse marrim parasysh temën e lutjes së sotme:
“Dashuria intelektuale, rrugë për një bashkëveprim të ri Evropë-Azi”.
Është magjepsëse ta mendosh dashurinë intelektuale si forcë të shpirtit
njerëzor, të aftë për të bashkuar itineraret formative të brezave të
rinj. Në mënyrë më globale, dashuria intelektuale mund të bashkojë ecjen
ekzistenciale të të rinjve që, edhe pse jetojnë larg njëri-tjetrit,
arrijnë të ndihen të lidhur në planin e kërkimit të brendshëm dhe të
dëshmisë. Sonte po realizojmë një urë ideale mes Evropës dhe Azisë,
kontinent shumë i pasur me tradita shpirtërore, ku janë zhvilluar disa
prej traditave më të lashta dhe më të fisshme kulturore të njerëzimit.
Sa domethënës është ky takim! Të rinjtë universitarë të Romës bëhen
nxitës vëllazërie në shenjën e dashurisë intelektuale, kërkojnë të
arrijnë një solidaritet që nuk i merr shtytjet nga plani i interesave
ekonomike apo politike, por nga ai i studimit dhe i kërkimit të së
vërtetës. Jemi, me një fjalë, në perspektivën e vërtetë “universitare”,
domethënë në atë bashkësi të të diturit, që ka qenë njëri prej
elementeve përbërës të Evropës. Faleminderit, të dashur të rinj!
Po u drejtohem tani të
gjithë atyre që janë lidhur me ne nga qytete dhe shtete të ndryshme.
Universitarëve të gjuhës çeke
u ka thënë:
Të dashur të rinj që jeni
mbledhur në Pragë! Miqësia me Krishtin e ndriçoftë gjithmonë studimin
tuaj dhe rritjen tuaj personale.
Pasi ka falënderuar në gjuhën
angleze të gjithë universitarët e Kalkutës, Hong Kongut,
Islamabad-Ravalpindit, Mançesterit dhe të Manilës, Papa iu drejtua
kështu studentëve polakë:
Të dashur miq të Krakovisë!
Mbajini në zemër si thesar të çmuar mësimet që Papa Gjon Pali II u ka
lënë të rinjve dhe, në mënyrë të veçantë, universitarëve.
Pasi përshëndeti të
rinjtë e mbledhur në Koimbra, Portugali, Papa, në shqip, kështu iu
drejtua të rinjve shqiptarë:
Miq të dashur të Tiranës! Angazhohuni për
të ndërtuar si protagonistë Shqipërinë e re, duke marrë nga rrënjët e
krishtera të Evropës.
Dhe në fund kështu tha në italisht:
Të dashur miq të Universitetit të Bolonjës
dhe të Torinos! Merrni pjesë në ndërtimin e një humanizmi të ri, të
bazuar në dialogun e frytshëm mes besimit dhe arsyes, duke dhënë
ndihmesën tuaj origjinale dhe krijuese.
Të dashur miq, jemi duke jetuar kohën e
Kreshmëve, dhe liturgjia na nxit vazhdimisht për ta bërë më të
qëndrueshme ndjekjen e Krishtit. Edhe kjo Lutje, sipas traditës së
Ditëve Botërore të Rinisë, mund të konsiderohet si një etapë shtegtimi
shpirtëror të udhëhequr nga Kryqi. Dhe misteri i Kryqit nuk është i
shkëputur nga tema e dashurisë intelektuale, madje, e ndriçon atë. Urtia
e krishterë është urtia e Kryqit: studentët dhe, për më shumë arsye,
mësimdhënësit e krishterë, e interpretojnë çdo realitet në dritën e
misterit të dashurisë së Hyjit, që në Kryq arrin zbulimin më të lartë
dhe përmbushjen e saj. Edhe një herë, të dashur të rinj, po jua besoj
Kryqin e Krishtit: pranojeni, përqafojeni, ndiqeni atë. Është pema e
jetës! Tek këmbët e tij do të gjeni gjithmonë Marinë, Nënën e Jezusit.
Së bashku me Të, Selinë e Urtisë, drejtojeni shikimin kah Ai që për ne
është shporuar (krh. Gjn 19, 37), sodisni burimin e pashtershëm të
dashurisë dhe të së vërtetës, dhe kështu mund të bëheni edhe ju nxënës
dhe dëshmitarë të mbushur plot për plot me gëzim. Është urimi që ia
drejtoj secilit prej jush. E shoqëroj me lutje dhe me Bekimin tim, të
cilin ia shtrij me gjithë zemër të gjithë njerëzve tuaj të dashur.
Nga “Osservatore
Romano”
titujt kryesore |
|